LAJMI I FUNDIT:

Qeveria i përjashton nga shpronësimi disa prona në veri

Qeveria i përjashton nga shpronësimi disa prona në veri

Në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – janë përjashtuar disa parcela private, por vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë, konfirmon për Radion Evropa e Lirë Nebojsha Vllajiq, njëri prej avokatëve që kanë përfaqësuar banorët e pakënaqur para gjyqësorit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.


Vendet e pronave të shpallura me interes të veçantë publik

Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës, të datës 30 maj, thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë, që do të thotë tetë hektarë më pak.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok, është marrë në përputhje me aktgjykimet e formës së prerë të gjykatave të Kosovës, të cilat kanë kërkuar përjashtimin e disa parcelave nga shpronësimi.

“Gjykata ka qenë e qartë kur ka konstatuar se shumica e paditësve nuk kanë pasur legjitimitet për të nisur procedura ligjore, sepse nuk kanë mundur të dëshmojnë pronësinë e tyre mbi tokën që është subjekt i shpronësimit. Në vazhdën e kësaj, Qeveria ka vepruar në bazë të vendimeve gjyqësore dhe ligjeve në fuqi”, thotë Kryeziu.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar shumicën padive të qytetarëve serbë, të cilët kanë paditur Qeverinë e Kosovës dhe ka kërkuar të “vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”. Gjykata e ka kthyer në rishqyrtim tokën e familjes Jovanoviq nga Leposaviqi.

Pikërisht, toka prej 8 hektarësh e kësaj familjeje është njëra nga tokat e përjashtuara nga vendimi përfundimtar i Qeverisë për shpronësim.

Por, sipas avokatit Vllajiq, vendimi i Qeverisë është “një vërtetim i procesit të mëparshëm, që ka qenë tejet i paligjshëm”.

“Tani, ato vendime që janë quajtur paraprake, janë shpallur të formës së prerë, përveçse ato parcela [që janë kontestuar në gjykatë e] që përfaqësojnë një pjesë të vogël, janë përjashtuar”, thotë Vllajiq.

Mashan Jovanoviq, nga fshati Mekiniq i Leposaviqit, ka arritur t’i ruajë tetë hektarë të pyllit të tij.

Jovanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se “drejtësia ka triumfuar” dhe se është i lumtur që nuk i është marrë pylli, i cili gjendet prapa shtëpisë së tij familjare.

Ai dhe vëllai i tij, Radomiri, thonë se nuk kanë qenë kurrë të interesuar për kompensim monetar, por se kanë dashur vetëm ta “mbrojnë” tokën e tyre.

Ata që nuk kanë fituar në gjykata, tash mund të ankohen vetëm për dëmshpërblimin që do të marrin.

“Ata nuk mund të dëshmojnë më se shpronësimi është i panevojshëm, ose se interesi publik nuk ekziston”, thotë Vllajiq.

Jovanoviq shton se i gjithë procesi i shpronësimit nga autoritetet e Kosovës, ka qenë jotransparent dhe se banorët vendas nuk kanë marrë asnjë informacion për procesin.

“Tani kemi mësuar nga mediat se është marrë një vendim përfundimtar”, thotë ai.

Si ka shkuar procesi i shpronësimit?

Kur Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në janar, qytetarët kanë protestuar, ndërsa disa prej tyre u janë drejtuar gjykatave të Kosovës.

Ata janë ankuar se procesi nuk ka qenë transparent, se debatet publike nuk janë zhvilluar në kohën e duhur dhe se nuk kanë dashur të heqin dorë nga prona e tyre.

Ndonëse Qeveria nuk ka thënë asnjëherë se çfarë projektesh infrastrukturore do të ndërtohen në ato toka, qytetarët besojnë se bëhet fjalë për ndërtimin e stacioneve dhe bazave policore.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në fillim të këtij viti, ia ka kthyer Qeverisë së Kosovës për rishqyrtim vendimin për shpronësimin e tokave në veri për disa raste, për shkak se, siç është thënë, procesi nuk ka qenë plotësisht në përputhje me ligjet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë atëkohë se nuk do të heqë dorë nga shpronësimet, por se do të ngarkojë këshilltarë nga ministritë përkatëse që të dalin me një propozim të ri.

Tani, në vendimin përfundimtar, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare, çdo person, toka e të cilit është subjekt shpronësimi, mund të ankohet në gjykatat e Kosovës, por vetëm për shumën e kompensimit.

Avokati Vllajiq thotë se banorët e zonës nuk kanë protestuar asnjëherë për shkak të dëmshpërblimit, por për faktin se u është marrë toka.

“Vetë vendimi thotë se dëmshpërblimi është pjesë përbërëse e këtij vendimi përfundimtar dhe nuk gjendet askund – askush nuk e di se sa është kompensimi”, thotë Vllajiq.

Në vendimin e Qeverisë ka një tabelë me të dhëna për pronarët dhe sipërfaqen e tokës që i nënshtrohet shpronësimit, por jo edhe për dëmshpërblimin që do t’u paguhet.

Interesi publik dhe “ndërtimi i bazave të policisë”

Që nga fillimi i procesit të shpronësimit, Qeveria e Kosovës, në vendimet e saj, i është referuar “ndërtimit të objekteve infrastrukturore me interes publik”. I njëjti formulim është edhe në vendimin përfundimtar.

Gjatë muajve të kaluar, Radio Evropa e Lirë ka pyetur disa herë Qeverinë e Kosovës se për cilat projekte infrastrukturore me rëndësi publike bëhet fjalë, por nuk ka marrë përgjigje. Të njëjtën pyetje e ka përsëritur edhe më 3 qershor, por pa sukses.

Avokatët që i përfaqësojnë qytetarët në veri para gjykatave të Kosovës, kanë bërë publik informacionin se Qeveria planifikon të ndërtojë baza apo stacione policore në prona private dhe se disa të tilla tashmë janë ndërtuar, edhe pse procesi i shpronësimit nuk ka përfunduar.

Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjen e REL-it se a janë ndërtuar bazat.

Më herët, policia ka konfirmuar për REL-in se në zonën e shpronësuar në fshatin Dren, është planifikuar të ndërtohet një stacion policor.

A mund të ndërtojë Qeveria baza policore?

Ligji për shpronësimin thotë se Qeveria e Kosovës mund të kryejë shpronësime në kushte të caktuara, por se në ato raste komuna, në territorin e së cilës kryhet shpronësimi, ka të drejtë ta kontestojë në gjykatë ligjshmërinë e shpronësimit dhe/ose shumën e kompensimit.

Gjithashtu, thuhet se shpronësimi i pronës së paluajtshme mund të bëhet vetëm nëse ajo nuk është zgjedhur për qëllim të zbatimit të ndonjë objektivi diskriminues.

Avokati Florin Lata ka shpjeguar më herët për Radion Evropa e Lirë se, në bazë të këtij ligji, Qeveria e Kosovës mund të bëjë shpronësime për “qëllime legjitime publike”, që mund të jenë edhe “ndërtimi apo zgjerimi i një ndërtese apo objekti, që do të përdoret nga një autoritet publik qendror, për kryerjen e funksioneve të tij publike”.

Ai ka thënë se ndërtimi i objekteve, përkatësisht stacioneve policore, konsiderohet i domosdoshëm për kryerjen e funksionit publik të Qeverisë dhe se ajo ka të drejtë të shpronësojë prona për këtë qëllim.

Për shpronësimin e tokave në veri të Kosovës kanë reaguar më herët Bashkimi Evropian, misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – me thirrjen për Qeverinë që “ta respektojë rreptësisht ligjin”.

Bashkimi Evropian ka shprehur, po ashtu, shqetësimin për “krijimin e bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurës së shpronësimit”.

Shpronësimi në veri dhe Këshilli i Evropës

Çështja e shpronësimit është përmendur edhe në raportin e raportueses së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku cilësohet si e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe me “pasoja të gjera politike”.

Aty thuhet se me vendimet e Qeverisë së Kosovës, nuk është evidentuar interesi publik për shpronësimin e kësaj toke, siç parashihet në nenin 44 të Kushtetutës së Kosovës dhe me Planin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

“Kjo mënyrë e veprimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe cenon më tej besimin mes komunitetit serb dhe institucioneve të Kosovës. Autoritetet duhet të përmbahen nga çdo shpronësim që nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemin ligjor dhe, në të njëjtën kohë, duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për t’ua komunikuar arsyet e shpronësimit drejtpërdrejt palëve të prekura, si dhe publikut të gjerë”, thuhet në raport.

Qeveria e Kosovës ka nisur procesin e shpronësimit pas daljes së serbëve në veri nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022. Që atëherë, tensionet në këtë zonë kanë vazhduar, si për shkak të disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës, ashtu edhe për shkak të protestave të popullatës vendase.

Kryetarët serbë në veri janë zëvendësuar me kryetarë shqiptarë, pasi popullata lokale i ka bojkotuar zgjedhjet.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në institucionet tjera, siç është Policia e Kosovës, ku serbët e veriut janë zëvendësuar me pjesëtarë të komuniteteve të tjera, kryesisht shqiptarë.

Tensionet kanë kulmuar në shtator të vitit 2023, pas një sulmi të armatosur të një grupi serbësh kundër Policisë së Kosovës në veri.

Në atë sulm ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.