LAJMI I FUNDIT:

Pranvera e coronavirusit

Pranvera e coronavirusit

Po e përjetojmë hovin e luftës mbarëbotërore për t’ia dalë mbanë përhapjes së coronavirusit të ri (SARS-CoV-2) dhe sëmundjes të cilën e shkakton ai, e cila është emërtuar COVID-19

Ass. Dr. Blerim Myftiu,
neurolog

Forma më e re e virusit nga grupi i quajtur coronaviridae, e lindur në Wuhan, e përhapur gjerësisht në Itali, tani në Spanjë e shtetet e tjera perëndimore, ka trokitur me të madhe në derën e SHBA-së e cila duket se do të jetë shteti me numrin më të madh të të sëmurëve dhe të të vdekurve nga kjo pandemi.


Kosova, pashmangshëm, u prek dhe masat që po ndërmerren edhe në shtetin tonë nuk dallojnë nga pjesa tjetër e botës dhe situata ende, në fund të muajit mars, duket të jetë në kontroll sa i përket shëndetit publik.

Edhe pse presidenti Trump dhe ndonjë bashkëmendimtar i tij dalin dhe deklarojnë se ky apo ai bar është efektiv në trajtimin e infeksionit, si edhe paraqiten qindra apo mijëra artikuj, të verifikuar apo të paverifikuar për dobinë e këtij apo atij bari, një gjë është e sigurt shkencërisht. Bar kundër coronavirusit nuk ka!

Të gjithë njohësit e fushës e dinë se klorokina (bari për trajtimin e malaries) dhe azitromicina (antibiotik për trajtimin e infeksioneve bakterore) kanë nevojë për testim shkencor dhe klinik, që zakonisht është afatgjatë, për të ardhur në përfundimin nëse do të ketë dobi apo jo.

Këto dy barna dhe të tjerat që përdoren aktualisht për trajtimin e sëmundjeve të tjera do të kenë një përparësi nëse një ditë aprovohen për përdorim në sëmundjen COVID-19 – do të dihet profili i tyre i efekteve anësore – gjë që do ta shkurtojë kohën për zbatimin e tyre praktik. Kurse, laikët dhe ata që janë të prirë të besojnë në rekomandimet e ndonjë presidenti apo pseudoshkencëtari përfundojnë me depozitimin e këtyre barnave në shtëpitë e tyre, në mos përfundojnë me vdekje siç është rasti i amerikanit të joshur nga presidenti i tij.

Izolimi është e vetmja armë që kemi në dorë

Në mungesë edhe të vaksinës e cila nëse gjithçka shkon në rregull nuk pritet të dalë në treg para pranverës së vitit të ardhshëm, mundësia e vetme për ta parandaluar përhapjen e infeksionit, për ta parandaluar ngarkimin e papërballueshëm të sistemit shëndetësor dhe për ta “rrafshuar lakoren” e famshme të infeksionit, është distancimi social.

Gjërat që nuk preken me dorë janë vështirë të besueshme, mirëpo logjika njerëzore që duhet të besojë në atë konstanten e cila nuk ndryshon kurrë – numrat dhe matematikën – duhet ta ketë të qartë se kjo momentalisht është e vërteta absolute dhe nuk ka tjetër.

Faqet e besueshme të informimit, llogaritë kuptimplota të rrjeteve sociale dhe mbi të gjitha, revistat me renome shkencore si Lancet, JAMA apo New England Journal of Medicine gëlojnë nga modelimet statistikore të ekspertëve të fushës të cilët vënë në pah se çfarë roli ka pakësimi i numrit të kontakteve ditore, mbyllja e shkollave dhe e institucioneve publike, si edhe bartja e vendeve të punës në mjedisin shtëpiak në parandalimin e përhapjes së infeksionit. Kështu që kombinimi i të gjitha këtyre masave rezulton (në varësi të aftësisë së një personi për ta infektuar tjetrin) në pakësimin prej 78-98% të shpërndarjes së sëmundjes.

Izolimi i njerëzve dhe detyrimi i tyre për të qëndruar në shtëpi u dëshmua të jetë një veprim i vështirë për shumicën e shteteve.

