Një raport i ri për dialogun Prishtinë-Beograd bën thirrje për njohjen e Kosovës nga Serbia. Autori i raportit, David Phillips, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin profilin në negociatat mes dy vendeve, si pjesë e interesave strategjike për t’i bërë ballë ndërhyrjeve ruse në rajon.
Prof. Phillips, Drejtor i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, rekomandon për rolin e të dërguarit evropian, politikanin gjerman Wolfgang Schaeuble dhe për atë amerikan, ish-Sekretaren e Shtetit, Condoleeza Rice.
Eksperti i Ballkanit, që ka shërbyer si këshilltar për Departamentin e Shtetit gjatë administratave Clinton, Bush dhe Obama, thotë në intervistën për Zërin e Amerikës, se Kosova dhe Serbia duhet të futen në të njëjtën kohë në BE dhe se negociatat duhet të kenë një afat të caktuar që të jenë efektive.
Prof. Phillips, le të fillojmë me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku Aleanca Kosova e Re iu bashkua koalicionit fitues, gjë që i hap rrugën formimit të qeverisë. Cili është mendimi juaj për këto zhvillime të fundit?
David L. Phillips: Është diçka pozitive që qeveria e Kosovës do të krijohet. Ka kaluar një kohë tepër e gjatë. Qeveria do të gjykohet nga ajo që do të bëjë dhe jo nga vonesat në formimin e saj, prandaj është e rëndësishme që qeveria e re të përqendrohet tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe ajo do të ishte prova për suksesin e saj.
Çfarë mendoni për pjesën e marrëveshjes, sipas së cilës zoti Pacolli do të ishte presidenti i ardhshëm i Kosovës?
David L. Phillips: U takon shqiptarëve të Kosovës që të vendosin se si i ndan postet. E rëndësishme është që qytetarët e Kosovës të jenë të bashkuar në objektivat për një qeveri të pastër, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar demokracinë dhe për të zgjidhur plotësisht dhe në mënyrë përfundimtare mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë.
Le të flasim për raportin tuaj të fundit për zbatimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ju sillni shumë sugjerime, por më i rëndësishmi është ai ku ju i bëri thirrje Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës. Cila është baza për argumentin tuaj që Serbia duhet të njohë Kosovën që të bëjë përpara, kur nuk e ka bërë një gjë të tillë deri sot?
David L. Phillips: Për çfarë ka qenë dialogu deri tani? A nuk ka qenë për hapa të vegjël dhe marrëveshje të parëndësishme? Në qendër të tij duhet të jetë njohja reciproke. Kështu do të zgjidheshin përfundimisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu duhet të përqendrohet tek njohja e Kosovës nga Serbia. Nëse Serbia do që të hyjë në Bashkimin Evropian, kapitulli i 15-të është shumë i qartë: nuk do të bëjë dot përparim drejt anëtarësimit në BE pa e njohur Kosovën, që është baza për normalizim. Kosova dhe Serbia duhet të negociojnë me Brukselin kushtet për anëtarësimin në BE dhe të dy vendet duhet të hyjnë në Bashkimin Evropian së bashku dhe në të njëjtën kohë.
Një nga arsyet që deri tani dialogu ka qenë kryesisht për gjëra të vogla është se ata që negociuan për ta filluar atë, e kuptonin që do të ishte e vështirë që të bihej dakord për çështjet madhore, si njohja e Kosovës. A mendoni se kushtet janë përmirësuar aq sa kjo të mund të realizohet tani?
David L. Phillips: Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u ka bërë thirrje serbëve që të përballen me realitetin, të zgjidhin situatën me Kosovën. Sigurisht që është e vështirë që të negociohet për njohjen e Kosovës nga Serbia, por duhet të ndodhë. E vetmja mënyrë për të ecur përpara është nëse Serbia njeh Kosovën. Kjo është thelbësore për të shënuar përparim.
Cilat duhet të jenë hapat që duhet të ndërmarrin Beogradi dhe Prishtina, që dialogu të jetë më efektiv?
David L. Phillips: Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa gjithëpërfshirëse për integrimin e serbëve të Kosovës, të garantojë mbrojtjen dhe nxitjen e plotë të të drejtave të tyre por mbi të gjitha, komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet më shumë dhe të bëjë më shumë. Bashkimi Evropian ka qenë aktori kryesor në këtë ndërmjetësim. Ne rekomandojmë një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara. Ne e dimë që diplomacia është më efektive kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku. Është e rëndësishme që Uashingtoni të jetë më thellësisht i angazhuar dhe që ndërmjetësit ndërkombëtarë të punojnë drejt një zgjidhjeje. Ne propozojmë që dialogu të jetë në nivel më të lartë, të ndryshojë formati, të zhvillohet një strategji, të përcaktohen qartë temat e negociatave dhe të vendoset një afat, sepse negociatat nuk mund të kenë një fund të hapur. Duhet të punojmë drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare, me anë të së cilës Serbia ta njohë Kosovën dhe të dyja vendet të ecin përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sigurisht Beogradi do diçka që quhet “automaticitet”. Ata duan të zgjidhin mosmarrëveshjet me Kosovën dhe pastaj BE-ja të veprojë me shpejtësi dhe automatikisht për të integruar Serbinë në Bashkimin Evropian. Një propozim i tillë ka një kurth. A mundet Serbia të premtojë se Rusia do të binte dakord që Kosova të bëhet anëtare e BE-së? Çfarë qëndrimi do të mbajnë anëtaret e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ndaj saj? Dhe nëse Serbia bëhet anëtare e BE-së, a do ta përdorë atë pozicion për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës?
