Sot është publikuar raporti i ekspertëve të pavarur lidhur me vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit.

Sipas këtij raporti vdekja e Deahrit ka qenë e dhunshme, e menjëhershme dhe ka ardhur si pasojë e asfiksisë së dhunshme (traumatike).


Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi ka thënë se të gjeturat tregojnë dhe është përfundim logjik se kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje.

3 137

Ndërkaq prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prizren, Metush Biraj i cili është marrë me hetimet lidhur me vdekjen e Deharit, ka thënë për Telegrafin se nuk e komenton raportin e mjekëve të pavarur.

“Ne kemi dalë me qëndrim zyrtar për rastin Dehari. Tash çfarë bëjnë mjekët e pavarur nuk është çështje që unë duhet ta komentoj”, ka thënë Biraj.

Ai ka shtuar se nuk kanë se çfarë ta marrin parasysh raportin e publikuar sot, pasi që sipas tij tashmë ekziston qëndrimi zyrtar.

“Qëndrimin e mjekëve të pavarur unë nuk e komentoj”, u shpreh Biraj.

Ndërkaq në nëntor të këtij viti, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha kishte prezantuar rezultatin e raportit të autopsisë, ku thuhej se Astrit Dehari është vetëvrarë.

Astrit Dehari, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje ka ndërruar jetë me 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren./Telegrafi/