Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Ferizajt.

Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, rasti është raportuar më 30 tetor 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Mustafë Xhigolli”.


Njësitë e hetimeve rajonale dhe forenzikës kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku nga ekzaminimet fillestare është dyshuar se personi apo personat e panjohur kishin depërtuar në shtëpinë e viktimës përmes thyerjes së xhamit të dritares së pasme. Nga aty janë vjedhur stoli ari me vlerë rreth 10 mijë euro dhe pajisja DVR e kamerave të sigurisë.

Hetuesit policorë kanë identifikuar një automjet të dyshuar të tipit Audi A4, ngjyrë hiri, që drejtohej nga A. Xh. (25 vjeç). Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur mjete të dyshimta, përfshirë një shpues elektrik dhe një palë këpucë, të cilat përputhen me gjurmët e lëna dhe pamjet e kamerave të sigurisë.

I dyshuari ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar pas një ndjekjeje nga hetuesit policorë. Me urdhër të prokurorit të rastit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti është sekuestruar për procedura të mëtejshme hetimore.

Policia njofton se hetimet po vazhdojnë në disa pista për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e mundshëm të bashkëkryesve në vjedhje të tjera të ngjashme në rajon. /Telegrafi/