Kishin kaluar vite që shumica e zanatlinjve e tregtarëve të rrugëve dalloheshin me nofka. Për përçudnimin e emrave të profesioneve kishte kuptuar edhe vetë Padishahu. Berberin e quanin tokmak, doktorin nallban, shitësin e salepit në rrugë, tellall, e kështu me radhë.

Nuk është kjo rastësi mendonte Padishahu. Në prapavijë të këtij përçudnimi qëndron kontrabanda. Edhe nëpunësit e dovletit ishin prekur nga ky përçudnim.


Gjithkund në kryeqytet përflitej, se Berberi duke rruar njerëz në rrugë, salepxhiu duke shitur salep qosh me qosh shehrit, dhe xharrahu duke bërë synet fëmijët, nuk fitojnë vetëm sa për të mbetur gjallë, por shumë më tepër. Nga burimet e sigurta, Padishahu kishte kuptuar, se ata fare pak merren me zanatet e tyre, por kryesisht me kontrabandë, e cila gati ka paralizuar të gjitha shërbimet e shtetit. Arka e shtetit gati kishte mbetur bosh.

Shtimi enorm i xhematit nëpër xhamia, i numrit të njerëzve që pa asnjë arsye linin punën duke gjetur ushqim falas në vakëfet e shumta që ishin hapur kudo në qytete e katunde, trefishimi i zejtarëve e tregtareve lëvizës nëpër rrugë, ishin isharete të përçudshme, por askush nuk merrej më to. Dora e shtetit thuaja ishte paralizuar..

Berberi me nofkën Tokmaku ishte pikasur herët nga Padishahu.. Ai njihej moti si rrojtar lëvizës nëpër rrugë. Me një brisk rroje e një peshqir në një çantë të leckosur krahu, i ofronte shërbim dikujt edhe pa kërkuar. Fare. Derisa rruante një njeri, numri i myshterinjve të tij shtohej si mizat në mjaltë.. Aty për aty, ai shtonte numrin e berberëve sipas rastit.

Si me shpoti, edhe një kalimtari të rastit i thoshte: merre pak briskun edhe ti, ose lage fytyrës atë tjetrin që po pret në rend! Ai, rrojën e kishte vetëm mbulesë.

“Nuk fiton Tokmaku me rrojë e qethje të njerëzve në rrugë, por përmes tyre “rruan” të tjerët deri nën lëkurë”, pëshpëritnin njerëzit kudo. Tokmaku e njihte më mirë tregtinë e arit dhe të armëve sesa vetë shërbimet përkatëse të dovletit.

Salepxhiu, kur nisej nga shtëpia, të parin njeri që haste i jepte salep falas.

- Me berqet!- i thoshte vetit.

Kishte ndodhur që brenda ditës punësonte nga dhjetë e njëzetë shitës të salepit. Megjithëse mund të hapte çdo lloj ëmbëltoreje, ai dilte nga shtëpia përherë me një bucelë në shpinë dhe një tas në dorë.

Nuk merrej ai vetëm me salep, jo!

Ai njihte shumë njerëz, dhe e dinte për secilin me çka merrej. Lirat e arit që shiste e blinte ilegalisht nuk i largoheshin nga mendja për asnjë çast. Zot bene hair!- i thoshte vetit.

Xherahu shitej si doktor, por gjithë njerëzit e quanin Nallban.

Ata që bënin tregti të paligjshme, sa herë kishin diçka për të shitur, flisnin me tallje,: tash na duhet Nallbani.

I dëshpëruar nga puna e shërbimeve sekrete, të sigurisë e të kontrollit të shtetit, Padishahu kishte kaluar net të tëra pa gjumë. Kishte kohë që mungonin, ose ishin fare të pabesueshme informatat që sillnin këto shërbime nga terreni. Ai merrte më shumë informata nga berberët e zejtarët shëtitës të rrugëve se sa nga shërbimet e dovletit. Pasi kishte dëgjuar e analizuar gjithçka që kishin folur përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Madh Perandorak, Padishahu kishte vendosur të provonte diçka të panjohur.

Kufijtë e Perandorisë kishin filluar të tkurren. Nëpunësit e hyqymetit kishin lënë punët zyrtare, duke u marr me kontrabandë.

- Më duhet një ekspedite njerëzish, zanatlinjsh e tregtarësh leckamanë, që punojnë e shesin duke lëvizur nëpër rrugët kryeqytetit. Kjo shtresë është shtuar aq shumë sa më nuk e kontrollon askush.

Padishahu kishte marrë informata të dorës së tretë, së këta të ashtuquajtur zanatlinj e tregtarë të imtë, me fitime nuk mbesin mbrapa dyqanxhinjve të Çarshisë së Madhe të kryeqytetit.

Ai kishte menduar në hollësi se çka mund të kuptonte e mësonte nga kjo ekspeditë e paparë gjatë sundimit të tij.

- Ata do të shkojnë në terren, ku nuk kanë qenë kurrë. Atje do të kryejnë po ato punë që kanë bërë deri tash në kryeqytet.

Me punët e zakonshme të këtyre njerëzve, as që merret dikush nga shërbimet e shtetit!- mendonte Padishahu.

Ai po hidhte idenë e tij larg çdo hetimi zyrtar.

Padishahu më nuk po i besonte askujt.

Vendosi të ftoi për kafe në kopshtin e pallatit treshen e njohur nga nofkat e tyre.

Megjithëse ftesa e Padishahut ua kishte këputur këmbët në gjunjë, ata tre kishin shkuar këmbë në kopshtin e pallatit.

Padishahu, pa i përshëndetur kishte filluar të ju tregonte meselenë e ftesës

- E di çka punoni. Keni përvojë të gjatë në zanatin tuaj. Do të shkoni në Zonën Krra- Krra ku do të bëni po këto punë. Ju njihni mire tregun e kryeqytetit. Keni parë gjithçka. Keni parë edhe shumëçka që unë nuk mund të shoh kurrë.

- Njihni këngëtarë e këngëtare endacakë, valltarë e valltare të dalluara rrugësh! Njihni doktor e nallban, falltarë e rrobaqepës, shitës rruazash, bizhuterish, pemësh e perimesh, njihni mirë edhe shitësit e arit por edhe të armeve.

Nuk po ju flas për valltaret e haremit, por për ato të rrugëve, që tërheqin shumë njerëz, kudo që paraqiten. Njihni tregtarë të imtë që shesin e blejnë gjithçka. Ata i quajmë të vegjël, por nuk janë hiq të vegjël. Ata shtihen shumë herë si lypsa. Duken të varfër, krejt të leckosur, por në zhele fshehin lira ari. Ata, çdo ditë ndërrojnë vendin e shitjes, apo të zanatit.

Ata merren edhe me shitjen e femrave, të dala e të përdala.

Merren ata edhe me aso gjerash për të cilat shumicës së njerëzve, as që ju shkon mendja. Jo vetëm ju të tre, por të gjithë këta që merren me do far punësh të imta, nëpër rrugë, njohin mirë edhe arin edhe armët. Nuk po flas për ata që i kanë sallonet e shitjes në Çarshinë e Madhe, sepse edhe ata moti kanë dal defteri. Bëjnë njëqind dredhi për të mos i paguar taksat dovletit. Edhe ata kanë ardhur në të njëjtën derexhe me juve dhe vetëm ankohen në çdo rast.

- Do të niseni të gjithë në të njëjtën ditë. Do te tuboni, jo nga dy a tre veta të zanatit përkatës, por me dhjetëra e qindra. Nuk ka asnjë kufizim të fitimit tuaj. Ju e dini kur e ku rrëshqitni.

- Do bëhet karvan i gjatë nga njerëz, karroca kuajsh e gomarë. Shpërndarja e tyre fillon menjëherë pasi të kaloni lagjen e fundit të kryeqytetit. Ju të tre, me shumë zanatlinj, do të shkoni bashkë drejt në Shehrin e Mustafë Agës.

Tre veta si tri hije dëgjonin Padishahun, pa pyetje, pa përgjigje!

Çele guri gojën?!

Sikur të ju kishte lidhur gjuha.

Për shumë kohë nuk folën as mes veti.

- Detyra duhet të kryhet! Detyra ose koka?! Çka është më keq, Padishahu nuk shtroi asnjë detyrë konkrete për ne!- mendonin që të tre.

- “Shkoni atje dhe punoni siç keni punuar këtu”!- pëshpëritën të tre fjalët që pak më parë ua kishte thënë Padishahu .

Kishte shumë njerëz të kësaj shtrese. Nuk ishin me dhjetëra, por me qindra e mijëra. Treshja kishte përvoje të madhe dhe njihte mirë qytetin, ngado që punojnë e qarkullojnë ata. Nuk kishin nevojë fare të lodrojnë për të gjetur shitësit e zanatlinjtë e imtë e për ti tubuar ata. Mjaftonte që fjalën e parë të berberit me nofkën Tokmak, ta dëgjonte i dyti. Ata lidheshin mes tyre aq shpejt, sa nuk ju duhej më shumë së një ditë për tu marr vesh në gjithë qytetin.

- Padishahu nuk kërkoi kurrfarë pune tjetër nga ne?- mendonte Tokmaku.

Kërkesa konkrete do të ishte shumë më keqe pre ne! – pëshpëriste vet me veti salepxhiu.

Padishahu tha, se krejt fitimi është i joni?! – përsiaste i ngrysur na frika e dyshimi, xherahu, të cilin e quanin me nofkën Nallbani

Këta të tre nuk ishin bërë aq të njohur për zanatet e tyre, sa ishin bërë të famshëm për të tjera pazare fitimesh të mëdha.

- Na, as nuk e dimë ku gjendet Shehri i Mustafës!- fliste me dyshim Tokmaku.

- Na tregon dikush rrugës!- mendonte shitësi i salepit.

Kishin menduar gjithçka për ftesën e Padishahut. Ai ju kishte thënë; vetëm “merrni këta njerëz dhe shkoni në terren”!

Treshja nuk qetësoheshin dot se çka fshihet pas kafesë së Padishahut. Gjithçka ju dukej më lehtë kur mendonin se fitimet ua ka garantuar lartmadhëria.

Edhe pas tri ditësh, treshes nuk po i shkrepte xixa për ti dhënë flakë eshkës.

- Hë, hë, hë! Kur të kthehemi duhet ti tregojmë çka kemi pa e dëgjuar atje! – mendonin në heshtje që tre. Ai nuk caktoi emra njerëzish. Ndoshta ai do pikërisht emra njerëzish? Këtë, mund të paguajmë me kokë?! Këto fakte e bëjnë ters këtë punë.

- Kjo nuk është punë, por çmimi i kokës sonë – shfaqte dyshim Tokmaku. Na të tre merremi me gjithçka dhe më asgjë, por kjo gjithçka nuk mund të fshihet. Tash jemi të pikasur.

- Shteti zë lepurin me qerre!- Mjaft na ka shkuar kungulli mbi ujë”!- pëshpëriste pa zë Brithyeri

Askush nuk i numëroi sa veta u nisën, pasi karvanit ju shtuan edhe shumë njerëz të tjerë, me zanat e pa zanat. Edhe ata shpresonin të fitonin diçka.

Kur shërbimet përkatëse korruptohen dhe bëjnë hile, mund të kryeni punë me njerëz të tjerë, të zakonshëm, ia kishte lënë amanet Padishahut, i ati i tij.

Nisjen e kolonës me përbërje të paparë po e përcillnin me mjera qytetarë. Nga zëri i dhjetëra këngëtarëve, dajrexhinjve jehoi qyteti. Muzika jehoi deri në pallatin e Padishahut.

- Po nisen, po nisen!- kishte pëshpëritu ai.

Mjaftonte që një këngëtar ta hapte gojën dhe atë e ndiqnin me dhjetëra të tjerë.

Askush pos Padishahut, nuk e kishte asnjë ide se çka po ndodhë dhe ku shkojnë gjithë këta njerëz.

Pasi karvani kishte kaluar periferinë e kryeqytetit, kishte filluar të shkurtohej nga bishti.

Nuk kishin mbetur më shumë se nëntëdhjetë veta kur kolona preku shehrin e Mustafë Agës. Treshja mendonte për zanatin e vetë, por nuk e largonte nga mendja frikën nga mungesa e çdo kërkese konkrete të sulltanit.

Tokmaku u përpoq ta përthekonte me një shikim gjithë shehrin, të cilin nuk e kishte parë kurrë.

