Punonjësit amerikanë hapin zjarr ndaj civilëve palestinezë në Gaza

Sipas një raportimi të gazetës The Telegraph, kontraktorë të armatosur amerikanë në njërën nga qendrat e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës, që operohet nga Fondi Humanitar i Gazës (FHG), janë filmuar duke qëlluar drejt palestinezëve përpara se të festonin.
Në një video të shpërndarë online, dëgjohen zëra në anglisht duke komentuar “më duket se e qëllova një” – ndjekur nga një tjetër që thotë “Bravo, të lumtë djalë!”.
Ngjarja ka ndodhur pranë civilëve që kërkonin ndihmë.
Sipas dëshmive të ish-punonjësve për BBC-në dhe Associated Press, punonjësit kanë përdorur municion të vërtetë, gaz lotsjellës dhe granata ndaj turmave që nuk paraqisnin kërcënim, ndërkohë që stafi i sigurisë përshkruhet si shpeshherë i pa trajnuar dhe i pandëshkueshëm.
Qendrat e ndihmës, të krijuara në hapësira të hapura larg zonave të banuara, kërkojnë që njerëzit të ecin në distanca të gjata në kushte të vështira, për të shmangur, sipas organizatorëve, kapjen e ndihmës nga Hamasi.
Pamjet filmike tregojnë qindra palestinezë që kalojnë nëpër korridore të ngushta balte nën vëzhgimin e rojeve të armatosura. Dëshmitarë kanë akuzuar edhe trupat izraelite për të shtëna vdekjeprurëse në zonë – akuza që ushtria izraelite i ka mohuar, megjithatë ka pranuar se ka përdorur të shtëna paralajmëruese.
FHG i ka mohuar të gjitha pretendimet dhe i ka cilësuar si të pavërteta, duke theksuar se nuk është qëlluar asnjë civil dhe se organizata ka shpërndarë mbi 50 milionë vakte për popullatën në nevojë. /Telegrafi/

















































