LAJMI I FUNDIT:

Përmes ndikimeve tentohet të shkatërrohen hetimet në rastin “Brezovica”

Përmes ndikimeve tentohet të shkatërrohen hetimet në rastin “Brezovica”

Rasti i famshëm “Brezovica” tashmë është vënë në shënjestër nga një numër i madh personash brenda e jashtë institucioneve, përfshi sistemin e drejtësisë, të cilët dyshohet se janë duke tentuar të shkatërrojnë hetimet.

Së paku kështu del nga raportimet që janë bërë përmes kanaleve zyrtare në hierarkinë më të lartë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Telashet në rastin Brezovica kanë lindur qysh në aksionin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj  për sekuestrimin e përkohshëm të 75 villave, ku përfshihen si pronarë politikanë, biznesmen të fuqishëm e gjykatës të të gjitha niveleve.


Barrën më të madhe në këtë drejtim e ka bartur gjykatësi i procedurës paraprake në Ferizaj, Ibrahim Idrizi, për shkak se në mesin e villave të sekuestruara përkohësisht nga prokurori Rasim Maloku, përfshiheshin villat e tre gjykatësve nga Ferizaj, Mustafë Tahiri, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit,  si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme.

Meqenëse, ishte përfshirë eprori i tij, Mustafë Tahiri, gjykatësi Ibrahim Idizi, kishte kërkuar që për kërkesën e prokurorit për sekuestrim të villave të vlerësohet nëse duhet të vendosë ndonjë gjykatë tjetër për shkak të paanësisë.

Por, kërkesa e tij, ka marrë një përgjigje nga nënkryetarja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mirlinda Bytyqi Rexhepi, të cilën ai e ka konsideruar si ndërhyrje në punën e gjykatësit.

“Pasi ju njoftova nga Ju që në kërkesën për sekuestrim të përkohshëm të dorëzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj… është propozuar edhe sekuestrimi i përkohshëm i paluejtshmërisë së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustafë Tahiri, kërkoj nga ana e Juaj që derisa të vlerësohet çështja e vendosjes së kësaj çështje penale, të mos ndërmirrni asnjë veprim pasi që çdo vendosje nga kjo gjykatë do të mund të vinte në dyshim paanësinë e kësaj gjykate”, thuhet në përgjigjen e nënkryetares së gjykatës.

Këtë përgjigje, gjykatësi Idrizi e ka konsideruar si lloj urdhërese.

“Konsideroj se kjo është një lloj arbitrarizmi dhe ndërhyrje direkte në punën e gjyqtarit dhe së ne këtë drejtim nuk jemi kompetent për të urdhëruar diçka të tillë që në bazë të kësaj do të nënkuptonte -prejudikonte përjashtimin tim nga vendosja lidhur me këtë kërkesë dhe çdo kërkesë e kam vlerësuar edhe në drejtim të dyshimit të paanësisë në vendimmarrje. Ju njoftoj se dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për bazat e përjashtimit të gjyqtarëve, procedurës dhe kërkesës për përjashtim nuk parashihen në mënyrën dhe formën siç keni vepruar dhe kërkuar Ju”, ishte shprehur gjykatësi.

Tutje, nënkryetarja Bytyqi Rexhepi dhe gjykatësi Idrizi kanë vazhduar mospajtimet në lidhje me procedimin e kësaj lënde.

Në komunikimet e siguruara nënkryetarja e gjykatës dhe gjykatësi nuk pajtohen për mënyrën e procedimit të lëndës nga Ferizaj në Gjykatën Themelore në Pejë.

Gjykatësi Idrizi pretendonte se duhet të ketë vendim për përjashtim të tij dhe aktvendim për të proceduar me lëndën, ndërsa nënkryetarja pretendonte se po vepronte në bazë të ligjit, ku sipas saj, janë respektuar hapat dhe pasi është vendosur që lëndën ta pranojë Gjykata Themelore në Pejë, ka kërkuar që lënda të dorëzohet nga gjykatësi dhe mos ta zvarrisë, përndryshe do ta dërgojë në procedurë disiplinore. Pas këtij paralajmërimi, ky debat mes tyre, ka përfunduar dhe gjykatësi e ka dorëzuar lëndën, e cila është dërguar në Pejë tek gjykatësi Shaqë Curri.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me të gjithë këta akterë të përfshirë.

