LAJMI I FUNDIT:

Promovohet “Kusari” i Abdulaziz Al-Mahmudit

Promovohet “Kusari” i Abdulaziz Al-Mahmudit

Nga: Fahredin Shehu

Pakkush kishte mundur të pres nga një njeri i trajnuar në inxhinieri nga Clarkson University dhe gazetar që të krijojë beletristikë, përkatësisht roman që do të bëhet bestseller i të gjitha kohërave, i botuar nga një autor nga Katari

Abdul Aziz Al Mahmoud ka punuar edhe si redaktor përgjegjës për mediumin më të fuqishëm në Lindjen e Mesme, Al Jazeera. Pas suksesit të jashtëzakonshëm si autor i këtij romani që sot po promovohet edhe ne gjuhën shqipe, ai ka udhëhequr edhe punëtori për shkrim kreativ, më saktësisht për shkrimin e romanit.

Në intervistën e tij të dhënë për Time of Doha, intervistuar nga Jessica Davey Quantick, autori thotë: “Mendoj se është më lehtë t’i mësosh njerëzit që të bëhen dentist se sa të jenë shkrimtarë. Qëllimi im ishte që të jap udhëzim se si të flasësh për njerëzit, si të përshkruash vendet, si të kalosh nga përshkrimi në dialog, si ta tërheqësh vëmendjen, sesi të shtosh informacion në secilin kapitull me qëllim që njerëzit të jenë të tërhequr në lexim, se si ta bësh me reale etj.”

Falë përkthyesit Ejup Ramadani dhe botuesit “Buzuku”, romani “Kusari” nga Abdul Aziz Al Mahmoud, i ofrohet edhe lexuesit shqiptar si një dritare për ta parë dhe kuptuar më mirë një pjesë të gjeografisë së globit, e cila pothuaj asnjëherë nuk ishte pa ndikime të jashtme dhe pa trazira.

Ideja që të shkruhet një roman për një kusar dhe një periudhë plotë trazira në shekullit XIX, e shtyu autorin që të hulumtojë në dokumentet arkivore të Anglisë koloniale. Pas interesimit të tij për historinë dhe situatat politike në Gjirin Persik dhe gjetjen e dorëshkrimeve të vjetra dhe librit nga shekulli XIX, “Ishulli i piratëve” në bibliotekën Lincolnshire të Mbretërisë së Bashkuar, u cyt që me urgjencë të fillojë të hulumtojë historinë e Gjirit Persik dhe e tërë puna e shkrimit të romanit “Kusari” i mori plotë 11 muaj.

Në atë territor dhe atë kohë puqeshin interesat e ndryshme tregtare të Perandorisë britanike, betejat për dominim, përzërja e portugezëve, më pas edhe e holandezëve, tregtia me Indinë dhe Kinën, betejat mes fuqive lokale për dominim në Gjirin Persik dhe pirateria e ndërsjellë në veçanti pirati legjendar nga ajo zonë i njohur si Erhame ibn Xhabir, e bëjnë romanin shumë interesant.

Anglia dërgon një ushtarak me origjinë aristokratike që të shkatërrojë kusarinë dhe në të njëjtën kohë aktivizon persianet the Omanin në luftën kundër vahabizmit saudit, i cili po gllabëronte fshat më fshat duke e rritur ndikimin e vet, ndërkaq kusari legjendar Erhame Bin Xhabir kishte agjendën e vet: e luftonte kushëririn dhe e hedh pamëshirshëm Bishrin, të birin e tij në det, sepse e preu në besë të atin për shkak të një shpate tepër të çmuar nga sundimtari anglez i Indisë, e që duhej t’i dorëzohej Ibrahim Pashës si dhuratë në mënyrë që të bindej në luftën kundër vahabive.

Po ashtu, edhe sfida e të birit të Kusarit, Bishrit, për t’u martuar me Selvën dhe ndalesa për arritjen e saj, një dashuri e ndaluar nga ana e të tek lexuesi, shkakton melankoli, por njëkohësisht zbulon zakonin e Erhames, kusarit dhe vendimet e tij të prera, si në rastin se asnjëherë nuk theu marrëveshjet dhe asnjëherë nuk sulmoi anije me flamurin anglez.

Interesim dhe kërshëri të madhe te unë zgjoi kapitulli 38, i cili flet për Mehmed Ali Pashën, sundimtarin dhe themeluesin e Egjiptit modern si dhe delegimi i të birit të tij, Ibrahim Pasha, për t’i luftuar Vahabitët në territorin e Nexhdit, në Siujdhesën e Arabisë. Ibrahim Pasha kishte kalorës shqiptarë (të cilët e kishin edhe sloganin që nuk guxojnë të kthehen si humbës). Këtu autori artikulon trimërinë e shqiptareve dhe njëkohësisht si autor serioz nuk tregon anshmëri për asnjë pale, por thjeshtë e shkruan një roman i cili lexohet me lehtësi dhe me një realizëm të shquar e bindës pavarësisht se është fiksion epik, historik. Personazhet janë karaktere reale, gjë që e bën romanin më interesant për ata të cilët duan të kuptojnë pjesë nga historia faktike, për interesat e Perandorisë britanike, dhe zhvillimi rapid i ndikimit në jetën e njerëzve në Gji.

Editorët e Festivalit të Librit në Edinburg shkruajnë: “Njëra nga fuqitë e mëdha të Al-Mahmoudit si autor qëndron në aftësinë e tij që të artikulojë ndeshjen e kulturave me të njëjtën simpati për të dyja palët”.

Në roman është vështirë të veçohet një protagonist, kush hero e kush patriot, sepse mbi të gjithat dominon lufta për pushtet, nam dhe pasuri (ngritja e fuqisë vahabiste në Arabine Saudike dhe jeta e njerëzve në një shoqëri të ndarë).

Kapërcimi i lehtë dhe mjeshtëror nga narracioni në dialog duke përshkruar skena dhe detaje realiste, lexuesin e lënë të mësojë për jetën, traditën, betejat, tregtinë, dominimin, zakonet, luftën për pushtet etj.

Një roman i këtillë lehtë me një skenar të bukur mund të shndërrohet edhe në film në mënyrë që edhe vizualisht të komunikojë me audiencën.

Përgëzoj autorin dhe ne veçanti përkthyesin dhe botuesin dhe të gjithë ata që kontribuuan që ky libër të komunikoj edhe shqip.