Kryeqyteti i Kosovës po shfaqet si një nga qendrat më dinamike të zhvillimit turistik në vend, falë rritjes së aktiviteteve kulturore, koncerteve, festivaleve dhe eventeve ndërkombëtare.

Kështu u shpreh Baki Hoti nga Unioni i Turizmit të Kosovës në “Përballje Podcast”, duke theksuar se ky model tashmë është duke u ndjekur edhe nga komuna të tjera të vendit. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.




“Ne po e shohim Prishtinën që ka shtuar numrin e aktiviteteve dhe festivaleve të ndryshme dhe ka arritur të rritë numrin e turistëve. Dhe kjo është diçka shumë pozitive,” tha Hoti. Sipas tij, ky trend po përhapet gradualisht edhe në qytete të tjera.

“Kështu kanë filluar të bëjnë edhe disa komuna tjera,” shtoi ai.

Rritja e aktiviteteve, sipas Hotit, nuk ndikon vetëm në numrin e vizitorëve, por edhe në kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre: “Dhe kjo, përpos që e rrit numrin e turistëve, e rrit edhe numrin e netëqëndrimeve,” u shpreh ai.

Hoti bëri të ditur se ndikimi ekonomik i secilit vizitor është i qartë dhe i matshëm: “Një vizitor në Kosovë mesatarisht shpenzon njëqind e pesëdhjetë euro brenda njëzet e katër orëve.”

Ai detajoi se këto shpenzime përfshijnë akomodimin, ushqimin, transportin dhe blerjet: “Pra, akomodimin, fjetjen, taksin, ushqimin, ndoshta edhe shoppingun… mesatarisht shkon njëqind e pesëdhjetë euro,” tha Hoti.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse Kosova duhet të synojë rritjen e netëqëndrimeve, pasi çdo ditë shtesë e kaluar në vend ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin lokal: “Sa më shumë që ne kemi turistë, sa më shumë netëqëndrime që ka në Kosovë, llogaritet me nga njëqind e pesëdhjetë euro që ai lë mjete buxhetore në Kosovë. Dhe këtë duhet ta synojmë”.

- YouTube youtu.be