Nga: Andy Warhol (Fragment nga “The Philosophy of Andy Warhol: From A to B and Back Again”)
Përktheu: Enxhi Hudhri
Mendoj gjithmonë për njerëzit që ngrenë ndërtesat dhe pastaj nuk janë më atypari. Ose një film me një skenë me turmë njerëzish dhe të gjithë janë të vdekur. Është e frikshme.
Përpiqem të mendoj se çfarë është koha dhe e vetmja gjë që mund të mendoj është…
“Koha është koha ishte.”
***
Njerëzit thonë “kohë në duar”. Epo, i pash duart e mia dhe pash shumë vija. Dhe pastaj dikush më tha se disa njerëz nuk kanë vija. Nuk e besova. Ishim ulur në restorant dhe ajo tha, “Si mund ta thuash këtë? Shihe kamerierin atje.” E thërriti, “Zemër! Zemër? A mund të më sjellësh një gotë ujë?” dhe kur e solli i kapi dorën dhe ma tregoi dhe nuk kishte vija. Vetëm tre kryesoret. Dhe tha, “E sheh? Të thash. Disa njerëz si ai kamerier nuk kanë vija.” Dhe mendova, “Zot, sikur të isha kamerier.”
Nëse vija në dorën tënde janë rrudha, duhet të thotë se duart e tua shqetësohen ca.
***
Ndonjëherë të ftojnë në një ballo të madhe dhe për muaj të tërë mendon se sa magjepsëse dhe emocionuese do të jetë. Më pas fluturon për në Europë dhe shkon në ballo dhe kur e mendon disa muaj më pas ajo që mban mend është ndoshta rruga me makinë për në ballo, nuk e mban mend fare ballon. Ndonjëherë kohët e vogla që mendon se nuk janë asgjë ndërkohë që ndodhin rezultojnë të jenë ato që shënjojnë një periudhë të tërë të jetës tënde. Duhet të kisha ëndërruar për muaj të tërë për udhëtimin me makinë për të balloja, dhe blerjen e biletës për në Europë që të bëja udhëtimin me makinë. Pastaj, kushedi, ndoshta mund të mbaja mend ballon.
***
Disa njerëz vendosin të jenë të moshuar dhe pastaj bëjnë ato që supozohet të bëjnë njerëzit e moshuar. Por kur ishin njëzet vjeç bënin ato që supozohet të bënin njëzetvjeçarët. Dhe pastaj ka nga ata njerëzit e tjerë që duken si njëzet vjeç gjithë jetën e tyre. Është emocionuese të shohësh yjet e kinemasë – meqenëse janë më të përfshirë në këtë se shumica e njerëzve – të cilët kanë punuar për bukurinë e tyre, të cilët kanë ende të gjithë energjinë e tyre sepse po punojnë ende me veten e tyre të re.
***
Meqenëse njerëzit do të jetojnë më gjatë dhe do të plaken, do u duhet të mësojnë se si të jenë foshnje për një kohë më të gjatë. Mendoj se kjo është ajo që po ndodh tani. Disa fëmijë që i njoh personalisht po mbesin foshnje më gjatë.
***
Njëherë po qëndroja në një rrugë në Paris dhe një grua e moshuar po më shihte, dhe mendova, “Oh me siguri po më ngul sytë se është angleze,” sepse anglezët në njohin gjithmonë nga ndonjë skandal televiziv londinez ku disi merrja pjesë. Kështu që pashë ca më tutje kur ajo më tha, “A nuk je Andy?” i thash po dhe ajo tha, “Erdhe te shtëpia ime në Provincetown njëzet e tetë vite e gjysmë përpara. Kishe vënë kapele dielli. Ti as nuk më mban mend, por unë nuk do të të harroj kurrë ty me kapelën e diellit. E sheh, nuk mund ta duroje diellin.” U ndieva kaq çuditshëm sepse nuk e mbaja mend fare ndërsa ajo e kujtonte edhe muajin. Sepse të mbash mend “njëzet e tetë vite e gjysmë përpara” pa ndaluar që ta llogarisësh do të thotë që ajo e ka ndjekur vërtet dhe do të thoshte, “Epo kanë kaluar nëntëmbëdhjetë vjet që kur ai ishte këtu me kapelën e diellit.” Ishte shumë e pazakontë – burri i saj ishte aty dhe po grindeshin se sa kohë kishte kaluar. Ai tha, “Jo, jo, jo. Nuk ishim martuar ende, e kujton? Kështu që duhet të ketë qenë njëzet e gjashtë vite e treçerek përpara.”
***
Disa njerëz thonë se Parisi është më estetik se New York-u. Epo, në New York nuk ke kohë të kesh estetikë sepse të duhet gjysmë dite që të shkosh në qendër të qytetit dhe gjysmë ditë për të shkuar në pjesën e sipërme.
***
Pastaj ka kohë në rrugë, kur takon ndonjë që nuk e ke parë çprej, le të themi, pesë vitesh. Kur e shihni njëri-tjetrin dhe nuk doni të humbisni kohë atëherë është mrekulli. Nuk thua “Çfarë ke bërë?” – nuk përpiqesh t’i vësh punët përpara. Ndoshta përmend që je nisur për te 8th Street për të marrë një krem karamel të ngrirë dhe ndoshta ata përmendin se cilin film po shkojnë të shohin, por vetëm kaq. Thjesht një këqyrje e rastësishme. Shumë e lehtë, e qetë, e çastit, shumë amerikane. Askush nuk është i shqetësuar, askush nuk humbet kohë, askush nuk bëhet histerik, askush nuk ngadalëson. Atëherë është mirë. Dhe pastaj kur dikush të pyet se çfarë ndodhi me filanin ti i thua, “Po, e pashë duke pirë një birrë te 55th Street.” Luaje të gjithën në një nivel, sikur çdo gjë ishte dje.
***
Mendoj se më mungojnë ca kimikate dhe prandaj kam prirje që të jem më shumë – çun mami. Një qullac. Jo, një çun mami. Një “qumështor”. Mendoj se më mungojnë ca kimikate përgjegjësie dhe ca kimikate riprodhimi. Nëse do t’i kisha ndoshta do të mendoja më shumë për plakjen në mënyrën e duhur dhe katër martesa e të kisha familje – gra dhe fëmijë dhe qen. Jam i papjekur, por ndoshta diçka mund t’i ndodhte kimikateve të mia dhe do të mund të piqesha. Mund të filloja të kisha rrudha dhe të ndaloja së veshuri paruket e mia.
***
Thonë gjithmonë se koha i ndryshon gjërat, por në fakt duhet t’i ndryshosh ti vetë.
***
Ndonjëherë njerëzit lënë të njëjtin problem t’i bëjë të mjerë për vite me radhë kur mund thjesht të thonë, “E pastaj” Kjo është një nga gjërat e mia të parapëlqyera për të thënë. “E pastaj.”
“Mamaja ime nuk më donte”. E pastaj.
“Bashkëshorti im nuk fle me mua.” E pastaj
“Jam i suksesshëm por jam ende vetëm.” E pastaj.
Nuk e di si ia kam dalë gjithë këto vite para se ta mësoja këtë dredhi. M’u desh shumë kohë ta mësoja, por pasi e mëson, nuk e harron kurrë.
***
Çfarë e bën një njeri të shpenzojë kohë duke qenë i mërzitur kur mund të jetë i lumtur. Isha në Lindjen e Largët dhe po ecja në një shteg ku kishte një festë të madhe të lumtur, dhe në fakt po digjnin për vdekje një njeri. Ishin duke festuar dhe ishin të lumtur, duke kënduar e duke kërcyer.
Pastaj ditën tjetër isha në Bowery kur një njeri në një strehë u hodh nga dritarja dhe vdiq, dhe një turmë u mblodh rreth trupit, dhe më pas një endacak po vinte duke u lëkundur dhe tha, “A e pe komedinë nga ana tjetër e rrugës?”
Nuk po them që duhet të jesh i lumtur kur dikush vdes, por thjesht që të ngjall kureshtje të shohësh raste që provojnë se nuk duhet të jesh i trishtuar për këtë, në varësi se çfarë mendon se do të thotë, dhe ajo çfarë ti mendon për çfarë mendon se do të thotë.
Një person mund të qajë ose të qeshë. Dhe kur qan mund të jesh duke qeshur, e ke mundësinë e zgjedhjes. Njerëzit e çmendur dinë ta bëjnë më mirë sepse e kanë mendjen e çlirët. Kështu që mund të marrësh fleksibilitetin që ka mendja jote dhe ta bësh të funksionojë për ty. Ti vendos se çfarë do që të bësh dhe se si e shpenzon kohën tënde. Mbaje mend, gjithsesi, mendoj se më mungojnë ca kimikate, kështu që është më e lehtë për mua se sa për një person që ka shumë kimikate përgjegjësie, por i njëjti parim mund të përdoret në shumë raste.
