Duke folur pas ndeshjes së së martës mbrëma kundër Tottenhamit, Pep Guardiola ka thënë se nëse Stefan Ortega nuk do të priste gjuajtjen e Heung Min-Son, Arsenali do të ishte kampion.
“Stefan Ortega ishte vendimtar, do të thosha, se ai është gjithmonë për ekipin. Ortega na shpëtoi, përndryshe Arsenali do ishte kampion i Ligës Premier”, deklaroi Guardiola.
“A e dini sa herë Son Heung-min na ndëshkoi gjatë këtyre viteve? Unë thashë: ‘Jo, jo përsëri’. Por, Stefan bëri një pritje të pabesueshme”.
“Është kultura gjermane, ngrihu, mos u nënshtro, është vërtet shumë i mirë. Ai ka luajtur në FA Cup dhe Carabao Cup, Ederson ka katër mungesa nga lëndimet. Klubi mori një vendim të jashtëzakonshëm për ta sjellë atë këtu”.
Një lëndim i portierit Ederson e detyroi Guardiolën të sillte në lojë Ortega në minutën e 69-të të ndeshjes kundër Tottenham të martën.
31-vjeçari bëri një pritje jetike për të mohuar Son në një duel ballë për ballë për të mbajtur rezultatin 1–0 për Man Cityn, duke shkatërruar shpresat e Arsenalit.
Haaland vendosi më pas fatin e ndeshjes, duke realizuar nga penalltia për 2-0. /Telegrafi/