Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka bërë hapjen zyrtare të aktivitetit “Ditët e Orientimit për Maturantë”, që ka për qëllim njohjen e maturantëve për së afërmi me mundësitë e studimeve në UP.

Prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, Merita Berisha, tha se përmes këtij aktiviteti po tentojnë që të informojnë maturantët për mundësitë që i ofron UP për studime.

“Të merren informata konkrete për mundësitë e studimit në Universitetin e Prishtinës. Qëllimi i menaxhmentit të UP-së është ngritja e cilësisë në vazhdimësi. UP kultivon traditën për informimin e maturantëve dhe këtë vit kemi bërë diçka më ndryshe, ku përmes 13 njësive akademike të UP t’iu mirëpresim në hapësirat e bibliotekës me qëllim që të informohen për mundësitë e studimit”, tha ajo.

Flandra Sadiku, përfaqësuese nga Busulla – Portali zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për orientim profesional, edukim dhe këshillim në karrierë, tha se inkurajojnë maturantët që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti.

“Inkurajomë maturantët që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti që të orientohen në përzgjedhjen e fakulteteve për të vazhduar studimet”, tha ajo. /kp/