LAJMI I FUNDIT:

Qeveria pret që me emisarin e ri të BE-së dialogu Kosovë-Serbi të kthehet në “binarët e duhur”

Qeveria pret që me emisarin e ri të BE-së dialogu Kosovë-Serbi të kthehet në “binarët e duhur”

Në dyvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Qeveria e Kosovës pret që me emisarin të ri të BE-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ky proces të kthehet në binarët e duhur e të fokusohet në rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe të rritet llogaridhënia “ndaj palës bllokuese teksa e kemi tashmë një marrëveshje, atë Bazike, dhe Aneksin Implementues të Ohrit”.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, tha se në njërën anë këto marrëveshje duhet të gjejnë zbatueshmëri në tërësinë e tyre, duke siguruar brenda procesit edhe barazinë e palëve, qasje të drejtë dhe të paanshme edhe nga ndërmjetësuesi. Kurse, në anën tjetër, duhet të punojnë në marrëveshjen finale që ka në qendër njohjen të ndërsjellë dhe ligjërisht të pranueshme.

“Dy vite nga ajo që do të duhej të ishte arritja dhe formalizimi i Marrëveshjes Bazike e Aneksit Implementues të Ohrit, Serbia vazhdon t’i ikë nënshkrimit e pranimit të tyre, si dhe të shfaqë mungesë të theksuar të gatishmërisë dhe vullnetit për të punuar në finalizimin e planit të sekuencimit”, tha Kryeziu për KALLXO.com.


Më 18.03.2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian u pajtuan që të zbatojnë aneksin e Marrëveshjes bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023. Megjithatë, Marrëveshja nuk është zbatuar.

Ndër të tjera, Kryeziu thotë se gjatë procesit të refuzimit të vazhdueshëm të obligimeve të ndërmarra në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, edhe nën presionin e humbjes së kontrollit në terren, Serbia vazhdoi ta rriste dozën e destruktivitetit, duke matur pulsin ndërkombëtar, deri sa arriti në pikën e saj kulmore me agresion. Për agresionin, ai përmendi sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës, ngritjen e aeroplanëve ushtarakë MIG-29 përreth kufirit me Kosovën dhe së fundmi, sipas tij, ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Ndërkaq, për mbarëvajtjen e dialogut, në përgjithësi, në katër vitet e fundit, Kryeziu tha se me qeverisjen Kurti Kosova është përfaqësuar denjësisht, ka treguar konstruktivitet e gatishmëri për normalizim të marrëdhënieve e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Kurse, nga ana tjetër, ai tha se Serbia ka vijuar me qasje destruktive në këtë proces, pa vullnet e gatishmëri për bashkëpunim, “gjersa kjo dhe veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e tyre kanë shpërfaqur qëllimet e vërteta të Serbisë”.

“Në anën tjetër angazhimi dhe përkushtimi ynë në proces ka qenë i palëkundur, dhe përkundër rezistencës së Serbisë, tashmë janë zgjidhur çështje si ajo e mospagesës së rrymës në veriun e vendit dhe ajo e targave ilegale. Për herë të parë energjia elektrike po paguhet edhe në katër komunat në veri, ndërsa nuk qarkullojnë më në territorin tonë targa ilegale”, tha Kryeziu.

Në emër të Qeverisë, Kryeziu tha se në katër vitet e fundit të qeverisjes ka më shumë sovranitet e zbatueshmëri të ligjit, më pak prezencë ilegale të Serbisë në Kosovë.

Ndërsa, në një mori çështjesh e temash të tjera, zëdhënësi i Qeverisë thotë se duhet të ketë ritëm më të shpejtë, por destruktiviteti i vazhdueshëm i Serbisë pengon ecjen përpara. Kështu ai mori shembull çështjen e personave të zhdukur me dhunë, që sipas Qeverisë, pavarësisht deklaratës së arritur në Bruksel për adresimin më të shpejtë të kësaj çështjeje, Serbia vazhdon të mos përgjigjet kërkesave të palës kosovare për implementim të deklaratës duke filluar me hapjen e arkivave shtetërore.

