Pas ngjarjeve të fundit në Republikën e Shqipërisë, vrasjes së 14-vjeçarit dhe rrjedhimisht kufizimit ndaj “Tik Tok”, Partia Liberal Demokratike e Maqedonisë rikujton propozimin për ndalimin e përmbajtjeve që nxisin dhunën në rrjetin “Tik Tok” dhe rregullimin e përmbajtjen e rrjeteve të tjera sociale të cilat përdoren nga të miturit.
PLD-ja rikujton edhe një herë propozimin që i ka dorëzuar Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës vitin e kaluar menjëherë pas ngjarjeve fatkeqe në Serbinë fqinje, ku kërkohet kontrolli i përmbajtjeve që transmetohen në rrjetet sociale, si dhe ndalimi i përmbajtjeve që nxitin dhunë.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të nisin një procedurë urgjente për rregullimin dhe kontrollin e përmbajtjes së rrjeteve sociale, në mënyrë që të parandalohen dhe shmangen në të ardhmen ngjarje të tilla fatkeqe dhe situata të padëshiruara, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë. Nuk duhet të lejojmë që më shumë fëmijë të bien viktimë e abuzimit të Tik Tok dhe rrjeteve të tjera sociale.
Republika e Shqipërisë është vendi i parë në rajon që ndalon TikTok-un pasi kryeministri Edi Rama akuzoi drejtpërdrejt mediat sociale për ndarjen dhe nxitjen e dhunës mes fëmijëve brenda dhe jashtë shkollave, duke kulmuar me vdekjen e një djali 14-vjeçar në nëntor. Franca, Gjermania, Belgjika dhe vende të tjera kanë futur tashmë masa kufizuese në fuqi për të rregulluar përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit”, thonë nga PLD.
Në vendin tonë, Tik Tok ka qenë temë aktuale kohët e fundit, pasi disa fëmijë u lënduan gjatë përfshirjes në sfidën “Superman”, ku më i vogli nga të lënduarit është vetëm 10 vjeç dhe më i madhi 17 vjeç./Telegrafi/