Policia e Los Angelesit vazhdon të merret me raportimet për grabitje dhe zjarrvënie ndërsa u arrestuan nëntë persona për grabitje dhe një person për vënie të qëllimshme të zjarrit në një park lokal.
Departamenti amerikan i policisë publikoi pamje ku tregohet një grabitje brenda një shtëpie dhe arrestimi i një të dyshuari për zjarrvënie.
Ata paralajmëruan se çdo person i shpallur fajtor do të përballet me dënime maksimale. Prokurori i Qarkut të Los Angelesit, Nathan Hochman, shpalli akuzat kundër 10 personave për katër krime të kryera gjatë zjarreve shkatërruese në pyje.
Nëntë persona përballen me akuza për vepra penale lidhur me vjedhje në ndërtesa banimi në qytetet Pacific Palisades dhe Altadena, ndërsa një person është akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme në qytetin Azusa.
“Këto krime janë të tmerrshme dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj komunitetit tonë në një kohë humbjesh dhe cenuesmërie të pashembullt”, tha prokurori Hochman.
Në lidhje me të akuzuarit për grabitje, disa prej tyre dyshohen për kryerjen e grabitjeve gjatë një gjendjeje të jashtëzakonshme ose evakuimi, ndërsa disa të tjerë ishin në provë kur kryen këto krime.
Jose Gerardo Escobar është akuzuar për zjarrvënie në një park lokal dhe është mbajtur në paraburgim.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me nëntë vjet burgim shtetëror. Ai akuzohet se më 10 janar tentoi të digjte një pemë të madhe të rrëzuar në tokë në Pioneer Park. /Telegrafi/