LAJMI I FUNDIT:

Përhapja e urrejtjes përmes lojërave kompjuterike

Përhapja e urrejtjes përmes lojërave kompjuterike
Ilustrim

Kristina Reymann-Schneider

Në një nga lojërat propagandistike që shitet në platformën Steam mund t’i bashkohesh një organizate terroriste islamike dhe duke thirrur “Allahu akbar” të vrasësh sa më shumë ushtarë izraelitë.

Loja e krijuar nga një prodhues braziliano-palestinez është hedhur në treg që në vitin 2021, por ka marrë shumë hov pas sulmit terrorist të militantëve islamistë të Hamasit më 7 tetor 2023. Kjo lojë është hequr ndërkohë nga versioni gjerman i Steam-it, por në vende të tjera loja vazhdon të shkarkohet. Kjo nuk është loja e vetme e platformës më të rëndësishme të lojërave kompjuterike, që ka përmbajtje antisemite dhe anti-izraelite. Të përhapura janë edhe përmbajtjet ekstremiste të djathta.


Komuniteti i lojërave kompjuterike është i madh. Më shumë se tre miliardë vetë në gjithë botën luajnë rregullisht video-lojëra. Kështu krijohen shumë miqësi midis njerëzve që mbase nuk do të ishin takuar kurrë me njëri-tjetrin pa internetin dhe preferencën për to në kompjuter. Nga kjo gjë përfitojnë të ashtuquajturit “të djathtë të rinj” – një grup i vogël ky subkulture i skenës së lojërave, por shumë i djathtë dhe ku takohen njerëz me pikëpamje të njëjta që nxisin urrejtje dhe përhapin ideologji mizantrope. Kjo është pjesë e një strategjie që e quan veten “Metapolitik”. Qëllimi është që të pushtohen fusha të shoqërisë të cilat nuk kanë të bëjnë fillimisht me politikën dhe të ushtrohet ndikim mbi to. Ato mund të jenë për shembull klube sportive, institucione kulturore ose platforma në internet për video-lojëra. Aty synohet që pikëpamjet e djathta të bëhen të zakonshme.

Ajo që e djathta bën të ditur në platformat e lojërave është të ndjek një strategji mediatike që përdoret edhe në rrjetet sociale, që është pikërisht dog whistling [shq. fishkëllima për qenin]. Ata shpërndajnë përmbajtje, si p.sh. meme satirike që në shikim të parë duken të parrezikshme. Por, postimet përmbajnë kode antisemite dhe raciste që transformohen vazhdimisht dhe shpesh kuptohen vetëm nga ithtarët, shpjegon Mick Prinz nga fondacioni Amadeu Antonio Stiftung, që lufton kundër ekstremizmit të djathtë dhe antisemitizmit.

Nëse ato përhapen një herë në internet dhe janë vazhdimisht të përsëritshme, atëherë ndodh normalizimi i shprehjeve ose tregimeve konspiracioniste, duke pasur si pasojë zhvendosjen nga e djathta të kufijve të gjërave që thuhen dhe përdorimin pa reflektim të koncepteve të djathta të luftës, nga segmente të ndryshme të shoqërisë. Shembulli i fundit për këtë gjë është koncepti i “remigracionit”, që është kthyer në fjalën më të keqe të vitit 2024.

Deri tani të djathtët kanë glorifikuar në platformat më të mëdha të lojërave – relativisht pa kufizime – për periudhën nacionalsocialiste; janë mbledhur bashkë në grupe tifozësh të Vermahtit (ushtrisë gjermane) dhe kanë përhapur idetë e tyre. Kjo ka ndodhur sepse ata punojnë me kode, por edhe sepse forumet punojnë pa moderator, ose sepse komunikimi shpesh përfundon në grupe private çetit. Vërtet që ekziston mundësia e dhënies së alarmit për përmbajtjet problematike ose lojtarët problematikë, por kjo nuk bën patjetër që përmbajtjet të shuhen menjëherë.

Lojërat propagandistike programohen edhe nga neonazistët për neonazistët. Një grup i djathtë krijuesish nga Austria kërkon që me to “të transmetojë vlera patriotike”. Faktikisht, ata përhapin tregime të konspiracionit antisemitist. Në lojën e parë të tyre, të shuar ndërkohë nga Steam pasi lojtarë të ndryshëm dhanë alarmin, lojtarët luajnë sikur të ishin Martin Sellneri duke u kaluar në nivele të ndryshme të lojës. Ekstremisti i djathtë austriak, Martin Sellner, është një nga strategët kryesorë të “Së djathtës së re” në Evropë. Në Gjermani kjo lojë është futur në listën e lojërave të ndaluara dhe nuk lejohet të bëhet publikisht reklamë për të ose t’u shitet fëmijëve dhe të rinjve.

