Prokurori Petrit Kryeziu është zgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, në mbledhjen e 260-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kryeziu ka qenë kandidati i vetëm për këtë pozitë dhe nga paneli përkatës ka marrë vlerësim të lartë.
Në njoftimin e KPK-së thuhet se Petrit Kryeziu është zgjedhur “në detyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për një mandat katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat”, raporton Telegrafi.
Ndërkohë raporti i IKD-së lidhur me monitorimin e zgjedhjes së kryeprokurorëve të pesë Prokurorive themelore ka theksuar se procesi ka qenë “përgjithësisht i drejtë, meritor dhe transparent”.
Aty theksohet se intervistimi i kandidatit për kryeprokuror në Prizren është realizuar me 17 dhjetor 2024, dhe se kandidati i vetëm për Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, është vlerësuar me 97.6 pikë.
Në muajin gusht të këtij viti, Kryeziu ishte caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pas dorëheqjes së Admir Shalës, i cili është kthyer si prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës. /Telegrafi/