Nënkryetarja Mirlinda Bytyqi Rexhepi në një përgjigje me shkrim ka thënë se arsyet e delegimit të lëndës në Gjykatën Themelore në Pejë janë pasi në kërkesën për sekuestrim të Prokurorisë Themelore Ferizaj është përfshirë edhe paluajtshmëria  e kryetarit të Gjykatës  Themelore Ferizaj, lëndë e cila ka qenë në procedurë paraprake tek gjyqtari Ibrahim Idrizi.

“Me datën 17.10.2022 gjyqtari Ibrahim Idrizi ka kërkuar përjashtim nga lënda, dhe bazuar në kërkesën e tij, konform nenit 37 par.3 të KPRK-së, si nënkryetare e Gjykatës Themelore Ferizaj i jam drejtuar me e-mail të gjitha Gjykatave Themelore nëse të njëjtat japin pëlqim për transferim të lëndës tek ndonjëra nga gjykatat themelore, dhe me datën 19.10.2022 kryetari i Gjykatës  së Pejës ka dhënë pëlqim që kjo lëndë të kalon në shqyrtim të mëtejme në Gjykatën Themelore Pejë, dhe lënda me aktin përcjellës të nënshkruar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi është deleguar në Gjykatën Themelore Pejë”, thuhet në përgjigjen  e nënkryetares Bytyqi.

Ajo ka shtuar se nuk ka aktvendim për përjashtimin e gjyqtarit Ibrahim Idrizi pasi në këtë rast nuk është përjashtuar gjyqtari Ibrahim Idrizi, por lënda është deleguar në Gjykatës Themelore Pejë.

“Nuk i komentoj konstatimet e personave tjerë, e po ashtu nuk e komentoj as procedurën disiplinore konform nenit 3 par.1 pika 1.2 të rregullores për procedurën disiplinore të gjyqtarëve (05/2019)”, ka thënë ajo.

Derisa, po zhvillohej ky debat, sipas raportimeve që janë bërë përmes kanaleve zyrtare në hierarkinë më të lartë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, rezulton se më 17 tetor, gjykatësi Agim Maliqi është takuar me gjyqtarin e procedurës paraprake, Ibrahim Idrizi dhe i ka kërkuar ta refuzojë kërkesën e prokurorit për sekuestrim të përkohshëm të villave sepse nuk ka bazë juridike me arsyetimin se ka qëllim të avancohet në pozitë të Kryetarit të Gjykatës Supreme.

Gjykatësi Ibrahim Idrizi, ka kërkuar që për këtë çështje të komunikohet përmes zyrës për informim të gjykatës. Kështu është vepruar, por përsëri nuk është përgjigjur as ai e as zyrtarja për informim e gjykatë. Me shkrim është përgjigjur edhe gjykatësi Agim Maliqi, i cili ka thënë se për këto pretendime për takim me gjykatësin Idrizi, po dëgjon për herë të parë dhe se kjo çështje duhet të trajtohet në rrafshin institucional.

“Faleminderit për kontaktin dhe për çështjet që keni ndërmend t’i trajtoni në emisionin e Juaj. Por duke lexuar përmbajtjen e kërkesës për intervistë rrjedh se çështja për të cilën keni shprehur interesim qenka çështje e cila duhet të trajtohet në rrafshin institucional dhe jo medial. Përndryshe për pretendimet që ceken në kërkesën e Juaj për herë të parë u njoftova përmes e-mailit Tuaj”, ka thënë ai.

Përveç këtij rasti, që pretendohet se është tentuar të ndikohet në rastin Brezovica, në komunikimet e siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se nga zyrtarët e sistemit prokurorial ka pasur njoftime për ndërhyrje në këtë rast edhe nga zyrtarë të tjerë si dhe gjykatës të të gjitha niveleve.

Ndër ndikimet që theksohet ku njoftohen krerët më të lartë të gjyqësorit dhe prokurorisë, janë ndikimet e dy gjykatësve Arben Hoti dhe Enes Mehmeti.

Sipas shkresave, rezulton se të dy këta gjykatës i kanë bërë trysni një zyrtareje ligjore në Gjykatën Themelore në Ferizaj që të përgatisë leje për vizitë në Qendrën e Paraburgimit nga familjarët e njërit të pandehur, në kundërshtim me rregullat e Qendrës.

Dy gjykatësit e kanë mohuar këtë pretendim, duke theksuar se kanë punuar për disa vite si gjykatës në Gjykatën e Ferizajt, por që në asnjë formë nuk kanë kontaktuar me asnjë zyrtar të kësaj gjykate, aq më tepër që të tentohet të ndikohet në ndonjë rast. /Betimi për Drejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori