Shërbimi i autobusëve të Trafikut Urban në Prishtinë ka nisur ditën e sotme me protestë, pasi ndërmarrja nuk ka mundur të sigurojë karburant për shkak të gjendjes së rënduar financiare.

Qytetarët kanë mbetur pa transport publik, ndërsa pakënaqësitë janë zhvendosur në hapësirat e Komunës së Prishtinës, ku punëtorët tashmë kanë nisur protestën.


Dhjetëra punëtorë të Trafikut Urban janë mbledhur përballë Komunës, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe zgjidhje të problemit që ka paralizuar ndërmarrjen, raporton Telegrafi.

Ata thonë se janë lënë pa përgjigje nga menaxhmenti, ndërsa pagat, sigurimet dhe furnizimi me karburant kanë mbërritur në një pikë kritike.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Punëtorët theksojnë se situata ka degraduar deri në atë masë sa kompania nuk mund të sigurojë as minimumin e nevojshëm për të vazhduar operimin.


Ndërkohë, njoftimi i bërë publik një ditë më parë nga menaxhmenti ka paralajmëruar pikërisht këtë ndalesë totale të qarkullimit:
“Si pasojë e vështirësive financiare dhe mungesës së karburanteve, përkundër përpjekjeve tona, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025”.

Qytetarët e kryeqytetit tashmë po përballen me mungesën e transportit publik, ndërsa kërkohet reagim institucional për të shmangur një krizë të mëtejshme në shërbimet bazë të qytetit. /Telegrafi/

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi