I porsakthyer nga lëndimi, Pogba rrezikon të mungojë sërish për disa javë

Paul Pogba mungoi në fitoren e Juventusit ndaj Sampdorias për shkak të lëndimit dhe tash ekziston frika për mungesë afatgjate për disa javë.
Rikthimi i 29-vjeçarit në Torino nuk ka shkuar aspak sipas planit, pasi ka munguar në 34 nga 37 ndeshjet e zhvilluara të Bianconerëve në të gjitha garat këtë sezon.
Një lëndim serioz i gjurit dhe ndërhyrja rezultuese kirurgjike bënë që francezi të mos luante në gjashtë muajt e kaluar dhe durimi ka nisur të venitet te Zonja e Vjetër.
Sjellja e mesfushorit jashtë fushe i ka hidhëruar akoma më shumë tifozët e Juves, pasi ai kishte skijuar gjatë pushimit dimëror, ashtu që mbështetësit e klubit besojnë se lojtari nuk po i merr gjërat seriozisht.
Mungesa e Pogbas ndaj Sampdorias – sipas La Gazzetta dello Sport – ishte për shkak të një problemi muskulor dhe tash ekziston frika për një tendosje të muskulit aduktor, gjë që do ta linte jashtë fushe për afro një muaj.




















































