Një rrugë që shkarkon qendrën e Shtimes, është përuruar gjatë ditës. Ky aks rrugor, sipas zyrtarëve qeveritar dhe komunal e shpëton qytetin nga ngarkesat e automjeteve të rënda.
Banorët e fshatit Godanc të Shtimes ndihen të lumtur për rregullimin e rrugës “17 Shkurti” 2.8 kilometra e cila, pos që do të japë siguri për këmbësorët, do ta shkurtojë edhe rrugën për në drejtime të ndryshme.
“Kjo rrugë është shumë e rëndësishme për katundin Godanc, Zborc edhe për vise të larta, na e shkurton këtë udhë të shkojmë në Lipjan e Prishtinë, për nja 7 kilometra”, tha Zymer Mustafa, banor i Godancit.
Në përurimin e rrugës, ministri Liburn Aliu tha se realizimi i këtij projektit do ta shkarkojë qendrën e Shtimes.
“Sa më shumë që shkarkohet qendra krijohen mundësi që edhe qendra e qytetit të shndërrohet në një hapësirë publike dhe komuna e Shtimes ta shfrytëzojë si hapësirë për nevojat e qytetarëve”, deklaroi Aliu.
Kryetari i Shtimës Qemajl Aliu, tha se kjo rrugë do të jetë aks i zhvillimit për këtë komunë.
“Aks shumë i rëndësishëm dhe vital për komunën e Shtimes, sepse nga kryqi i Komoranit, Krojmirit, Pjetërshticës, të gjitha veturat edhe automjetet deri në 7.5 tonë do të kalojnë nëpër këtë aks dhe do të jetë aks i zhvillimit të komunës tone”, tha Aliu.
Ndërtimi i rrugës ka kushtuar rreh 570 mijë euro./RTK