LAJMI I FUNDIT:

​A pritet të përfundojë këtë vit gjykimi i madh në Hagë?

​A pritet të përfundojë këtë vit gjykimi i madh në Hagë?

Fundi i këtij viti ose fillimi i 2026-ës mund të shënojë përfundimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon për krime të pretenduara të luftës, vlerësojnë njohës të drejtësisë.

Por sipas tyre, është vështirë të jepet një afat kohor se kur mund ta marrë vendimin trupi gjykues, pasi thonë se kjo varet nga sasia e materialit provues.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë – qyteti holandez ku Gjykata Speciale e ka selinë – që prej nëntorit të vitit 2020, raporton KosovaPress.


Ndërkaq, gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. E deri në prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar pritet të përfundojë dëgjimin e dëshmitarëve që i ka propozuar.

Numri i dëshmitarëve të prokurorisë në atë që njihet si gjykimi i madh, ka mbërritur në 123, raporton KosovaPress.

Avokati i akredituar në Speciale, Artan Çerkini thotë për KosovaPress se pas përfundimit të fazës së dëgjimit të dëshmitarëve të ZPS-së, avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së mund të kërkojnë hedhjen e plotë apo të pjesshme të akuzave.

Bazuar në këtë, ai beson se para muajit shtator, mbrojtja nuk do të mund të fillojë me dëgjimin e dëshmitarëve të saj.

“Rasti i Prokurorisë mund të përfundojë me datën 4 prill, pastaj mbrojtja e ka një mundësi sipas rregullores së procedurës dhe provave që të kërkojë që të hedhen poshtë të gjitha akuzat, apo të hedhen poshtë pjesërisht akuzat. Kjo do të thotë se nëse mbrojtja e vlerëson se Prokuroria përmes provave të prezantuara nuk e ka arritur standardin e provimit të fakteve përtej dyshimit të arsyeshëm, mbrojtja ka të drejtë që në këtë fazë të kërkojë nga gjykata që ta hedhen poshtë akuzat. Ky është opsion i mbrojtjes. Nëse këtë e kërkon, natyrisht se kjo do të marrë kohë që gjykata të vendos. Në të kundërtën, mbrojtja ka mundësi që të propozojë prova përmes të cilave synon t’i rrëzojë provat e paraqitura nga Prokuroria, edhe ky është opsion i mbrojtjes nuk është obligim…Kohëzgjatja e përgjithshme e procedurës gjyqësore do të varet edhe nga fakti nëse mbrojtja ka prova, sa ka mbrojtja prova, dhe në fund në bazë të procedurës edhe mbrojtja ka të drejtë që të administrojë prova”, shprehet ai për KosovaPress.

Sipas avokatit, procesi gjyqësor – përfshirë edhe fjalën përfundimtare nga palët – në rastin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, mund të përfundojë brenda këtij viti.

Por, sipas tij, fundi i vitit 2025 nuk pritet të jetë edhe koha kur trupi gjykues do ta ketë vendimin përfundimtar për këtë rast.

“Një prognozë optimiste është që rasti të përfundojë duke përfshirë edhe fjalën përfundimtare brenda këtij viti, ndërsa sa kohë do t’i duhen gjykatës që të marrë vendim ajo varet edhe nga sasia e materialit provues që ka qenë në dispozicion në këtë çështje penale dhe ajo është vështirë të prognozohet në këtë fazë. Por, besoj që rasti si rast, duke përfshirë edhe fjalët përfundimtare të palëve do të përfundojë brenda këtij viti”, deklaron Artan Çerkini për KosovaPress.

Edhe monitoruesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi thekson për KosovaPress, se vjeshta mund të jetë si një afat kohor kur mund të përfundojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Por, siç shprehet ajo, në rast të një vendimi, palët mund të bëjnë ankesa edhe në shkallë tjera gjyqësore.

“Pas paraqitjes së provave të Prokurorisë, mbrojtësi i viktimave ka treguar se do të thërrasë dy deri katër dëshmitarë, që dy prej tyre mendohet se do të jenë ekspertë, kështu që pas fazës së paraqitjes së provave të Prokurorisë është paraqitja e provave nga ana e mbrojtësit të viktimave. Më pas do të fillohet me mocionet si nga ana e mbrojtjes, si nga ana e Prokurorisë, gjë që vije puna deri tek paraqitja e dëshmitarëve nga ana e mbrojtjes dhe ata kanë treguar se do të thërrasin disa dëshmitarë….Nuk mendohet se çështja të kryhet deri në shtator, tetor, të këtij viti. Çështja nuk do të perfundojë këtu për shkak se në rast të një vendimi palët mund të bëjnë ankesa edhe në shkallët e tjera të gjykatës, kështu që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të vazhdojë tutje”, thekson Blendina Veliqi.

Një pjesë e madhe e këtij procesi gjyqësor ka kaluar në seanca të mbyllura për publikun dhe me dëshmitarë të mbrojtur, raporton KosovaPress. Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me një proces të tejzgjatur gjyqësor.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat./kp/