Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e hënë Sarandën ku një 51-vjeçare mbeti e plagosur nga burri i saj.

Edhe pas shumë orësh kërkimesh nga policia e Sarandës dhe forcat që erdhën nga Vlora, ende nuk është arritur të kapet autori i dyshuar i ngjarjes, 55-vjeçari Adriatik Bodini.


Bodini dyshohet se plagosi bashkëshorten e tij me thikë në bark ndërsa 51-vjeçarja Mirjana Bodini ndodhet në reanimacionin e Spitalit të Vlorës.

Sipas burimeve policore, 51-vjeçarja ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë për të treguar shkakun që çoi në përdorimin e thikës nga bashkëshorti. Çifti Bodini janë prindër të një djali.

Familja Bodini është me origjinë nga Nivica, ndërsa Adriatik Bodini punon në ndërtim dhe aktualisht merret me punime ndërtimi në Piqeras.

Dera e ballkonit të banesës në katin e tretë të pallatit shtatëkatësh, ku jeton familja Bodini, ishte ende e hapur. Tek hyrja përballë nuk kishte njerëz, pasi ata janë në emigracion.

Gjurmët e gjakut të 51-vjeçares janë ngelur ende në shkallët e pallatit. Banorët e lagjes që intervistuam thanë se ishte një familje e qetë dhe janë shumë të habitur për atë që ka ndodhur pasditen e djeshme.

“Ishe shumë njeri punëtor, na vjen keq, kam keqardhje. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe punëtor i mirë. E shoqja, megjithëse nuk kam biseduar shumë me të, ishte komshia këtu, dhe na erdhi shumë keq,” thotë një komshi.

Një zonjë komshije e çiftit thotë: “Janë njerëz shumë të qetë dhe shumë të mirë, dhe nuk e kuptoj si arritën në këtë pikë. Ai ishte shumë i qetë, dhe nuk di sesi ndodhi.”