Karen Pierce

Për Mbretërinë e Bashkuar, investimi dhe angazhimi në vendet e Ballkanit Perëndimor është domosdoshmëri gjeostrategjike, sidomos në kushtet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë në rritje në nivel global. Në të njëjtën kohë, synimi ynë është të ndihmojmë vendet e rajonit që të përmbyllin integrimin e tyre euroatlantik dhe t’u sjellin qytetarëve një jetë më të mirë, më të qëndrueshme dhe më të begatë.


Më 22 tetor, kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të presë në Londër liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit, si pjesë e aktiviteteve të vitit kur Mbretëria e Bashkuar është kryesuese e radhës e kësaj nisme evropiane. Kryeministri, së bashku me kolegët e tij nga rajoni, nëntë partnerë evropianë dhe Bashkimin Evropian, do të avancojnë bashkëpunimin në tri fusha kyçe: migrimi dhe krimi, siguria dhe rritja ekonomike. Do të punojmë ngushtë me organizatat joqeveritare në rajon dhe institucionet financiare ndërkombëtare për të siguruar rezultate konkrete në këto shtylla.

Ne duam që viti 2025 të shënojë fillimin e një periudhe gjatë së cilës do të jetësohet potenciali i rajonit. Përvjetori i 80-të i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe përvjetori i 30-të i gjenocidit në Srebrenicë na kujtojnë plagët e rënda që popujt e këtij rajoni kanë përjetuar. Çështjet e trashëgimisë vazhdojnë të jenë të pranishme, disa prej tyre shumë të thella, siç tregon edhe kriza e tanishme në Bosnjë e Hercegovinë. Por, përvjetorë të tjerë, si 80-vjetori i themelimit të Kombeve të Bashkuara, 50-vjetori i Aktit Final të Helsinkit dhe 30-vjetori i Marrëveshjeve të Dejtonit/Parisit, na kujtojnë gjithashtu se çfarë mund të arrihet në të ardhmen përmes vizionit, tolerancës dhe pajtimit.

Si vend pritës i Procesit të Berlinit, ne do të bazohemi në historikun e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me çështjet e pajtimit, duke shqyrtuar se çfarë nënkuptojnë në praktikë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe lidhjet ndërmjet komuniteteve, si dhe duke ndarë përvojën tonë të identitetit shumëdimensional me miqtë dhe partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu do të promovojmë mundësitë për rritje ekonomike që e forcojnë integrimin euroatlantik, duke pasur parasysh dëshirën e madhe të qytetarëve të rajonit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe, në shumë raste, edhe e NATO-s. Do të zgjerojmë bashkëpunimin me përfaqësues të shoqërisë civile, të rinjtë, dhe grupet për barazi gjinore, dhe do të kremtojmë kulturën dhe industritë kreative të vendeve të rajonit. Do të inkurajojmë pjesëmarrësit të identifikojnë fusha për bashkëpunim dhe novacion mes tyre, duke gjetur mënyra konkrete për të vënë në zbatim zotimet e viteve të kaluara. Për shembull, për arsye të ndryshme, progresi për letërnjoftimet dhe njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë ka ngecur. Do të kërkojmë mënyra kreative për të arritur njohjen e ndërsjellë dhe për të lehtësuar lëvizjen në të gjithë rajonin. Do të mbështesim implementimin e shpejtë të dy marrëveshjeve për njohjen e kualifikimeve profesionale, si dhe ratifikimin e marrëveshjes për qasje në arsimin e lartë dhe pranimin për studime. Këto do të sjellin ndryshime të prekshme për banorët në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mbretëria e Bashkuar po rigjallëron rolin e saj në Evropë dhe pjesë jetike në këtë drejtim luan forcimi i partneriteteve tona në Ballkanin Perëndimor. Vizita e parë ndonjëherë e një kryeministri britanik në Shqipëri dhe vizitat e sekretarit të Jashtëm, David Lammy, në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, janë tregues i qartë i qasjes sonë të re. Mbretëria e Bashkuar ka luajtur prej kohësh rol të rëndësishëm në rajon dhe do të vazhdojë të jetë e angazhuar, duke mbështetur stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien, ndërkohë që ndihmon vendet në modernizimin e ekonomive të tyre dhe në marrjen e vendit të merituar në një Evropën moderne. Jemi të gatshëm të forcojmë këto partneritete për të ndihmuar në përfundimin e kësaj pune të rëndësishme.

(Autorja është e dërguara e posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor)