Përfundon numërimi i votave në Mitrovicë, garë tepër e ngushtë mes Tahirit dhe Pecit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta të hedhura në vendvotimet e komunës së Mitrovicës.
Sipas rezultateve preliminare, gara për kryetar komune është jashtëzakonisht e ngushtë midis kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, i cili ka marrë 47.91% të votave (15,393 vota), dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, me 47.78% (15,353 vota).
Në vendin e tretë renditet Gëzim Plakolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 3.57% (1,146 vota), ndërsa Qazim Nimani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 0.74% (238 vota).
KQZ ka bërë të ditur se ende nuk janë numëruar votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e ardhura nga diaspora, të cilat mund të jenë vendimtare për rezultatin përfundimtar në këtë komunë.








































