Protestuesit hebrenj hyjnë me dhunë në ‘Trump Tower’ në New York
Një grup demonstruesish hebrenj hynë të enjten në hollin e ndërtesës ‘Trump Tower’ në New York, për të protestuar kundër arrestimit të një ish-studenti të Universitetit ‘Columbia’, i cili kishte udhëhequr protesta studentore kundër luftës së Izraelit në Gazë.
Protesta u organizua nga grupi ‘Zëri Hebre për Paqe’, anëtarët e të cilit mbanin bluza të kuqe me mbishkrimin “Hebrenjtë thonë ndaloni armatimin e Izraelit” dhe pankarta me mesazhe si “Kundërshtimi i fashizmit është një traditë hebraike” dhe “Luftoni nazistët, jo studentët”. Ata brohoritën thirrjen “Silleni Mahmudin në shtëpi tani”!
Mahmoud Khalil, banor i përhershëm në SHBA, u arrestua të shtunën pranë banesës së tij në New York dhe rrezikon dëbimin, megjithëse nuk është akuzuar për ndonjë shkelje ligjore. Ai është i martuar me një shtetase amerikane, shkruan newyorktimes.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se arrestimi i Khalilit ishte vetëm i pari nga shumë të tjerë dhe premtoi përmes mediave sociale se do të dëbonte studentët e përfshirë në, siç i quajti ai, “veprimtari pro-terroriste, antisemitike dhe anti-amerikane”.
Para dhe gjatë protestës, forca të shumta policore ndodheshin brenda dhe jashtë ndërtesës në ‘Fifth Avenue’. Pasi paralajmëruan protestuesit të largoheshin, policia nisi arrestimet.
Ndër protestuesit ishte edhe aktorja Debra Winger, e cila ka folur shpesh për trashëgiminë dhe edukimin e saj hebre. Ajo akuzoi administratën Trump se “nuk ka interes për sigurinë e hebrenjve”.
Mbështetësit e Khalilit e konsiderojnë arrestimin e tij si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe kanë organizuar protesta në New York dhe në qytete të tjera të vendit.
Të mërkurën, qindra vetë u mblodhën përballë një gjykate në Manhattan gjatë një seance gjyqësore mbi rastin e tij.
Ndërtesa ‘Trump Tower’, e cila shërben si seli për ‘Organizatën Trump’ dhe rezidencë e ish-presidentit kur ndodhet në Nju Jork, është shpesh vend protestash, por tubimet brenda saj janë më të rralla.
Khalil, 30 vjeç, po mbahet në një qendër paraburgimi për emigrantët në Luiziana.
Universiteti ‘Columbia’ ishte epiqendra e lëvizjes studentore pro-palestineze vitin e kaluar, e cila çoi në mbi 2,000 arrestime në universitete të ndryshme në SHBA.
Khalil, nip i palestinezëve të detyruar të largohen nga atdheu i tyre, përfundoi studimet për master në ‘Columbia’ në dhjetor. Avokatët e tij theksuan në një dosje gjyqësore se gruaja e tij është shtatzënë me fëmijën e tyre të parë. /Telegrafi/





























