Sot është përkujtuar një vit nga vrasja tragjike e Gjuljeta Ukellës, nënë e tre fëmijëve nga Peja, e cila humbi jetën nga dhuna në familje, duke lënë pas një boshllëk të thellë në zemrat e të afërmve dhe komunitetit.

Familjarë, miq dhe qytetarë të Pejës janë mbledhur pranë varrit të saj, në varrezat e qytetit, për të bërë homazhe dhe për të kujtuar jetën dhe kontributin e saj.


Të përlotur, ata vendosën lule mbi varrin e Gjuljetës, duke shprehur dhimbjen dhe mungesën që ajo ka lënë pas.

Gjuljeta Ukella u vra më 21 prill 2024 nga bashkëshorti i saj, Edmon Lajqi – rast që tronditi opinionin publik dhe nxitë reagime të shumta për rritjen e vetëdijes ndaj dhunës në familje.

Përkujtimi i saj vjen si një thirrje për drejtësi dhe ndërgjegjësim, që raste të tilla të mos përsëriten kurrë më./Telegrafi/