Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik, ka shqiptuar 1,288 gjoba për shkelje të ndryshme gjatë kësaj jave.
Po ashtu, Policia ka trajtuar gjithsej 24 aksidente trafiku, prej të cilave 9 me dëme materiale dhe 15 me persona të lënduar. Si pjesë e masave parandaluese, janë shqiptuar ndalime për drejtimin e mjeteve motorike për 23 shoferë.
Policia e Gjilanit ka përsëritur apelin për shoferët që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit, duke theksuar se kjo ndikon drejtpërdrejt në sigurinë rrugore dhe zvogëlon mundësinë e reagimit në situata të rrezikshme.
“Në përputhje me Ligjin për Rregullat në Trafikun Rrugor, kujtojmë të gjithë shoferët se gjatë drejtimit të automjetit ndalohet mbajtja e telefonit në dorë dhe përdorimi i pajisjeve të tjera që mund të ndikojnë në sigurinë dhe reagimin e tyre,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /Telegrafi/