Site icon Telegrafi

Policia e Kapitolit kërkon zgjatjen e qëndrimit të trupave të Gardës Kombëtare në Uashington

Policia e Kapitolit, e shqetësuar nga kërcënimet për një sulm tjetër mbi Kapitolin, po kërkon nga Departamenti i Mbrojtjes të lërë rreth 5,000 trupa të Gardës Kombëtare të dislokuara në Kapitol për 60 ditë të tjera për të ruajtur sigurinë deri në mes të majit.

Zyrtarët e mbrojtjes i thanë Zërit të Amerikës se kërkesa e tyre është duke u shqyrtuar.

Trupat e Gardës Kombëtare fillimisht ishin planifikuar të largoheshin nga zona e Kapitolit më 12 mars.

Kërkesa për të mbajtur trupat te Kapitoli erdhi ndërsa autoritetet thanë se ata po merrnin seriozisht informacionet e agjencive të zbulimit në lidhje me një komplot të mundshëm nga një grup i armatosur e ekstremit të djathtë për të sulmuar Kapitolin të enjten megjithëse nuk pati asnjë incident.

Rritja e masave të sigurisë

Në një njoftim të lëshuar të martën nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Byroja Federale e Hetimit thuhej se në muajin shkurt një grup i paidentifikuar i “ekstremistëve të dhunshëm” kanë diskutuar plane për “të marrë kontrollin e Kapitolit dhe për të hequr ligjvënësit demokratë në datën 4 mars, ose rreth asaj date”.

4 Marsi është dita kur ithtarët e teorisë së konspiracionit QAnon besojnë se ish Presidenti Donald Trump, i cili u mund nga Presidenti Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, do të betohej për një mandat të dytë në detyrë.

Deri në vitin 1933, data e përurimit të presidentëve ishte 4 marsi.

Gjatë ditës së enjte, nuk pati shenja protestuesish përgjatë gardhit prej çeliku që rrethon Kapitolin që prej trazirave të 6 janarit nga mbështetësit e ish-Presidentit Trump.

Brenda gardhit, mund të shiheshin dhjetra trupa të armatosura të Gardës Kombëtare.

Sheshi Freedom Plaza, një pikë tubimi për protestat e mëparshme të elementëve të krahut të djathtë, përballë zyrës së kryetares së bashkisë së Uashingtonit, ishte e zbrazët.

Edhe trafiku në qendër të qytetit ishte i pakët dhe shiheshin pak kalimtarë.

Policia e Kapitolit i ka kërkuar Pentagonit ta zgjasë misionin e Gardës Kombëtare për mbrojtjen e Kapitolit edhe për dy muaj të tjerë, tha një zyrtar i mbrojtjes për agjencinë Reuters të enjten.

Aktualisht rreth Kapitolit ka 5200 trupa të Gardës Kombëtare dhe misioni i tyre ishte planifikuar të përfundonte më 12 mars.

Paralajmërimet e zbulimit

Departamenti policor i Kapitolit tha se po i merrte seriozisht paralajmërimet e shërbimeve të zbulimit për një sulm të mundshëm ndaj Kapitolit.

“Kemi bërë tashmë përmirësime të shumta në masat e sigurisë, përfshirë vendosjen e një barriere fizike dhe shtimin e kontigjentit që mbron Kongresin, publikun dhe policët”, tha departamenti përmes një deklarate. “Departamenti ynë po punon me partnerë lokalë, shtetërorë dhe federalë për të ndalur kërcënimet ndaj Kapitolit”.

Selia e Kongresit është mbrojtur gjatë javëve të fundit me ndihmën e Gardës Kombëtare dhe është rrethuar nga një perimetër i ri sigurie, që pas sulmit të 6 janarit nga përkrahës të ish-Presidentit Donald Trump, kur anëtarët e Kongresit po certifikonin fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.

Këtë javë FBI-ja dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare paralajmëruan forcat lokale të rendit se një grup ekstremist kishte bërë thirrje për grumbullim në Uashington në përpjekje për të marrë nën kontroll Kongresin.

Këto kërcënime bënë që Dhoma e Përfaqësuesve të anulonte seancat e së enjtes, ndërkohë që Senati nuk ka bërë ndryshime në axhendë.

Ligjvënësit kanë zhvilluar një numër seancash ku kanë dëgjuar nga zyrtarë dëshmi mbi ngjarjet e 6 janarit.

Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj më shumë se 300 vetëve për pjesëmarrjen në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit ku gjetën vdekjen pesë vetë, ndër ta edhe një polic i forcës mbrojtëse të Kongresit. /VOA/

Exit mobile version