Punëtorët e KEK-ut protestojnë në Prishtinë për rritjen e pagave dhe pagën e 13-të

Sot (12/12/2025), para zyrave qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, një numër i madh punëtorësh nga sektorë të ndryshëm të korporatës kanë zhvilluar një protestë paqësore, duke kërkuar rritjen e pagave dhe pagesën e pagës së 13-të.
Punëtorët shprehën pakënaqësinë e tyre me pankarta dhe thirrje si: “Punëtorët e rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet”, “Duam ngritjen e pagave, dhe ne duam jetën” dhe “Menaxhment respekto ligjin e punës, paguaj vikendet për punëtorët me ndërrime”, raporton Telegrafi.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK, Nexhat Llumnica, në emër të punëtorëve, theksoi se kërkesa për pagën e 13-të është e drejtë dhe se punëtorët janë themeli i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Kush më shumë se na meriton pagën e 13-të. Derisa kërkesa për rritje pagës është e kamotshme, paga nuk është rrit. …ne sot jemi këtu duke dëgjuar premtime për gjithë sektorin publik që paguhen nga taksapaguesit e Kosovës, nga ndjersa jonë, që e marrin pagën e 13 e mos t’ia japësh punëtorit të KEK pagën e 13 është më shumë se e turpshme", deklaroi ai.
Kreu i Sindikatës shtoi se ndjesa dhe përpjekjet e punëtorëve po keqpërdoren, duke bërë thirrje për respektimin e ligjit dhe të drejtave të punëtorëve.
“Derisa kërkesa për rritje pagash është e kamotshme, paga nuk është rrit. Sot e shprehim pakënaqësinë në këtë formë, por kaq të qetë nuk do të jemi herë të tjera. Kompania nuk është vetëm për menaxhmentin, por për punëtorët dhe gjithë Kosovën. Pa neve nuk ka zhvillim ekonomik”, potencoi Llumnica.
Sindikalistët paralajmëruan se nëse kërkesat nuk adresohen, mund të ndërmerren veprime të tjera sindikale.
Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente, ndërsa punëtorët kërkuan që zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet dhe menaxhmenti i KEK-ut. /Telegrafi/



















