Por, sipas vetë krijuesve të lojës, ajo është shkarkuar 50 mijë herë. Këto shifra nuk mund të konfirmohen. Por, me sa duket, grupi i synuar i klientëve është i madh. Sepse, krijuesit e lojës janë duke punuar ndërkohë për një lojë pasuese, për të cilën jepet ndërkohë njoftim tek Steam-i. Ata janë pjesë e lëvizjes identitare ekstreme të djathtë dhe sipas fondacionit Amadeu Antonio ndihmohen me para dhe reklama nga politikanë të partisë së djathtë populiste – partia Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Përveç kësaj, në platformën e lojërave ka edhe lojëra shumë më të vogla, që mbase nuk kanë sukses ekonomik, por që janë pjesërisht shumë problematike, thotë Mick Prinz. Ai tregon për lojëra në të cilat lojtarët përjetojnë Luftën e Dytë Botërore nga perspektiva e ushtrisë gjermane dhe për përhapje të lojërave që vlerësojnë pozitivisht periudhën nacionalsocialiste – të ashtuquajturat mode (për modifiikime). Këto nivele shtesë loje mund të krijohen në parim nga çdo lojtar dhe t’i bashkëngjiten lojës e të luhen me lojtarë të tjerë. “Ekstremistët e djathtë mundohen të përdorin mundësitë e krijuara kudo aty ku mund të krijohen përmbajtje nga vetë përdoruesit – User Generated Content. Kështu krijohen si mode raciste ashtu edhe mode antisemitiste”, thotë Mick Prinz. Atentati në qytetin Halle, gjatë të cilit ekstremistë të djathtë donin të futeshin me armë në një sinagogë për të vrarë sa më shumë vetë, mund të imitohet duke luajtur lojën “Roblox”. Ky mod është shuar ndërkohë.

“Roblox” është një lojë online, që preferohet shumë nga fëmijët dhe të rinjtë në gjithë botën. Ajo mund të përshkruhet si një version digjital i tullave të ndërtimit të lojërave me – Lego. Lojtarët mund ta krijojnë vetë skenën ku duan të luajnë dhe të hyjnë në skenat e krijuara nga lojtarët e tjerë. Por, kjo krijon mundësi edhe për ekstremistët e djathtë që të krijojnë skenat e tyre të lojës, për të glorifikuar nacionalsocializmin. Përshëndetjet e Hitlerit, uniformat naziste, flamujt me kryqin nazist, kampet e përqendrimit, dhomat e vdekjes me gaz, të gjitha këto ishin pjesë e lojës së fëmijëve për të cilën u dha alarmi dhe u hoq nga interneti.

Në fund të muajit tetor 2023, adoleshentë organizuan në “Roblox” një demonstratë pro-palestineze. Sipas gazetës britanike Jewish News, protesta nuk ishte vetëm paqësore. Aty u publikuan mes të tjerash pamje nga një flamur izraelit që digjej në flakë dhe një avatar që fliste tekste lajmesh anti-izraelite. Megjithëse propaganda naziste, antisemitizmi dhe racizmi janë zyrtarisht të ndaluara në lojëra, ato shfaqen herë pas here sepse çdo ditë më shumë se 70 milionë lojtarë qarkullojnë në “Roblox” dhe fusin përmbajtje të reja.

Liga kundër shpifjeve (Anti-Defamation League, ADL), një organizatë amerikane që lufton kundër diskriminimit të të rinjve hebrenj, shkruan në raportin e fundit të vitit 2022 se 77 përqind e lojtarëve në internet ngacmohen dhe ofendohen nga lojtarët e tjerë; 34 përqind e lojtarëve hebrenj pranojnë se ngacmohen për shkak të identitetit. Sondazhi është bërë me gati 100 milionë amerikanë. Sondazhi tregon po ashtu se 20 përqind e lojtarëve të lojërave janë për supremacinë e bardhë – një ideologji raciste që pranon se të bardhët janë më të zotë se të tjerët, prandaj duhet të sundojnë.

“Ekstremistët e djathtë janë pakicë e zhurmshme, por që ndihet mirë në komunitetin e lojërave kur përmbajtjet diskriminuese, seksiste dhe raciste kthehen në normale. Në disa sektorë të kulturës së lojërave, urrejtja është e zakonshme. Ekziston një toksifikim i lojërave që nuk mund të fshihet”, thotë Mick Prinz. “Do ishte gabim të thuhej se bota e lojërave ka një problem me ekstremizmin e djathtë. Sepse është shoqëria që ka një problem me ekstremizmin e djathtë”.

Lufta kundër populizmit të djathtë në Gjermani, shtimi i të cilit reflektohet në vlerat e sondazheve të AfD-së, partisë së djathtë populiste, dhe lufta kundër lojërave dhe modifikimeve pa shije e antisemitiste është kthyer në kauzë të krijuesit të lojërave Yaar Harell. “Kam përshtypjen se një tërmet ka rënë tek mediat dhe politika dhe se tani po kuptohet se ne kemi nevojë për forma të reja të tregimit interaktiv dhe kulturës së mos-harresës”, thotë ai. Harrel është aktualisht duke punuar me lojën “Kur Zotin e kishte zënë gjumi”, lojë në të cilën lojtarët marrin role shumë të ndryshme, rolin e një vajze dhjetëvjeçare hebreje që së bashku me të vëllain e vogël lufton në Krakau për t’u shpëtuar krimeve naziste dhe rolin e një oficeri të ri të nazist.

Kjo është një mënyrë krijimi lojërash, të cilën e ndjek edhe krijuesi tjetër i lojlërave Luc Bernard që vitin e kaluar krijoi një Muzeum virtual Holokausti, për sulmuesin e lojës “Fortnite”. Antisemitizmi në lojëra mund të luftohet më mirë me shuarjen me vendosmëri të përmbajtjeve ekstremiste të djathta dhe glorifikimeve të nacionalsocializmit nga platformat e lojërave dhe me shtimin e përmbajtjeve të kundërta: me lojëra dhe modifikime që prekin emocionalisht, që rrisin sensibilizimn për antisemitizmin dhe mbajnë gjallë kujtimin për Holokaustin. /DW/