Ekziston si duket një korrelacion i kundërt në atë se sa më liberal dhe demokratik të jetë një vend, se sa më shumë është e mësuar popullata që ta huajësojë çfarëdo ndërhyrje të shtetit në kufizimin e lëvizjes dhe të veprimeve të individit, aq më e vështirë është bindja e popullit që të kuptojë se nuk mund të dalë kur të dojë në rrugë apo se nuk mund të vrapojë përditë a ta nxjerrë qenin për shëtitje. Tingëllojnë në këtë drejtim qesharake, por në thelb janë dëshpëruese, britmat dhe qortimet e kryekomunarëve italianë të cilët u luten bashkëqytetarëve të tyre t’i ndjekin udhëzimet e vetizolimit.

Vështirë të besohet në diçka kur nuk preket me dorë, apo jo? Raportimi se për një ditë po vdesin 700-800 vetë, se po vdesin të rinj pa probleme shëndetësore dhe se mjekët po përballen me vendimin kë ta fusin në respirator dhe bëjnë llogaritje matematikore me jetët e njerëzve se kush ka më tepër gjasë të jetojë, prandaj e meriton respiratorin – ndikuan në ngritjen e vetëdijes së italianëve që të jenë më të striktë në zbatimin e rregullave.

Këtyre porosive spanjollët nuk ua vunë veshin dhe e kuptuan vonë, të cilave porosi britanikët dhe kryeministri i tyre provuan t’u rezistojnë por u detyruan t’i mbyllin pubet dhe shkollat, të cilave porosi presidenti Trump po u reziston, por ndërkohë shteti i tij (si në shumëçka tjetër) u bë lider për nga numri i të infektuarve!

Si ia dolën Kina dhe Koreja Jugore?

E vërteta e Kinës duket se është diku në mes të izolimit rigid, të imponuar ushtarakisht, të vatrës së infeksionit, izolim i cili e mbushi muajin e dytë dhe pritet që me 8 prill të largohet, dhe mosraportimit korrekt të rasteve dhe të përhapjes së infeksionit i cili si me çfarëdo tjetër në Kinë mbetet në fushën e konspiracionit. Por, shembulli i Koresë Jugore është ilustrativ dhe këtu përveç izolimit të hershëm paraqitet edhe variabëli i dytë i suksesit të luftës ndaj pandemisë, por i cili pashmangshëm ndërlidhet me aspektin ekonomik – testimi i hershëm dhe masiv.

Koreja Jugore po prodhon 100 mijë teste për SARS-Cov-2 në ditë dhe momentalisht po eksporton. Ka testuar më së shumti njerëz në botë. Duke hapur vende të veçanta për testim, e ka pakësuar ekspozimin e personelit shëndetësor ndaj infeksionit.

Kur testoni më tepër, keni më shumë njohuri për numrin e të infektuarve, keni mundësi më të hershme të izolimit të tyre dhe keni mundësi më të mirë të përcjelljes së tyre nëse këta persona janë në izolim shtëpiak.

Autoritetet jugkoreane, gjatë epidemisë së kaluar me SARS dhe MERS, i kanë përcjellë të infektuarit përmes kamerave të sigurisë publike, transaksioneve të tyre bankare dhe pajisjeve GPS të instaluara në celularët dhe automjetet e individëve të infektuar. Prandaj, izolimi nuk ka mbetur në vullnetin e individit, por ka qenë rreptësisht i përcjellë nga frytet e teknologjisë së sotme. “Ku mbetën liritë e qytetarit apo privatësia e jetës?”, e dëgjoj pyetjen. Por edhe konstatimin se “shëndeti publik është mbi të gjitha dhe e arsyeton çdo masë të ndërmarrë nga qeveria për rikthimin e mirëqenies njerëzore”.

Testimi në masë është i kushtueshëm. Prandaj, autoritetet kosovare me të drejtë po i gjurmojnë kontaktet e të infektuarve dhe po e bëjnë testimin e targetuar të atyre që mund të jenë pozitivë, kurse të dyshuarve të tjerë po u këshillohet vetizolimi. Në këtë drejtim është e kuptueshme thirrja e të izoluarve në Qendrën e Studentëve që ankohen për kushte (problem në vete) dhe kërkojnë testim të shpejtë, por ky testim i shpejtë në fund po ndërlidhet me mundësitë buxhetore dhe ekonomike të një vendi.

Pashmangshëm në problemin shëndetësor po ndërlidhet edhe ai ekonomik, edhe pyetjet sa do të zgjasë izolimi/karantina, cila është strategjia dalëse apo nëse do ta gëzojmë diellin e majit. Utopike për momentin. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori