Policia jep detajet e aksidentit me fatalitet në Babimost të Obiliqit

Policia e Kosovës ka konfirmuar se mbrëmë rreth orës 22:00, në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, saktësisht në fshatin Babimost të Obiliqit ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë një person ka vdekur.
Në këtë aksident ka qenë e përfshirë vetura Renault Clio, e cila për shkaqe aktualisht të panjohura ka humbur kontrollin dhe ka goditur mbrojtësen e rrugës.
Si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda kanë pësuar dy persona , njëri prej të cilëve nuk ka arritur të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë.
Trupi i pajetë i viktimës E.B, 34 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, me urdhër të Prokurorit të shtetit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ndërsa i lënduari B.I, 25 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, po trajtohet në QKUK.
Aktualisht hetuesit e trafikut rajonal po punojnë për të ndriçuar të gjitha rrethanat që kanë sjellë deri te ky aksident trafiku. /Telegrafi/





















































