Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, bëri të ditur se Projektligji për Buxhetin e vitit 2026 përfshin ndryshimin e nevojshëm që mundëson rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para.

“Ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë kabineti më i suksesshëm në historinë e re të Kosovës. Pritjet që qytetarët kanë nga ne janë dëshmi e standardit që kemi vendosur, e që duhet ta nderojmë dhe përmbushim çdo ditë”, tha Kurti.


Kryeministri bëri të ditur se buxheti për vitin 2026 përmban gjithashtu pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të paguhet sapo të hyjë në fuqi Ligji i Buxhetit.

“Me kuvendin e legjislaturës së 10-të të konsistuar dhe me votën e deputetëve, i japim mundësi Kuvendit që të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë Planin e Rritjes së BE-së në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore mbi 120 milionë euro”, shtoi Kurti. /Telegrafi/