Derisa Grremçi po ecte me një bastun shtegut të parkut të qytetit, andej pari kaloi fqinji i tij.

Sikur ishin përmalluar të dytë për të çarë hallet e zakonshme shumëvjeçare.


Derisa Grremçi mbante hallet e tija në maje të gjuhës, Besi nuk e priti, por nisi të çaje hallet e veta.

- Ja që patëm ardhur në qytet në një kohë tjetër dhe nuk mendonim më thellë se çka do të ndodhë. Hapi i parë pasi kisha gjetur punë në qytet ishte sigurimi i konakut. Ashtu ishte koha. Qyteti numëronte vetëm dy tre lagje me njëfarë plani, i thënçin plan. Njerëzit që kishin arat ngjitë me qytetin, filluan ti shesin ato për troje. Kjo punë u solli fitime pronarëve që kishin rastisur të kenë ara gjithandej kah shtrihej qytetit. Bleva një truall aty ku e kam edhe sot shtëpinë. As me shkonte mendja që ta përkthej mbi veti ashtu si po kërkohet sot. Ai pronari që ma shiti ishte vet i katërti vëlla. Ata as që ishin të ndarë mes tyre asokohe. Derisa e bëra një konak aty afër tyre, ata u ndanë. Pjesën që ma kishin shitur e kishin në emër të babës së tyre. Për të mos u zgjatur me këtë problem, edhe ata tre vëllezërit prej të cilëve kisha blerë truallin, u ndanë. As sot nuk e di sa ka sipërfaqe. Edhe na kur e patëm blerë truallin, ishim tre vëllezër. As që mendonim se edhe ata që ishin me të rinj rriten e ndahen. Ashtu edhe kërkojnë hise nga trualli ku tashmë kishim ndërtuar shtëpinë. Ndërtuan edhe ata shtëpi të madhe me dy hyrje. Po me duhet të përsërisë se truallin, jo që nuk e kishim përkthyer, por as nuk e kishim matur saktësisht ndonjëherë. Ashtu një ditë u ndamë. Si të ndaheshim kur truallin as nuk e kishim mbi vete e as nuk e dinim sa sipërfaqe kishte, ngase kur e patëm blerë, e kishim marrë një copë toke nga një arë e madhe. Nuk është kjo punë që ka ndodhur para shekujsh, por para 50 vjetësh. Sa kohë që ishte regjimi serb, kjo puna e përkthimit ishte aq e koklavitur sa askujt nuk i shkonte mendja ti hynte asaj pune.

E more Grremç, ke një hallë të tillë edhe ti, por çfarë letrash po kërkon gjyqi nuk i bie në fije, jo unë por as vet ai gjykatësi të cilit iu drejtova. Me dhanë një letër të vogël, kinse me numrin e lëndës.

Pastaj filluan kërkesat e gjykatës për letra. Duhet me qenë prezent ai i cili ua ka shitur. Ai pronari ka vdekur moti. Djemtë e tij janë ndarë dhe ky trualli që kemi ble prej tyre figuron mbi emrin e babit të tyre. Puna po bëhej tërkuzë edhe më shumë. Ata djemtë e atij pronarit një herë duhet me nda tokën e tyre, e pastaj të dihet se kujt mund ti ketë rënë ajo pjesë qe kemi blerë na.

Sipas asaj matjes kur e kemi blerë, masë i thënçin, sipërfaqja e truallit nuk përputhet askund me atë që kishim blerë. Për të qenë puna edhe me tërkuzë, tash janë rritur e martuar edhe djemtë e brezit të ri. Edhe ata po kërkojnë të ndahen. Edhe ata duan të dinë a ju takon diçka nga trualli.

Grremçi, derisa po e dëgjonte Besin, puna e vet me gjyqin i dukej tepër e lehtë.
Ai po vazhdonte të fliste duke u përpjekur të gjente ndonjë pikë shprese, jo të gjykatësi ku duhej, por tek Grremçi.

