PE kujton kryeministrin e ndjerë të Serbisë, Djindjic

Në fillim të seancës plenare, presidenti i PE-së, Martin Schulz, ka shfaqur shpresën se “trashëgimia politike e Djindjicit do të frymëzojë brezin e tanishëm të politikanëve serbë, që të vazhdojnë rrugën e tij të integrimit evropian dhe të pajtimit rajonal”.
“Si kryeministër, Djindjic ka udhëhequr politikë të vendosur të reformave dhe ka punuar për integrimin e Serbisë në Evropë. Vdekja e këtij vizionari dhe e këtij burrështetasi pro-evropian ka qenë humbje e madhe për tërë Evropën”, ka thënë Schulz, transmeton Rel.
Djindjic është vrarë më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së qeverisë në qendër të Beogradit.
Ai ka luajtur rol kyç edhe në rrëzimin e Slobodan Miloshevicit në vitin 2000 dhe ekstradimin e tij në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte. /Telegrafi/













































