LAJMI I FUNDIT:

PS jep opsionin e saj për votën me postë për emigrantët

PS jep opsionin e saj për votën me postë për emigrantët

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin në lidhje me ndryshimet në Korin Zgjedhor ku do të mundësojë votën e diasporës si dhe propozon ndryshme lidhur me herësin për shpërndarjen e mandateve.

Në kërkesën e PS, firmosur nga 7 deputetët Bledar Çuçi, Damian Gjiknuri, Klodilda Bushka, Blerina Gjylameti, Toni Gogu, Klevis Xhoxhi dhe Arben Pëllumbi, thuhet se KQZ duhet të mundësojë votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2025 duke reflektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

PS kërkon votën me postë të emigrantëve, ndërsa thekson se do të jetë KQZ që mbikëqyr dhe përgatit të gjithë procesin.


“Neni 24

Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit

KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi.

KQZ–ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së brenda 60 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”,

Në kërkesë theksohet se do të ketë një listë të përbashkët të emigrantëve që duan të votojnë nga jashtë vendit dhe se ata duhet të jenë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Pas miratimit të kësaj liste, e cila nuk ndryshon më pas afatit përfundimtar që mbyllet 50 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, emigrantët shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.

“Neni 25

Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit

Zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.

Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë.

KQZ, 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit sipas këtij neni, çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit që shpallet sipas nenit 56 të këtij Kodi.

Në rastet e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme sipas nenit 9, pika 5, pika 6, pika 7 ose pika 8 të këtij Kodi, Rregullatori përcakton me akt normativ afatet kohore për listën e zgjedhësve dhe votimin e zgjedhësve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Rregullatori miraton aktet e nevojshme normative nënligjore për përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, si dhe modalitetet dhe rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste. Dokumentacioni që kërkohet për të regjistruar vendbanimin e zgjedhësve që kanë shprehur vullnetin për të votuar nga jashtë vendit është i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin “Për identifikimin e regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Komisioneri dhe Ministri përgjegjës për gjendjen civile, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcaktojnë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për  çregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në listën e zgjedhësve brenda vendit, si dhe regjistrimin e adresës së tyre ne Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.”

PS sqaron se “ndërhyrja që propozohet në Kodin Zgjedhor prek vetëm dispozitat që lidhen me vendimet e mësipërme të Gjykatës Kushtetuese dhe se të gjitha rregullat e tjera “të lojës” në fushën e zgjedhjeve mbeten të njëjta në formulime siç janë miratuar me konsensusin e gjerë të shumicës së forcave politike në vend”

Kërkesa e PS u depozitua në Kuvend pasi në grupin e dialogut nuk arritën dakordësi lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Duke qenë se si Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhur ashtu edhe Grupi i Dialogut nuk kanë mundur të përfundojnë me sukses veprimtarinë e tyre sepse nuk kanë  paraqitur asnjë projektligj në Kuvend, Grupi i Deputetëve nismëtarë ndërmerr këtë iniciativë ligjvënëse”, thekson PS

Në dokument theksohet se votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit në adresë të zgjedhësve që jetojnë jashtë. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, kur mbyllet votimi edhe ne qendrat e votimit brenda Shqipërisë. Me mbylljen e votimit ne orën 19.00 KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari.

“Neni 25/1

Votimi nga jashtë vendit dhe rezultati zgjedhor

Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit dhe dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit brenda vendit dhe vetëm kur zarfet me fletët e votimit mbërrijnë në këtë orar në adresën e KQZ-së. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari.

KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit.

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ-së. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit në momentin e mbërritjes në KQZ ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Komisionieri përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.”

Pjesë e ndryshime do të jetë edhe herësi për shpërndarjen e mandatit të deputetit, ku PS thekson se në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota. Në zgjedhjet e 2021 herësi për shpërndarjen e mandatit nuk do të ishte më shumë se 10 mijë vota.

“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti përkatës sipas nenit 162 të këtij Kodi dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota”, thuhet në kërkesë./RTSH

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori