LAJMI I FUNDIT:

Perëndimi ka nevojë të ndërmarrë “Perestrojkën” e tij

Perëndimi ka nevojë të ndërmarrë “Perestrojkën” e tij

Tridhjetë vjet më parë, po shëtisja rrugëve të mbushura me shpresë në Evropën Qendrore, duke dëshmuar se si një politikë reformiste sovjetike e quajtur Perestrojka, po shkaktonte nisjen e Revolucioneve të Kadifenjta të vitit 1989.

Këtë vit e kam kaluar kohën kryesisht në korridoret e parlamentit britanik, në zyrat e BE-së në Bruksel, dhe selinë e Facebook-ut në Silicon Valley. Sepse, tani është Perëndimi ai që ka nevojë për një Perestrojkë. Ky mendim më erdhi teksa qëndroja ulur në një zyrë në kampusin Menlo Park të Facebook-ut, duke parë se si punonjësit vendosnin se çfarë duhet t’i lejohet më shumë se dy miliardë njerëzve në të gjithë botën, që të shohin në platformën e mediave sociale.

Unë isha i ftuar të shihja këtë takim të politikës së brendshme, si pjesë e reagimit të Facebook-ut ndaj valës së kritikave të shkaktuara nga kontributet e tij të pavullnetshme në përhapjen e gjuhës së urrejtjes gjenocidale në Mianmar, abuzimin online të grave dhe dezinformimit rus që luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016.


Facebook-u është një superfuqi private, dhe unë nisa të mendoj: “Ky është momenti i Glasnostit për Facebook-un” – glasnost ishte transparenca e kontrolluar, që ishte atëherë politika tjetër kryesore e udhëheqësit sovjetik Mikail Gorbachev. Dhe, pastaj mendova: Tani na duhet Perestrojka – domethënë, një ristrukturim themelor i sistemit.

Prandaj, me kolegët në universitetet e Oksfordit dhe Stenfordit, unë kam synuar të identifikoj mënyrat se si Facebook-u mund ta bëjë veten një forum më të mirë për fjalën e lirë dhe demokracinë.

Rekomandimet tona përfshijnë kontrolle më kuptimplota ndaj përdoruesve, një kontroll të përmirësuar të fakteve për të luftuar “lajmet e rreme”, më shumë shqyrtues të përmbajtjes me ekspertizën rajonale, dhe një organ të pavarur të ankesave.

Me pak fjalë, ne i bëjmë thirrje Facebook-ut që t’i përmbahet detyrimeve të tij si një ‘shesh digjital’ publik në mbarë botën, dhe ne përpiqemi të identifikojmë përzierjen mes një rregulloreje të duhur të qeverisë, vetërregullimit në nivelin e teknologjisë në fjalë, dhe masave specifike të platformës, që do të ofrojnë një model koherent perëndimor për fjalën e lirë dhe demokracinë në epokën e internetit.

Perestrojka sovjetike ishte një përpjekje e centralizuar për të reformuar sistemin komunist, dhe kjo ishte një nga arsyet se pse dështoi. Për dallim, Perestrojka e Perëndimit ka të bëjë me ristrukturimin e bashkëpunimit pluralist të palëve të ndryshme, duke përfshirë qeveritë, parlamentet, bizneset, universitetet, organizatat joqeveritare dhe individët.

Sigurisht, platformat e internetit, janë vetëm njëri nga cepat e një tabloje shumë më të madhe. Deri tani kemi një kuptim mjaft të mirë të shkaqeve të asaj, që përbën një kundërrevolucion antiliberal mbarëbotëror, shumë prej të cilave bazohen tek arroganca e triumfalizmit liberal pas vitit 1989.

Ne kemi identifikuar problemet; puna tani është si të zgjidhen ato. Javën e kaluar isha në sallën e parlamentit britanik, për të parë disfatën e rëndë që pësoi marrëveshja Brexit-it e Theresa May. Ishte një moment i rëndësishëm. Përfaqësuesit tanë të zgjedhur, po ndesheshin me konfliktin e dy logjikave demokratike: atë të demokracisë direkte dhe asaj përfaqësuese.

Nëse jemi me fat, në fund të këtij procesi Britania mund të dalë me një marrëdhënie më të qartë midis Qeverisë, Parlamentit dhe popullit. Përtej Atlantikut, presidenca e Donald Trumpit përbën një sfidë të ngjashme ndaj funksionimit të sistemit politik amerikan. A do të dalë ai më i fortë, për t’u ballafaquar me këtë test, apo do të shembet nën peshën e kësaj tendosje?

Kapitalizmi i financuar, që u përhap pas triumfit të vitit 1989, ka sjellë nivele befasuese të pabarazisë në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Vetëm përpjekjet e përbashkëta të biznesit, qeverisë dhe shoqërisë civile, mund ta trajtojnë këtë padrejtësi me mjetet e një shoqërie të lirë.

Ndërkohë sfidues është dimensioni kulturor i populizmit. Këtu një përgjegjësi e madhe bie mbi median, që duhet të raportojë me një simpati imagjinare, frustrimin ndonjëherë të shprehur ashpër të atyre që kanë mbetur prapa në shoqëritë tona. Për një “pabarazi të respektit”, është shtuar pabarazia e pasurisë.

Universitetet tona, të cilat janë në rrezik të duken si institucione që përforcojnë ndarjen mes atyre që kanë dhe atyre që s’kanë, duhet të gjejnë mënyra më të mira për të ndihmuar në kapërcimin e këtij hendeku. Jo më pak e rëndësishme: ekziston një aleancë e trazuar transatlantike, që ne dikur e quanim “Perëndimi”.

Si një aktor gjeopolitik, Perëndimi transatlantik është dobësuar që nga zhdukja e armikut të tij të përbashkët, Bashkimit Sovjetik. Me një president amerikan, që tani thuhet se po fantazon për largimin e SHBA-së nga NATO, sfida është bërë akute. Sërish, Perëndimi gjeopolitik thjesht nuk mund të vazhdojë më me punët si zakonisht. Edhe ai ka nevojë për një Perestrojkë, si një përgjigje ndaj krizës së vet sistemike.

Lexuesit e alarmuar tani do të jenë duke bërtitur: “Por, perestrojka përfundoi duke e shkatërruar sistemin që duhej të shpëtonte!”. Po, kjo ndodhi për shkak se ishte një ristrukturim nga lart-poshtë, në stilin sovjetik. Perestrojka demokratike dhe pluraliste e Perëndimit do të jetë e ndryshme, prandaj ka një shans më të mirë për të pasur sukses.

Por. asgjë nuk është e paracaktuar. Sot, ashtu si 30 vjet më parë, gjithçka varet nga qeniet njerëzore individuale, që duhet të shfrytëzojnë mundësitë që ofron një krizë.

Në trend

Më shumë
Sveçla pas aksionit të Policisë në veri: Po zgjatet lista e kriminelëve të strehuar në Serbi

Sveçla pas aksionit të Policisë në veri: Po zgjatet lista e kriminelëve të strehuar në Serbi

Lajme
Përzgjedhësi i Serbisë, Stojkovic befason me fjalët e tij për Granit Xhakën

Përzgjedhësi i Serbisë, Stojkovic befason me fjalët e tij për Granit Xhakën

Përfaqësueset
NASA publikon atë që po vlerësohet si

NASA publikon atë që po vlerësohet si "pamja më e qartë e Marsit ndonjëherë"

Botë
Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Ekonomi
Ukraina godet 'qendrën ruse të naftës' ndërsa Zelensky thotë se lufta po hyn në 'fazë vendimtare'

Ukraina godet 'qendrën ruse të naftës' ndërsa Zelensky thotë se lufta po hyn në 'fazë vendimtare'

Botë
Buzhala paralajmëron padi për

Buzhala paralajmëron padi për "gurthyesin": Jam shty me Hashim Thaçin e jo me Xhelal Sveçlën

Lajme
Kalo në kategori