Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka reaguar pas dëshmisë së James Rubin, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, dhënë në Gjykatën Speciale në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Peci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo dëshmi nuk është thjesht një proces gjyqësor teknik, por një moment historik me vlerë të madhe për narrativën e Kosovës.


“Dëshmia e James Rubin si dëshmitar i mbrojtjes të ish-presidentit Thaçi, nuk është vetëm një dëshmi e thjeshtë gjyqësore, por një dëshmi dhe një ligjëratë publike e dorës së parë për historinë moderne të Kosovës, lidershipin vizionar të shqiptarëve, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrugëtimin e saj drejt pavarësisë”, ka deklaruar Peci.

Kjo dëshmi, sipas tij, i jep Kosovës një pasqyrë autentike të mënyrës se si SHBA-të dhe diplomacia ndërkombëtare e kanë parë luftën dhe përpjekjet për liri të popullit shqiptar të Kosovës – përfshirë edhe liderët e saj politikë dhe ushtarakë.

Për Pecin, një dëshmi e tillë është edhe një leksion për brezat e rinj dhe një dokumentim i pazëvendësueshëm i mbështetjes amerikane ndaj kauzës së Kosovës.

Në vazhdim të reagimit të tij, Peci jep një mesazh të ashpër për ata që nënvlerësojnë ose përqeshin rolin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë: “Tani vazhdoni të bëni hajgare me masat e SHBA-ve! Kush nuk e çmon dhe s’punon bashkë me mikun dhe përkrahësin më të madh, i cili na ka sjellë lirinë dhe pavarësinë, dhe që ka investuar me gjenerozitetin më të madh në shtet-ndërtimin e vendit tonë, nuk ka rrugë tjetër përpos që të përfundojë në vetë-izolim apo në derë të armikut”. /Telegrafi/