Poliklinikës Specialistike në Podujevë i shtohen 15 shërbime specialistike

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se nga dita e nesërme qytetarëve të komunës do t’u ofrohen 15 shërbime shëndetësore të reja në Poliklinikën Specialistike. Ky lajm vjen pas përurimit të Repartit të Hemodializës në këtë poliklinikë.
Nga dita e martë, në Poliklinikë do të fillojnë punën 15 mjekë specialistë në fushat e mëposhtme: gjinekologji, reumatologji, kardiologji, endokrinologji, hematologji, gastroenterologji, nefrologji, pulmologji, ortopedi, kirurgji abdominale, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare, kirurgji, urologji, pediatri dhe neurologji, transmeton Telegrafi.
Shërbimet do të ofrohen çdo ditë pune (nga e hëna në të premten) në katër ambulanca specialistike, prej orës 08:00 deri në 14:00. Programi i ditëve për secilën specializim është si më poshtë:
- E hënë: kardiologji, hematologji, pulmologji dhe ortopedi
- E martë: reumatologji, gastroenterologji, kirurgji abdominale dhe pediatri
- E mërkurë: endokrinologji, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare dhe neurologji
- E enjte: kardiologji, nefrologji, urologji dhe pediatri
- E premte: gjinekologji, endokrinologji, ortopedi dhe neurologji
Kryetari Bulliqi falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar për ndihmën dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti që synon rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Podujevës. /Telegrafi/


















