Emisari i BE-së, Peter Sorensen, i cili mori mandatin në shkurt 2025, rastisi të jetë në Kosovë pikërisht në kohën e përvjetorit të kësaj Marrëveshje. Një ditë më parë, ai takoi kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe krerët e partive opozitare.

Pas takimeve, i deleguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi u tregua fjalë pak. Nuk mbajti konferencë për media për të shpalosur se çka diskutuan, mirëpo përmes një deklarimi të shkurtër për media e quajti “një fillim të mirë”, duke treguar se bisedën e patën rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, tha ai në një deklarim për media.

Me ujdinë në Ohër, Kosova mori obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. E si “shpërblim”, BE-ja kishte marrë përsipër të organizonte një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë.

Në lidhje me moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, KALLXO.com, publikoi intervistën me profesorin në pension të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, më parë në Qendrën për Çështjet Globale të Universitetit të Nju Jorkut dhe anëtar i lartë në Institutin e Politikave Botërore, Alon Ben-Meir, i cili fajësoi dy shtetet, dy liderët dhe Bashkimin Evropian, për dështimin e dialogut.

Mirëpo, ai e pranoi që BE-ja ka bërë më shumë presion ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë për t’i zbatuar pikat e Marrëveshjes. Madje, sipas tij, BE-ja ka dështuar të përdorë ndikimin e saj të konsiderueshëm në mënyrë efektive.

Dialogun do e trasojë, sipas tij, dora e presidentit amerikan Donald Trump. Edhe pse Meir thotë që Trumpi ka më shumë interesa ekonomike kah Serbia, ai beson që nuk do ta braktisë Kosovën për t’ia lënë çështjen ekskluzivisht BE-së.

Mirëpo, sipas tij, Trump do të ushtrojë më shumë presion mbi Kosovën sesa mbi Serbinë në përpjekjet e tij për të zbutur konfliktin Kosovë-Serbi. “Kushdo që do të formojë Qeverinë e re në Kosovë duhet të jetë i gatshëm të përballet me një President të SHBA-së që është jokonvencional dhe i paparashikueshëm. Dhe të jetë i gatshëm për të gjitha mundësitë që mund të ndodhin”, tha ndër të tjera gjatë intervistës.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Veliu: Abdixhiku e shkeli statutin e partisë,

Veliu: Abdixhiku e shkeli statutin e partisë, "nuk ka qare pa tregu se çka ka me mua, rezultati është dështim"

Politikë
Canaj: Më pengoi shumë, dëgjova se askush nga familja Jashari nuk ishte në varrimin e babait të Thaçit

Canaj: Më pengoi shumë, dëgjova se askush nga familja Jashari nuk ishte në varrimin e babait të Thaçit

Lajme
Fjalim emocionues i Endrit Thaçit: Babin nuk e lejuan t’ia gjuajë një grusht dhe të Drenicës, por në vend të tij sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina

Fjalim emocionues i Endrit Thaçit: Babin nuk e lejuan t’ia gjuajë një grusht dhe të Drenicës, por në vend të tij sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina

Lajme
E mbijetuara e zjarreve drejtuar policisë: I kërkova ndihmë pasi nuk kisha frymë dhe polici më tha se nuk mundet

E mbijetuara e zjarreve drejtuar policisë: I kërkova ndihmë pasi nuk kisha frymë dhe polici më tha se nuk mundet

Kronikë e Zezë
Gjenerali shqiptar: Aleanca ushtarake Kosovë – Shqipëri – Kroaci, mesazh i qartë për Serbinë

Gjenerali shqiptar: Aleanca ushtarake Kosovë – Shqipëri – Kroaci, mesazh i qartë për Serbinë

Lajme
Ekstradohet nga Spanja ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha

Ekstradohet nga Spanja ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha

Lajme
Kalo në kategori