Profile dobësie

Ndërsa shumica e njerëzve e konsiderojnë rivalitetin midis Kinës dhe Amerikës si një luftë të re të ftohtë midis dy gjigantëve botërorë, e vërteta është se të dy vendet janë shumë të kufizuar. Presidentët Donald Trump dhe Xi Jinping i ndiejnë secili dobësitë e palës tjetër, që do të thotë se nuk mund t’i fshehin të vetat.
Bota e ka pritur me padurim takimin e kësaj jave midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit kinez, Xi Jinping. A mundet një takim ballë për ballë - këtë herë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Korenë e Jugut - të zgjidhë një konflikt që ka gjeneruar tituj gjithnjë e më alarmues këtë vit?
Ndërsa shumica e njerëzve e konsiderojnë rivalitetin midis Kinës dhe Amerikës si një luftë të re të ftohtë - një luftë për epërsi globale, me secilën palë që kërkon të zgjerojë ndikimin e saj financiar, tregtar dhe ushtarak në çdo cep të botës - e vërteta është se të dy vendet janë të kufizuara fort.
Është e vërtetë, retorika e udhëheqësve të tyre mbështet tezën e gazetarit të Financial Times, Martin Wolf, se po dëshmojmë një përplasje midis dy superfuqive grabitqare në një epokë të re polarizimi dhe konflikti. Xi flet rregullisht për “ndryshime të mëdha të papara në një shekull”, me të cilat ai nënkupton se Shtetet e Bashkuara po bien dhe Kina po ngrihet, ndërsa Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, i sheh kontrollet e fundit mbi eksportet e Kinës si “një shenjë se sa e dobët është ekonomia e tyre”.
Të dyja palët kanë të drejtë. Kina e di se Amerika është shumë e varur nga mineralet kritike kineze dhe metalet e rralla të tokës - nga galiumi dhe germaniumi te disprosiumi dhe samariumi. Çdo ndërprerje e furnizimit me këto materiale mund të ndalojë prodhimin amerikan të gjysmëpërçuesve të përparuar dhe teknologjive të tjera. Ndërsa kapaciteti i minierave dhe përpunimit mund të zhvillohet përfundimisht diku tjetër, përfshirë ShBA-në, kjo nuk do të ndodhë shpejt ose me çmim të ulët. Për momentin, ShBA-ja është e bllokuar në varësinë e saj, me pak zgjedhje përveçse të bëjë kompromis.
Por, Kina gjithashtu ka dobësi. Ajo ende ka nevojë për eksporte për të nxitur rritjen e ekonomisë së saj dhe kështu nuk mund të përballojë një kolaps në tregtinë botërore. Vetëm ky fakt e përgënjeshtron argumentin se jemi në një luftë të re të ftohtë: Lufta e Ftohtë origjinale nuk përfshinte pothuajse asnjë varësi ekonomike midis ShBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Ndoshta s’do t’u pëlqejë, por mbështetësit aktualë të luftës së ftohtë po shtyhen drejt një lloj armëpushimi, në rrugën drejt një lloj angazhimi afatgjatë.
Një marrëveshje e tillë sjell edhe problemet e veta, duke pasur parasysh retorikën armiqësore të të dy palëve. Gjatë dekadës së fundit, demokratët dhe republikanët amerikanë njësoj kanë filluar ta shohin Kinën si një kërcënim themelor, ndërsa autoritetet kineze kanë paraqitur një pamje të ngjashme për Amerikën. Çfarë do të mendojë publiku vendas në të dy vendet nëse udhëheqësit e tyre fillojnë të afrohen me një fuqi të supozuar armiqësore?
Refuzimi i fortë i mundshëm do të ishte shumë i ndryshëm nga fundi i Luftës së Ftohtë, kur amerikanët nuk ishin më pak të gëzuar se rusët kur panë Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev të shtrëngonin duart në samitin e tyre të vitit 1986 në Reikjavik. Për atë brez, konkurrenca ushtarake kishte filluar të dukej qesharake, por për brezin tonë, rivaliteti ende ndihet i natyrshëm dhe i pashmangshëm. Në këto rrethana, rreziqet politike të arritjes së një marrëveshjeje janë të mëdha.