Gremçi që kishte lëndën në gjyq tash 15 vjet, nuk foli fare.

Flisnin dy fqinjët që kanë shtëpitë fare afër njëri-tjetrit, por dukeshin fare të pashpresë se një ditë mund të legalizojnë pronat e tyre që i kanë blerë para 50 vjetësh. Të dy po mendonin për hallin e njëjtë që kishin, por sa duket gjithë deri sot hallin e tyre nuk e ka gjyqi, atje ku lëndët qëndrojnë derisa të myken e ndoshta edhe duhet të rishkruhen, pa u hapur fare.

- E more zotëri gjykatës, nuk i dëgjon ti si i qajnë hallet dy fshatarë të dikurshëm që ja mësynë qytetit, e që sot dikush i quan qytetarë. Nga koha kur i kanë blerë trojet këta dy njerëz, si këta janë edhe së paku dymijë hallexhinj të tjerë vetëm në ketë lagje e cila as sot nuk ka parë plan me sy.

- Ti Grremç, di edhe të shkruash, foli Besi! Shkruaj krejt çka po të them.

- Na kur erdhëm këtu, qyteti ishte fare i vogël. Sot shtëpitë tona të ndërtuara para 50 vjetësh janë pothuajse në qendër të qytetit. Mjafton ky fakt për ta parë gjyqi dhe për të legalizuar këto dy familje, por gjykatësit zor që e lexojnë këtë shkrim o Bes, -foli Grremçi

- Një çerek shekulli pas çlirimit të pritur me shekuj, legalizimi i njerëzve dhe pronave nuk po ndodhë. Nga mos puna juaj rreziku për konflikte pronësore mes familjare po rritet. Sa vjet pret një lëndë nëpër vitrinat tuaja pa u hapur kurrë? Ju merrni rrogë të mirë nga shteti. Po të bëheni korrekt puna juaj po vajton. Çfarë leverdie keni gjetur dihet mirë. Ama edhe ajo mënyra e njohur e zgjidhjes së lëndëve me lidhje a me ryshfet nuk po e zvogëlon numrin e lëndëve që presin zgjidhje me dekada, po shkruante Grremçi.

Grremçi fliste vetmeveti në rrugë. Ai kishte dy lëndë në gjyq të cilat nuk arriti ti zgjidhte për pesë dekada. Sa ishte pushtuesi serb, ishte përpjekur por pa sukses. U çlirua vendi nga serbi por kot. Gjyqeve tona demokracia u dha pavarësi të pakufizuar, dhe mashalla po e shfrytëzoni mirë, për sefa.

Grremçi e kishte takuar në rrugë edhe fqinjin tjetër të tij Hafizin i cili po kthehej nga gjyqi. Ai ka pesëdhjetë vjet që ka blerë një shtëpi prej Hysit, por që nuk e kishte përkthyer gjatë pushtimit serb.

Po çfarë halli ke e kishte pyetur Grremçi. Hafizi i kishte treguar se ai Hysi që ja ka shitur shtëpinë kishte qenë i ndarë nga vëllezërit e tij, por që hisen e tij nuk e kishte përkthyer kurrë. Hafizi shtëpinë me truall e ka ble por ajo figuron pronë e babait të Hysit i cili ka edhe tre vëllezër. Dhe a e din more zotëri gjykatës se çka po i duhet tash Hafizit?

Duhet me kërkua nga vëllezërit e Hysit që ata njëherë të ndahen mes tyre e pastaj, të dihet sa sipërfaqe të truallit i ka ra.

Çka është më keq, Hysi me gjithë vëllezër ka vdekur moti.