***
Kur të mbarojë koha ime, kur të vdes, nuk dua të lë gjëra të mbetura përgjysmë. Dhe nuk dua të jem një mbetje. Isha duke parë televizor këtë javë dhe pashë një zonjushë që u fut në një makineri rrezeje dhe u zhduk. Ishte e mrekullueshme, sepse lënda është energji dhe ajo thjesht u shpërbë. Kjo mund të ishte vërtet një shpikje amerikane, shpikja më e mirë amerikane – të kesh mundësi të zhdukesh. Dua të them, në atë mënyrë nuk mund të thonë se vdiqe, nuk mund të thonë se të vranë, nuk mund të thonë se vrave veten për dikë.
Gjëja më e keqe që mund të të ndodhë kur të mbarojë koha jote është të balsamosesh e të të shtrijnë në një piramidë. Më neveritet kur mendoj për egjiptianët që merrnin çdo organ dhe e balsamosnin më vete në enët përkatëse. Unë dua makinerinë time për t’u zhdukur.
Sërish, më pëlqen ideja e kthimit të njerëzve në rërë ose diçka të tillë, kështu makineria vazhdon të punojë pasi vdes. Them se zhdukja do të ishte puna e lënë pa bërë që do i duhej makinerisë ta përfundonte. Duke qenë se besoj në punë, them se nuk duhet të mendoj për zhdukjen kur të vdes. Dhe sidoqoftë, do të ishte shumë magjepsëse të rimishëroheshe si një unazë e madhe mbi gishtin e Pauline de Rothschild-it.
***
Unë jetoj vërtet për të ardhmen, sepse kur ha një kuti me ëmbëlsira, mezi pres që të shijoj copën e fundit. Nuk e shijoj asnjë prej copave të tjera, dua vetëm ta mbaroj dhe të hedh tutje kutinë dhe të mos e kem më në mendje.
Do të më pëlqente më shumë ta kisha tani ose ta dija se s’mund ta kisha kurrë që të mos mendoja për të.
Prandaj disa ditë dëshiroj të jem shumë shumë plak që të mos më duhet të mendoj për plakjen.
***
Dukem vërtet i shëmtuar, dhe nuk e marr mundimin të rregullohem ose të përpiqem të dukem i pashëm sepse nuk dua që askush të përfshihet me mua. Dhe kjo është e vërteta. Vë në pah veçoritë e mia të këqija dhe minimizoj ato të mirat. Kështu dukem i shëmtuar dhe vesh pantallonat e gabuara dhe këpucët e gabuara dhe vi në kohën e gabuar me miq të gabuar, dhe them gjërat e gabuara dhe i flas njeriut të gabuar, dhe prapë ndonjëherë dikush interesohet për mua dhe më ikën truri dhe pyes veten, “Çfarë bëra gabim?” Kështu shkoj në shtëpi dhe përpiqem ta zbuloj. “Epo duhet të kem veshur diçka që dikujt i është dukur joshëse. Bëj mirë ta ndryshoj. Para se gjërat të shkojnë shumë larg. Kështu shkoj te pasqyra ime treanëshe dhe studioj veten time dhe shoh që tani kam pesëmbëdhjetë puçrra të reja në fytyrë dhe zakonisht kjo duhet t’i kishte ndaluar. Kështu që mendoj, “Sa e çuditshme. E di që dukem keq. E bëra veten time të dukem veçanërisht keq – veçanërisht të gabuar – sepse e dija që shumë nga njerëzit e duhur do të ishin aty, dhe prapë dikush disi u interesua…” Pastaj më kap paniku sepse mendoj se nuk e di se çfarë është joshëse dhe se duhet ta zhduk para se të vazhdojë të më shkaktojë probleme të tjera. E sheh, të njohësh një person të ri është thjesht shumë e vështirë, sepse çdo njeri i ri merr më shumë kohë e hapësirë. Mënyra për të mbajtur më shumë kohë për vete është që ta mbash veten aq jotërheqës sa askush të mos interesohet.
***
Shoh njerëz profesionalë si komedianë në klube nate, dhe më bën gjithmonë përshtypje koha perfekte e tyre, por nuk mund ta kuptoj kurrë se si ata mund të durojnë të thonë të njëjtën gjë gjithë kohën. Pastaj kuptova se cili është ndryshimi, sepse gjithmonë përsërit të njëjtat gjëra gjithë kohën gjithsesi, qoftë nëse ta kërkon dikush apo jo, ose është puna jote. Zakonisht bën të njëjtat gabime. I aplikon gabimet e tua të zakonshme në çdo kategori apo fushë të re ku shkon.
***
Kurdo që jam i interesuar për diçka, e di që koha është e gabuar, sepse jam gjithmonë i interesuar në gjënë e duhur në kohën e gabuar. Duhet të interesohem pasi të mos jem më i interesuar, sepse pastaj kam turp të jem ende duke menduar për një ide të caktuar, kur ajo ide është gati duke bërë milioner dikë tjetër. Të njëjtat gabime të bukura.
***
Mësova diçka për kohën kur shkoja rrotull New York-ut dhe takoja njerëz në zyrat e tyre sipas orareve të caktuara. Dikush më caktonte një takim në orën dhjetë, kështu që mundoja trurin tim që të arrija pikërisht në dhjetë, dhe nuk më takonin deri në një pa pesë. Kështu që kur e kalon këtë qindra e herë dhe dëgjon, “Në orën dhjetë?”, thuaj “Eeeeepo, kjo më duket qesharake, mendoj të vi në një pa pesë.” Kështu që shkoja gjithmonë në një pa pesë dhe funksiononte gjithmonë. Atëherë e takoja personin. Kështu mësova. Si të ishe mi laboratori dhe të vënë gjithë ato teste dhe shpërblehesh kur e bën saktë, dhe kur e bën gabim të kthejnë pas, dhe kështu mëson. Kështu mësova se kur do ishin vërdallë njerëzit.
E vetmja kohë kur nuk më funksionoi sistemi ishte me Liz Taylor-in. Isha në Romë për të xhiruar një film me të dhe për një javë çdo ditë ajo vinte orë më vonë, sa më në fund mendova, “Epo dëgjo, le të marrim kohën tonë nesër dhe të mos zgjohemi në gjashtë e gjysmë.” Kështu atë ditë ajo iku aty para të gjithëve. Ishte aty para gruas së garderobës dhe kameramanëve. Ajo praktikisht kishte shijuar kafen. Ajo të mban në majë të gishtave. Bëri të njëjtën gjë që bëra unë, mbrapsht, dhe u habita sepse nuk e njihja mjaftueshëm që ta parashikoja. Liz Taylor, duke qenë vonë pesëdhjetë herë dhe pastaj një herë herët, duket të jetë duke aplikuar të njëjtin parim si unë që kam flokë gri që kur të bëj diçka që kërkon një sasi normale energjie të duket “e re”. Kur Liz Taylor është në kohë duket “herët”. Sikur je lindur me një talent të ri papritur ndërkohë ke qenë kaq i keq në diçka për kaq shumë herë, dhe pastaj papritur një ditë nuk je aq keq.
***
Më pëlqen ideja që njerëzit në New York tani duhet të mbajnë radhë për filmat. Shkon pranë kaq shumë kinemave dhe ka radhë shumë të gjata. Por askush nuk duket i palumtur për këtë. Të kushton kaq shumë para thjesht për të jetuar tani, dhe nëse je në një takim romantik, dhe kalon gjithë kohën e takimit në radhë, dhe kështu kursen para sepse nuk të duhet të mendosh për gjëra të tjera për të bërë ndërkohë që po pret dhe fillon të njohësh personin, dhe vuani pak bashkë, dhe pastaj argëtoheni për dy orë. Kështu jeni afruar shumë, keni ndarë një eksperiencë të plotë. Dhe ideja e të priturit për diçka gjithsesi e bën më emocionuese. Të mos futesh kurrë është më emocionuese, por pas asaj pritjes të futesh brenda është akoma më emocionuese.
***
Nëse do të kisha kohë për një leje të zakonshme çdo dhjetë vite, sërish nuk mendoj se do të shkoja gjëkundi. Me shumë mundësi do të shkoja në dhomën time, të shkriftoja jastëkun, të ndizja nja dy televizorë, të hap një kuti me biskota Ritz, të hap një kuti Russel Stover. Të ulem me çdo numër të fundit të çdo reviste përveç TV Guide nga çdo cep kioskash, dhe pastaj të ngrej telefonin për të telefonuar çdo njeri që njoh dhe t’i kërkoj të shohin TV Guide-et të tyre e të më thonë se çfarë ka në televizor, çfarë ka pasur e çfarë do të dalë. Më pëlqen gjithashtu të rilexoj gazetën. Sidomos në Paris. Nuk mund ta rilexoj mjaftueshëm ndërkombëtaren Herald Tribune kur jam në Paris. Në dhomën time, koha lëviz kaq ngadalë për mua, vetëm jashtë lëviz kaq shpejt.
Nuk më pëlqen të udhëtoj sepse më pëlqen shumë koha e ngadaltë dhe për një aeroplan duhet të largohesh tre ose katër orë përpara dhe kështu të ikën dita. Nëse do vërtet që jeta të të kalojë si film para teje, thjesht udhëto, mund ta harrosh jetën tënde.
***
Më pëlqen rutina. Njerëzit më telefonojnë dhe thonë, “Shpresoj të mos jem duke shqetësuar rutinën tënde, duke të marrë në telefon kështu.” E dinë sa shumë më pëlqen.
***
Një gabim që bëj kohë pas kohe është të mos ndjek Rregullin e Artë: mbaj ashensorët. Gjithashtu, edhe kur përpiqem të hedh gjëra dhe të thjeshtoj jetën time, ia ngec dikujt tjetër.
***
Ajo që e bën të shpejtë një film është kur shkon ta shohësh, dhe pastaj kur e sheh herën e dytë kalon shumë shpejtë. Nëse do të vuash, shko shihe diçka dhe pastaj shko shihe prapë. Do të shohësh se vuajtja jote kalon më shpejt herën e dytë.
Mund të shoh një mister me vrasje një natë, dhe pastaj e shoh për herë të dytë natën tjetër dhe prapë nuk e di kush e ka bërë deri në minutën e fundit. Kështu që e di që ka vërtet diçka që nuk shkon me mua. Dua të them, nëse mund të ulem dhe të shoh një tjetër Thin Man dhe ta shoh prapë natën tjetër, dhe prapë të mos e di se kush është vrasësi deri në minutën e fundit… Dhe do jem po aq kureshtar e në ankth duke pritur ta zbuloj dhe po aq i habitur sa isha natën e parë. Nëse e kam parë pesëmbëdhjetë herë, atëherë ndoshta një nga pesëmbëdhjetë herët do të më kujtohet dhe mund ta shoh se kush është. them se koha është fabula më e mirë – suspanca e të parit nëse do ta mbash mend.
***
Orët dixhitale dhe orët e dorës më tregojnë vërtet se ka një kohë të re në dorën time. Dhe është paksa frikësuese. Dikush ka menduar për një mënyrë të re për të treguar kohën, pra them se nuk do të themi “orë” dhe për shumë kohë, sepse është “në orën” ose “nga ora” dhe nuk do të ketë më orë: do të jetë “një kohë” në vend të “orës një” dhe “tre e gjysmë kohë” dhe “katër e dyzetepesë kohë”.
***
Kur isha i vogël dhe sëmuresha shpesh, ato kohë të sëmura ishin si pushime të vogla. Pushime të brendshme. Duke luajtur me kukulla.
Nuk i prisja kurrë kukullat që priteshin. Disa njerëz që kanë punuar me mua thoshin se i priste dikush tjetër për mua, por arsyeja e vërtetë që nuk i prisja ishte se nuk doja të prisja faqet e bukura ku ishin. I lija gjithmonë kukullat që priteshin në librat me prerje.
***
Për kohën
Kohë pas kohe
Bëj kohë
Kohë për veten tënde
Fundjavave.
Në kohë
Në asnjë kohë
Në kohë të mirë
Mes kohëve
Kohë e sërish
Kohë jete
Veshur nga koha
Kaloj kohë
Shënjoj kohë
Blej kohë
Mbaj kohë
Në kohë
Në kohën e duhur
Kohë pushim
Kohë jashtë
Kohë brenda
Kartë kohe
Shtyrje kohe
Zonë kohe
Përparakohë
Ndërkohë
Paskohë
Gjithëkohë
***
Kur shoh rrotull sot, anakronizmi më i madh është shtatzënia. Nuk mund ta besoj që ka ende njerëz shtatzënë.
***
Koha më e mirë për mua është kur nuk kam asnjë problem të cilin nuk mund ta rregulloj me para. /Gazeta “ExLibris“/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëDavid Gilmour dhe Polly Samson për vdekjen, drogën, jetën martesore dhe grupin Pink Floyd
Pasojat e vërteta të identiteteve që formohen mënyrë traumatike njihen thellë vetëm në fund të jetës
Kompozitori i parë i muzikës së kultivuar shqiptare
Letrat nga kampet e Shqipërisë, nënës në Itali: Mos u merakos nëse ndonjëherë të shkruaj zi
Këto pesë vepra të çuditshme surrealiste nuk janë ashtu siç duken!
Kush ishte Zonja e Parë e Prishtinës?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit