LAJMI I FUNDIT:

Qeveritarët e Maqedonisë në kërkim të energjisë, takime pa rezultate

Qeveritarët e Maqedonisë në kërkim të energjisë, takime pa rezultate

Tash e 47 ditë që kur krerët e shtetit kanë filluar të kërkojnë energjense dhe rrymë nga shtetet e rajonit, sepse vendi nuk ka energji të mjaftueshme t’a prodhojë atë në sasi të mjaftueshme. Deri më tani delegacione kanë udhëtuar drejt Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë, mirëpo për momentin ekziston vetëm marrëveshja për importimin e qymyrit dhe naftës nga Greqia.

Sivjet janë vënë në funksion të gjitha objektet shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike, madje edhe ato që nuk kanë punuar me vite. Kompanitë e mëdha që janë në tregun e lirë kërkojnë ndihmë nga shteti që të mos e ndalojnë prodhimtarinë. Ato ankohen se rryma në bursa është deri në dhjetë herë më e shtrenjtë se sa vitin e kaluar dhe se nuk pajtohen të paguajnë fatura aq të larta. Gjithashtu, paralajmëruan se 7000 deri në 9000 persona do të humbasin punën, nëse shteti nuk i ndihmon.

Në Samitin e Ballkanit të Hapur në Beograd, i mbajtur më 2 shtator, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se së bashku me Serbinë dhe Shqipërinë po ndërmarrin hapa për t’u përballur me krizën. “Ne kemi kapacitete prodhuese, por në të njëjtën kohë kemi edhe mungesë të lëndëve të para për prodhimin e energjisë elektrike, të cilat gjinden ose në Serbi ose në Shqipëri, prandaj ky bashkëpunim rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Kovaçevski.


Më 28 shtator, këshilltari i kryeministrit për energji, Viktor Andonov, tha se vendi do të blejë gaz natyror nga Serbia për prodhimin e energjisë termike dhe asaj elektrike por që së pari duhet të plotësohen detaje teknike si çmimi, sasia dhe transporti. Të nesërmen, Kovaçevski tha se me Serbinë po negociohet për shkëmbim të gazit, jo për blerje, pra Maqedonia i jep rrymë ndërsa Serbia jep gazin për prodhimin e energjisë elektrike.

Kur Kovaçevski udhëtoi për në Bullgarinë fqinje, Qeveria bullgare njoftoi se Bullgaria për Maqedoninë siguron rrymë më të lirë se sa çmimet aktuale në burs’. Edhe pse kryeministri i vendit tonë tha se shpreson që në më pak se dy javë do të ketë zgjidhje me të cilën të dyja palët do të jenë të kënaqura, nuk vonoi shumë dhe u njoftua që marrëveshja nuk do të arrihet sepse Bullgaria, si anëtare e BE-së, nuk mund të pajtohet në mënyrë bilaterale për eksportet e veta me çmime të ulëta.

Edhe pse nuk u takua me homologun e tij grek, Kovaçevski me vetë iniciativë i kishte informuar gazetarët se është rënë dakord për furnizim me thëngjill nga minierat greke për REK “Bitola” dhe REK “Oslomej” si dhe naftë për TEC “Negotino”. “Nëse ka ndonjë kufizim në eksportet nga Greqia, është rënë dakord që ai të mos vlejë për eksportet në Maqedoninë e Veriut”, kishte thënë Kovaçevski më 13 shtator në Athinë.

Përveç vizitave në fqinjësi, një delegacion me në krye ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshin, udhëtoi drejt Turqisë sërish në kërkim të energjisë elektrike. Turqia ofroi një çmim më të ulët krahasuar me atë të bursave mirëpo kërkoi që energjia elektrike të paguhej paraprakisht, gjë që nuk i’u përshtat ekonomisë së Maqedonisë. Ata kërkuan që çmimi të shkonte nga 150 deri në 200 euro për megavat/orë dhe nuk donin një kontratë pesë mujore, njoftoi Qeveria. Nëse nuk sigurohet gazi, atëherë shteti është i gatshëm t’i ngrohë shtëpitë e qytetarëve me lëndë djegëse alternative, tha kryeministri Kovaçevski. Qeveria ndau 18 milionë euro për blerjen e energjisë për ngrohje./Koha/