Site icon Telegrafi

Portret i simbolit të rebelimit në Iran: Mos mendoni se jam harruar!

Nga: Matt Schudel

Marjan, një këngëtare dhe aktore e njohur në Iranin para-revolucionar e cila, pas burgosjes nga autoritetet islamike të vendit në vitet 1980, ia fali zërin kauzës së lirisë politike në atdheun e saj, vdiq më 5 qershor në një spital në Los Angeles, në moshën 71-vjeçare.

Shkaku i vdekjes ishte komplikimi nga një operacion, siç thuhet në një deklaratë të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Marjan (emër arti për Shahla Safi Zamirin) ka aktruar në mbi 30 filma në gjuhën farsi në vitet 1960 dhe 1970 dhe ishte një nga artistet më të mirënjohura të Iranit përpara përmbysjes së shahut të mbështetur nga Perëndimi, më 1979. Ajo ka kënduar gjithashtu këngë shumë të dashura për iranianët, këngë që shpesh evokonin ndjenja nostalgjike.

Kur udhëheqësit islamikë të quajtur mullahë morën pushtetin në Iran, bërja e filmave u ndalua përkohësisht dhe grave iu ndalua të këndonin në publik. Marjana iu bashkua një lëvizjeje opozitare për të luftuar kundër këtyre kufizimeve të sapovendosura dhe u arrestua për herë të parë më 1980 se pse kishte kënduar një këngë që përkthehet si “Atdheu”: “Atdheu im, shtëpia ime, nuk kam vend tjetër veçse këtu, nuk kam të ardhme pa ty.” Ajo u arrestua sërish në vitin 1982 për lidhjet e saj me disidentë politikë dhe kaloi dy vite në burg, duke përfshirë gati nëntë muaj në izolim. Në burg e mbajtën mes grave të tjera dhe më vonë ajo ka theksuar gjendjen e vështirë të grave të burgosura e artisteve në Iran.

Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e NCRI-së, ka thënë në një deklaratë se Marjana ishte e spikatur mes grave që janë ngritur dhe kanë luftuar kundër regjimit dhe që  janë përfaqësuese të vërteta të vuajtjes së grave iraniane dhe dëshirës së tyre të fuqishme për çlirim. Ajo u largua nga Irani në vitin 2001 dhe shkoi në Dubai.

“Atje shkova në Ambasadën amerikane dhe u prezantova,” pati thënë në një intervistë për Al Arabiya TV më 2015. “Ata mësuan se isha aktore dhe këngëtare e famshme dhe pranuan të më jepnin azil.”

Ajo u vendos në Los Angjelos  së bashku me të shoqin.

Zëri i Marjanë nuk u dëgjua më në publik deri ë 2005, kur këndoi në Uashington përpara një grupimi të iranianëve të mërguar. Njëra nga këngët në farsi që ajo performoi atë natë shërbeu si thirrje për rezistencë ndaj regjimit klerikal të Iranit: “Degët e mia të reja janë plagosur nga sëpata. Por çfarë do të bëni me rrënjët? Çfarë do të bëni?”

Në një strofë tjetër, ajo thotë që zogjve mund t’u jetë ndaluar të fluturojnë, “por çfarë do të bëni me zogjtë e vegjël në fole?”

Gjatë viteve në vijim, Marjana regjistroi dhe ndihmoi në krijimin e dhjetëra himneve të fuqishme me mesazhe të qarta politike, duke përfshirë “Koha për përmbysje”, “Do të ndërtojmë një komb” dhe “Duhet dhe mundemi.”

Ajo rrallë herë ka dhënë koncerte komerciale, pasi ka parapëlqyer të shfaqej në tubime të NCRI-së dhe grupeve të tjera disidente në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri, ku banon një komunitet i madh mërgimtarësh iranianë.

Ajo ka performuar në tubimet e përvitshme në Paris përpara turmave që shkonin deri në 100 mijë veta. Në qershor 2018, një tentativë e sponsorizuar nga shteti iranian për të shpërthyer bomba në tubim u parandalua nga autoritetet franceze, gjermane dhe belge të zbatimit të ligjit.

Ndonëse e ndaluar zyrtarisht në Iran, muzika e Marjanës e ka gjetur rrugën drejt një brezi të ri të irrituar nga sundimi represiv i mullahëve.

“Këngët dhe përkushtimi i saj ndaj lirisë dhe popullit të Iranit,” tha Rajavi e NCRI-së në një ceremoni në Shqipëri, “janë frymëzuese për të rinjtë e Iranit dhe veçanërisht për gratë e reja e të rebeluara.”

Shahla Safi Zamir lindi më 14 korrik 1948 në një familje të pasur në Shiraz të Iranit. Ishte folëse në radio para se të shfaqej në filmin e parë të saj në 1969-ën, “Një botë plot shpresë,” në krah të Mohammad Ali Fardinit, një nga aktorët më të mirënjohur të Iranit.

Marjana aktroi në shumë filma në vitet 1970, shpesh në role disi pikante. Ajo ofroi një performancë veçanërisht dramatike në filmin “Duke u prehur në erë” (1978), me regjisor bashkëshortin e saj, Fereydoun Jourak. Ky ishte filmi i saj i fundit para Revolucionit Iranian.

Martesa e saj e parë, me aktorin e radios Mehdi Ali-Mohammadi, përfundoi në divorc. Ajo ka lënë pas Jourakun, në Los Angjelos, një vajzë nga martesa e parë dhe disa nipër e mbesa.

Kur u rishfaq në publik gjatë koncertit të 2005-ës në Uashington, Marjan e lidhi figurativisht rikthimin e saj në skenë me fatin e disidencës iraniane, duke kënduar: “Mos mendoni se jam harruar. Jam gdhendur në histori dhe kujtime. Jam kaq e bashkuar me popullin tim saqë mund të mendoni që jam zëri i tij. Zëri i tij. Zëri i tij.” /Burimi: Washington Post/Në shqip: GSh/

 

 

Exit mobile version