Shqetësimet afatgjata të të dy fuqive janë edhe më të vështira për t’u zgjidhur. Niveli i borxhit të Amerikës, për shembull, pritet të tejkalojë atë të Greqisë dhe Italisë deri në fund të dekadës, dhe Kina përballet me vështirësi ekonomike për shkak të plakjes së shpejtë dhe rënies demografike. Duke pasur parasysh shkallën e këtyre sfidave, hegjemonët e sotëm duken si gjigantë me kokë hekuri, por me këmbë prej balte.
Të dy shohin se nuk kanë tjetër zgjedhje përveçse të guxojnë dhe të dy po shpresojnë të njëjtën gjë. Ndoshta, me investim të mjaftueshëm, IA do të zgjidhë vështirësitë e tyre përkatëse. Në fund të fundit, ata që e lavdërojnë teknologjinë premtojnë një rritje dramatike të produktivitetit. Në ShBA, kjo do të thotë rritje më e shpejtë ekonomike, duke ulur automatikisht raportin borxh/PPB. Në Kinë, IA, i kombinuar me robotikën, mund të zgjidhë problemin e mbështetjes së një popullsie të plakur në rritje (për të mos përmendur fuqizimin e regjimit aktual të mbikëqyrjes dhe kontrollit shoqëror).
Por, nuk ka asnjë garanci që investimet në IA do të japin rezultate. Të dy vendet supozojnë se përfitimet nga inteligjenca artificiale [IA] do t’i takojnë kryesisht atij që vepron i pari me sukses. Por, ky nuk është i vetmi skenar i mundshëm. Me një avantazh të konsiderueshëm në çipet e avancuara ose në pajisjet e përdorura për prodhimin e tyre, ShBA-ja mund të mbetet në krye të inovacionit në IA; ose mund të mos ndodhë kështu. Ne thjesht nuk dimë sa larg ka shkuar Kina në zhvillimin e një sistemi alternativ të IA-së.
Shfaqja e papritur e DeepSeek-ut - kur një start-up kinez publikoi një model IA-së gjenerues me performancë të lartë, i zhvilluar me një kosto shumë më të ulët se rivalët e tij amerikanë - tregon se përfitimi nga puna e të tjerëve është e lehtë. Me rritjen e një klase të mesme globale të arsimuar dhe punëtore, barrierat tradicionale për kapërcimin e zhvillimit po bien. Forcat institucionale që e bënë teknologjinë e avancuar privilegj vetëm të ekonomive të zhvilluara janë dobësuar. Është shumë e lehtë të imagjinohet që përparime dhe zbulime të mëdha të vijnë nga vende më të vogla, të cilat më pas do të kenë më shumë mundësi për t’i rezistuar presionit të superfuqive grabitqare.
Kumari mund të krijojë varësi të madhe. Trump ka vënë shumë baste të mëdha - për paqe në Lindjen e Mesme, për bombardimin e Iranit dhe në Ukrainë - dhe disa prej tyre mund të japin frytet e tyre. Më i fundit, një ndihmë prej 20 miliardë dollarësh amerikanë për Argjentinën, ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm, duke pasur parasysh se sondazhet parashikonin një poshtërim në mes të mandatit për aleatin e tij ideologjik, presidentin argjentinas Javier Milei. Por, Milei i tejkaloi parashikimet - për momentin.
Megjithatë, Trumpi duhet të tregohet i kujdesshëm. Një nga gjërat që e tërheq edhe më shumë në varësi një lojtar bixhozi është një fitore e madhe në fillim. Nëse Trump dhe Xi ndihen me fat, një takim personal mund t’i shtyjë të dy të rrisin bastet. Por nëse të dy shohin se nuk kanë tjetër zgjedhje përveçse t’i vënë të gjitha fishat e tyre te IA-ja, kjo është më shumë një shenjë dëshpërimi sesa besimi. /Project Syndicate/

















































