Për hir të 21 Marsit, Ditës Botërore të Poezisë, poeti Halil Matoshi risjell versionin e ri të poezisë së pëlqyer për Rebeka Rexhepin, e cila ditë më parë humbi betejën me kancerin, duke prekur zemrat e shqiptarëve kudo që ata janë. Meqë poezia e tij, e shkruar si refleksion momenti u pëlqye dhe emocionoi lexuesit, Matoshi e rilexoi dhe thotë se “mundet me u ba ni poezi e vërtetë”! Më poshtë mund ta lexoni versionin e ri të kësaj poezie.“1. Hyjneshat në fron - për Xheraldina Maria NANËN dhe BEBEN e saj -Na ishte ni herë ni NANË dhe e kishte ni çupëz sa troha Papandehun ni ditë BEBA - ajo po vallëzonte me retë… Dikur seç iu tek bebës me u s’mu e naze me bâ si princeshë e përlotun Masanej kukullat i braktisi dhe ngat e donte sall NANËN dhe librat me mrekulli zgjimi Dhe u nis udhëve të botës ec e ec e ec… me e gjetë ni strehë për shpirtin e NANËS ku s’ka dhimtë po andrra me princa… E njoh ni grue me emnin e mbretneshes shqyptare po ma shum i get Nositit lasgushian qe heq nga vetja copa mushknishë e melqie me e ushqye zogun e vet n'flat'rim... Shkul veten - jep asaj - me e mbajtë të gjallë, jetë me i dhanë! Qe s'fle me netë e ditë me i sjell pak gjumë BEBES së saj! Qe grith qiellin per me i sjell fresk BEBES kur ka zjarmi! çel gojën si flaut me flatra me marrë zâ nga tâna kanarinat e rruzullimit me ia këndu ninullat ma t'bukura e me ia ndjell gjumin... E njoh ni NANË qe e bânte dyfish ma vigane luftën e BEBES së saj! Me jetue! E njoh ni NJERI qe âsht shkri për Njeriun Por BEBA qy kryeneçja nihere’ hodhi ‘barbikat’ përpjetë qiellit iku e NOSITI ende heq e jep Frymën - qe kujtimi i BEBES me rr’nue si sinonim i luftës titanike për jetë!!! Në ni pentagram qe vend notash ka nga ni sumbull si lot! BEBA - ajo tash të buzëqeshë nga naltë NANË, ajo tash - jam i bindun - ka me u kujdesë për ty; Ajo âsht ENGJELLI Yt qe të rri pranë; te shoqnon kur vetmon... të jep bukë e ujë me lugë florini kur ke uri; të mbulon me plaf andrre kur nerth e kur vuen ka me t’ngushllue; Ti nuk je vetëm NANË Ti je Toka ku BEBA ka me pushue nga sot e deri në -The End-in e Tomy & Jerry …na ishte ni herë BEBA dhe kallxuesja e radiopërrallave NANË E sheh ni qytet i tanë janë me Ty tuj vetmue - sepse BEBA âsht shndrrue n’heroinë që heq ndryshkun syve Shigjeta vet âsht në duart e Erosit kundër Tanatosit BEBA - ajo po i mbronte fëmijtë e këtij qyteti nga frika e ni loje finale me jetën që t’rritunit i thojnë vdekje BEBA - asht përzie me ajrin dhe aromat e tana luleve në Kosovë NANË! BEBA - ajo po flen, mos e zgjoni! E gjumi i saj zgjat sa mosha e botës ‘Edhe ashtu tre të katërtat e njërzimit në çdo kohë janë në varreza’ - tha Ernesto Sabato pak para se me e gjetë atdheun parak dhe ra në gjumin final! E njoha Rebeken kurrë pa e pa, ajo mas flut’rash ngiste Ajo në secilen princeshë të kësobotshme giste’ E njoha përmes luftës së NANËS me lubi e përbindsha t’pa pamë NANA - ajo luftën kundrejt vdekjes e bâni lojë ”Dita-Nata…” ose “Fluturon, fluturon…” art e bâni dhembjen qe ia thyen eshtnat fjalës dashuni k’putë secilen nanogrimcë shpirti e nga loti i saj sa globi monumenti i zemrës p’ej NANE ka me u bâ për dëshmi se secila NANË në botë asht Titanike! Dhe BEBE âsht e qanë!” (sic.). /Telegrafi/