Po edhe ata ketër vëllezërit kanë djem e vajza. U dashka me i tubua të gjithë dhe me i nxjerrë certifikatat e vdekjes për të gjithë ata vëllezërit dhe pasi të dihet sa truall i ka ra hise Hysit, fëmija e tij me përkthye mbi ta, e pastaj çka është më keq, të gjithë fëmijët e Hysit kanë emigrua jashtë vendit që nga çlirimi. Halli i Hafizit bëhet edhe më i madh pasi truallin që ka blerë mund të ketë më shumë apo më pak sipërfaqe se hisja e vëllezërve tjerë të tij. Madje edhe Hafizi e ka blerë truallin nga Hysi me katër vëllezër, të cilët tashmë janë ndarë mes tyre.

Zotëri gjykatës nuk besoj se kuptove diçka që tha Hafizi i gjorë, i cili edhe vetë gati ka arritur moshën e pensionit.

A mund ti bëhet çarja kësaj lënde sipas kërkesave që ja shtron gjykatësi Hafizit të gjorë. Madje gjyqtari kishte kërkuar edhe fletë kurorëzimet e prindërve të Hysit. Sipas kutit tuaj, zotëri gjykatës kjo lëndë kërkon së paku nja dyqind dokumente. Nëse gjenden certifikatat e prindërve të Hysit, duhet edhe certifikatat e tre vëllezërve të tij por edhe të motrave të tyre. Ajo ara të cilën e kanë ndarë dikur në katër pjesë nuk është matur me gjeodet por sipas matjes së kohës. Hafizi ka dert të cilin nuk ja përthekon as imagjinata.

Deri ku mund të shkojnë kërkesat e juaja zotëri gjykatës?

Nuk ka hall vetëm fqinji i Grremçit Hafizi, por edhe Rushiti. As ai nuk e kishte përkthyer mbi vete truallin dhe shtëpinë që kishte blerë nga një fqinj i tij që ka ikur moti në Amerikë. Edhe ky kishte hall të madh. Fqinji që ja kishte shitur truallin kur ishte këtu jetonte në një familje. Ai kishte vdekur në Amerikë, por Rushiti po duhej që të merrte pëlqimin e atyre vëllezërve, babai i të cilëve ja ka shitur truallin Rushit. Rushiti as nuk ua dinte adresat atyre katër vëllezërve e lere më të kontaktonte me ta. Gjasat e Rushitit për ta përkthyer truallin ishin kurrfarë.

More kishte thënë Rushiti, tash po duan të ndahen edhe djemtë e tij, e toka pa përkthye e titullari në Amerikë. Zot bane hair, i lutej zotit Rushiti. Ky as nuk dinte ku të pyeste e çfarë dokumenti të kërkonte.

Ku të fillojmë o zotëri gjykatës?

A e mban mend kur ushtria e policia serbe na përzuri nga shtëpitë tona para 26 vjetësh?

As nuk na pyeti kush për far letrash.

Po pastaj e mori mandatin administrata ndërkombëtare UNMIK e cila formoi agjencinë e pronave HABITAT. Kjo agjenci ua njohu pronësinë të gjithë atyre që kishin jetuar në ato shtëpi deri atë ditë kur i largoi policia serbe. Ata njerëz u kthyen në shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve nuk i kishin përkthyer asnjë herë, por HABITAT i legalizoi me një nënshkrim dhe shumë prej atyre që u kthyen shiten pronat e apo shtëpitë e tyre pa i përkthyer nga pronari i kohës së hyrrjetit.

Kur u stabilizua hyqymeti jonë pas HABITAT-it nisi të qet behane kësaj punë dhe të mos i njoh ato vendime gjyqësore duke kërkuar legalizimin edhe nga koha osmane.

Ju zotërinj gjykatës po kërkoni diçka që qytetari ynë nuk mund ta bëjë kurrë, edhe po të jetojë 100 vjet. Kërkesat që ju po zbuloni tash, po i shtyjnë njerëzit tanë të ikin nga vendlindja të pashpresë se mund të nxjerrin një dokument valid sa të jenë gjallë.