LAJMI I FUNDIT:

PDK refuzon koalicionin me Agim Bahtirin

PDK refuzon koalicionin me Agim Bahtirin

Pas prishjes së koalicionit AKR-LDK në Mitrovicë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Dega në Mitrovicë, Avni Kastrati, ka mohuar mundësinë që PDK-ja në këtë komunë të bëjë ndonjë koalicion të mundshëm me Agim Bahtirin.

“Përgjigja jonë është jo. Nuk bëjmë koalicion me AKR-në e Agim Bahtirit, pasi nuk pajtohemi në parim dhe është në shpërputhje të plotë me konceptin tonë”, ka thënë për KosovaPress Kastrati.

Sipas tij, situata e përgjithshme kaotike në këtë komunë dhe shkeljet e panumërta të cilat janë evidentuar deri tani, janë fotografia më e mirë dhe më reale e keqpërdorimeve dhe abuzimeve të shumta nga ana e Bahtirit.


Ndryshe, dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë, ka vendosur mbrëmë që të tërhiqet nga koalicioni që kishte me Aleancën Kosova e Re (AKR), pas një vendimi të kryetarit Bahtiri për shkarkimin e drejtorit të arsimit nga radhët e LDK-së Pajazit Hajzeri.

LDK dhe AKR ishin në koalicion që nga zgjedhjet e fundit komunale, kur në balotazh kishin shkuar Avni Kastrati i PDK-së dhe Agim Bahtiri i AKR-së, ndërsa për ta mundur Kastratin, LDK kishe pranuar të hyjë në koalicion me AKR-në.