Sot kur edhe zyrtarisht ka nisur viti i ri shkollor 2020-2021, dhe kur në shkolla janë kthyer në fazën e parë nxënësit e nivelit parashkollor, klasat e 1,2,3, 6 dhe 10 në fshatin Rubovc të Lipjanit është përuruar objekti i ri i shkollës fillore “Drita”.
Duke mbajtur maskën dhe duke respektuar distancën ashtu siç e parashohin rekomandimet e IKSHP-së në hyrje të kësaj shkolle ishin renditur nxënësit e kësaj shkolle të cilët prisnin që të hynin në klasat e tyre në të cilat po ashtu ishin vendosur masat mbrojtëse.
Kryetari i komunës së Lipjani, Imri Ahemti u shpreh i lumtur që kanë arritur ta përurojnë këtë shkollë.
Ai tha se ky objekt i ofron të gjitha kushtet për të zhvilluar mësimin në këtë kohë pandemie.
“Është moment i veçantë sepse janë të rralla momentet kur përurohen objektet të tilla që kanë jetëgjatësi dhe që në themelet e saj do të duhej me i brumos me dije e nxënëseve…jam shumë i lumtur që kemi arritur ta bëjmë përurimin hapjen e kësaj shkolle të re dhe jo në rrethana të zakonshme dhe këto rrethana me këtë betejë me pandeminë COVID-19, ne duhet me shtua kujdesin unë po besoj që ky objekt i ri i plotëson kriteret për të vazhduar punën edhe në këto rrethana të reja”, tha Ahmeti.
Drejtori i shkollës fillorë në fshatin Rubovc “Drita”, Ekrem Murati tha se për banorët e këtij fshati është ditë e veçantë sepse pas 21 vitesh nga lufta po arrijnë të përurojnë këtë tempull të dijes.
“Them e veçantë për ne sepse pas 21 vite lirie ne po e gëzojmë këtë tempull diturie dhe kjo falë përkushtimit të kryetarit , Imri Ahmeti”, tha Murati./kp/