Historitë e Serbisë dhe Kosovës janë të lidhura, ashtu si edhe e ardhmja e tyre. Të dyja vendet duhet të ecin përpara së bashku dhe të hyjnë në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë.
Për Kosovën dhe Serbinë, është e qartë se çfarë i motivon për të përshpejtuar përpjekjet për të zbatuar dialogun dhe bëhet fjalë për integrimin euro-atlantik. Por në një botë me burime të kufizuara dhe kriza të shumta, cili është motivimi për Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, që të rrisin angazhimin dhe profilin e dialogut?
David L. Phillips: Aktualisht Rusia ka vendosur një vijë të re fronti në Luftën e Ftohtë me Perëndimin dhe është në Ballkanin Perëndimor. Sipas njoftimeve, ka ngritur një bazë zbulimi në Nish, ka dërguar armë të sofistikuara në Serbi. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i forcojnë partneritetet me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë interesa strategjike në atë pjesë të botës, mund ta ushtrojnë ndikimin e tyre, përmes një roli më të madh në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm me angazhimin amerikan, ky proces do të mund të ecë përpara.
Çfarë rreziqesh shihni nga ndikimi rus në rajonin e Ballkanit dhe për perëndimin në përgjithësi?
David L. Phillips: Vladimir Putin flet për unitet sllav, unitet ortodoks, por në fakt Rusia nuk e vret mendjen për popullin e Serbisë. Thjesht po e manipulon këtë çështje, si mënyrë për të sabotuar ndikimin perëndimor, duke u përpjekur të kufizojë rolin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Qytetarët në Serbi duhet ta kuptojnë se e ardhmja e tyre është me Evropën dhe Perëndimin, se ata mund të ecin përpara me aspiratat e tyre euro-atlantike nëse i zgjidhin mosmarrëveshjet me Kosovën. Rusia nuk do të ndihmojë Serbinë, thjesht po i manipulon serbët dhe populli serb duhet ta kuptojë këtë dhe të afrohet me perëndimin.
Ju folët për përcaktimin e afatit. Për çfarë afati bëhet fjalë dhe kur thoni një nivel më të lartë angazhimi, profili dhe pjesëmarrjeje, për çfarë e keni fjalën, sa i lartë duhet të jetë?
David L. Phillips: Ne e dimë nga procese të tjera negociatash si marrëveshja e së Premtes së Mirë mes irlandezëve, që duhet të kesh një afat për të imponuar marrjen e vendimeve. Ne sugjerojmë një afat prej 18 muajsh me mundësinë për ta zgjatur atë afat edhe për gjashtë muaj të tjerë por jo më shumë. Përsa i takon formatit, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian ta ngrejë nivelin e pjesëmarrjes. Deri tani dialogu ka qenë më shumë një mundësi për fotografi për shtypin dhe për përshtypje të mira, në vend që të ishte për çështje thelbësore dhe përparim. Kështuqë BE-ja duhet të emërojë një të dërguar të posaçëm për ndërmjetësimin. Federica Mogherini mund të vazhdojë të luajë një rol ceremonial, por duhet të ketë një negociator me përvojë për të drejtuar procesin. Ne rekomandojmë që këtë pozicion ta marrë Wolfgang Schaeuble. Ne gjithashtu sugjerojmë që Shtetet e Bashkuara të caktojnë një përfaqësues të posaçëm dhe ne besojmë se Condoleezza Rice që ka përvojë në Ballkan dhe gëzon respekt, do të punonte me efektivitet me Wolfgang Schaeuble të punonin së bashku si ekip për t’i çuar këto negociata deri në fund.
BE dhe SHBA duhet të diskutojnë së bashku dhe të dalin me një plan për ta rritur profilin e formatit, të vendosin afate dhe të krijojnë një mekanizëm monitorues në mënyrë që ato marrëveshje që janë arritur, të zbatohen. Nëse nuk shënohet përparim, atëherë nuk duhet të ketë kapituj të rinj për Serbinë. Nëse krijojnë pengesa për procesin e negociatave, atëherë nuk ka rrugë për anëtarësim në BE. Pa një mekanizëm monitorues, është e mundur që mund të vazhdohet me shmangien e detyrimeve. Është momenti që Beogradi të vihet para përgjegjësisë dhe që qeveria serbe të bëjë atë që ka premtuar. /VoA/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBrenda depos së armatimit të FSK-së, Kurti: Armatimi modern në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve që jemi duke i bërë për forcën tonë
Dëshmitari i 105-të në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Me kanë akuzuar se kam vrarë shqiptarë, ishte justifikim për ndalimin tim
Gjykata e shpall të pafajshëm logopedin Iljasa Fazliu, vendimi cilësohet goditje për të drejtat e fëmijëve
Debati Peci-Pacolli, akuza dhe kundërakuza për ofertat politike dhe korruptive
Parashikimi i motit, pasditja me shi e reshje bore dhe erëra të fuqishme
Gjermani, 14-vjeçari kosovar zgjohet nga koma pas disa muajsh
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian