Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dha një përgjigje të ashpër dhe emocionale gjatë një interviste për ABC News, duke reaguar ndaj deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz, lideri amerikan e kishte minimizuar konfliktin tragjik në Ukrainë, duke e krahasuar me një përplasje mes “dy fëmijëve të vegjël që zihen”.


Zelensky, i prekur dhe i shqetësuar nga banalizimi i luftës që ka marrë mijëra jetë dhe ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në vendin e tij, u përgjigj me tone të forta “ne nuk jemi fëmijë që luajmë me Putinin në një park. Ai është një vrasës që ka ardhur në atë park për të vrarë fëmijët”.

Duke folur me vendosmëri, presidenti ukrainas theksoi se krahasime të tilla janë jo vetëm të papërshtatshme, por edhe fyese për miliona ukrainas që kanë përjetuar tmerrin e pushtimit rus, shkruan abcnews.

Ai theksoi se kjo nuk është një lojë apo një keqkuptim mes palëve, por një agresion i hapur nga një regjim autoritar që ka shkelur çdo normë ndërkombëtare.

“Kjo nuk është një grindje mes dy të barabartësh. Kjo është një luftë e tmerrshme e nisur nga një diktator dhe vrasës, i cili nuk po kursen civilët, fëmijët, spitalet, shkollat apo infrastrukturën kritike. Ukraina po lufton për mbijetesën e saj, për lirinë dhe për të drejtën për të ekzistuar”, shtoi ai.

Zelensky gjithashtu u bëri thirrje liderëve perëndimorë që të kuptojnë thellësisht natyrën e këtij konflikti dhe të mos e relativizojnë atë. Sipas tij, çdo përpjekje për të paraqitur luftën si një keqkuptim të ndërsjellë është në vetvete një gabim strategjik dhe moral, që mund të çojë në dobësimin e përkrahjes ndërkombëtare ndaj Ukrainës. /Telegrafi/