- Këtu ka ushtri! Nuk na ngacmon njeri!- mendonte ai. Mësyu drejt hanit të parë. Asgjë nuk shkruante në asnjë derë, apo kapixhik.

- Blen apo shet ari dikush këtu?- pyeste vetën. Për një çast preku me dorë kollanin me njëqind harrna, mbushur me lira të falsifikuara. Këto i ha pazari edhe këtu, bile më mirë se atje në kryeqytet!- i jepte vetës kurajë.

Në çantën e shpinës mbante një maramë krejt të zhxhyrosur ku kishte mbështjellë briskun e rrojës dhe një sapun. Lodroi mendjen për fitimet e falltarëve, por edhe për mundësinë e rrëshqitjes së tyre gjatë fallit.

Kthimi i treshes në Kryeqytet u bë pa asnjë lajm.

Padishahu i priti që të tre me kafe në kopshtin e pallatit. Ata filluan ti tregojnë se ç ‘kane parë me sy e çka kanë dëgjuar me veshë në shehrin e Mustafë Agës.

- Atë Mustafë Agën e kam parë vetëm një herë duke shkuar diku me pajton.- foli Tokmaku. Ai ishte trashëgimtar i katërt me atë emër, i asaj familjeje agallarësh.

Njëfarë haxhiun që kishte qenë në Qabe, e njihnin njerëzit shumë më tepër së Mustafë Agën. Ai kishte trembëdhjetë dyqane mallrash dhe tri shitore ari. Kishte qindra hektarë tokë të punueshme por edhe bjeshkë të tëra. Haxhiu kishte nofkën Leshi. Ai po fitonte më shumë nga tregu i leshit se nga dyqanet. Nuk po blinte vetëm lesh nga katundarët, por edhe drithëra, bagëti e tokë. Ai po u jepte njerëzve para me fajde. Zotëronte tokat e pesëmbëdhjetë katundeve. Kishte treqind shtëpi me çifligarë.

Siç tregonin njerëzit, ky haxhiu me nofkën Leshi, po fuste në fesat njerëzit. Kur vriteshin ata mes tyre, ky po ua blinte pasurinë me çmime qesharake.

- Edhe atje kishte shitës të imtë nëpër rrugë. Edhe ata po merreshin me punë të pista. Njerëzit që i kemi shpërndarë sipas zanatit nëpër fshatra, për gjashtë muaj kanë fituar më shumë se për gjashtë vjet në kryeqytet.

- Pashain me ushtri e kam parë vetëm dy herë duke kaluar nëpër shehër!

Dëgjuam se koçakët kishin vra dy nizamë. Pashai kishte kërkuar nga bajraktarët që të zbulojnë emrat e koçakëve, dhe ti dorëzojnë ata. As për disa javë nuk kishin arritur të gjejnë vrasësit. Pastaj, Pashai i kishte dënuar që të katër bajraktarët me varje në litar.

Fill pas dënimit të bajraktarëve, ishin dorëzuar koçakët.

Korrupsioni, kontrabanda e krimi i organizuar po e gërryenin Perandorinë tejpërtej, skajeve e në zemër, në të njëjtën masë.

Para se të largohej nga ndeja, Padishahu, si me shpoti, kishte pyetur Takmakun: sa kishte fituar për gjashtë muaj në shehrin e Mustafë Agës?.

- Lartmadhëri! Kam rruar e qethur jo shumë njerëz, por nga kjo puna tjetër fitova hiq më pak se 125 lira ari!

Nga toni i zërit, Tokmaku dukej sikur ishte bërë gati ta dorëzonte krejt fitimin. Preku me dorë kollanin mbushur me lira. Ishte i gatshëm të paguante çmimin e kokës. Padishahu e shikoi me njëfarë doze konspiracioni, pastaj qeshi me zë.

- Sa fiton shitësi i arit në Çarshinë e Madhe?- pyeti e u përgjigj vetë në heshtje Padishahu. - Hiq pa ndoshta, fiton trefish më shumë se Tokmaku! Krejt zejtarët e tregtarët, të gjitha bizneset janë bashkuar në vallen e njëjtë të dredhisë ndaj dovletit, kishte folur vetmeveti Padishahu. Perandoria është rrezikuar në themel.