Artisti i famshëm italian, Mahmood, ka performuar mbrëmë (e premte) në natën e dytë të festivalit “Sunny Hill”.
Përpara koncertit, ai mbajti një konferencë për media ku është shprehur i lumtur se do të jetë i pranishëm në një festival kaq prestigjioz.
Ai theksoi se me paraqitjen në “Sunny Hill” synon që ta rrisë muzikën e tij në tregun ndërkombëtar.
I njëjti ka shpërndarë disa fotografi pas performancës së djeshme, e një edhe me artisten Dua Lipa.
Ylli botëror mori vëmendje me veshjen që përzgjodhi, trikon transparente të zezë duke vënë kështu në pah fizikun e formësuar.
“Si një ëndërr. Faleminderit Sunny Hill, Dua Lipa, Dukagjin Lipa”, ka shkruar ai.
Performanca e Mahmood u prit jashtëzakonisht mirë edhe nga publiku shqiptar, të cilin e kanë brohoritur gjatë gjithë kohës.
Sonte (e shtunë) vazhdon nata e tretë e “Sunny Hill” me po ashtu artistë të mëdhenj. /Telegrafi/