Pas dështimit të seancës të Kuvendit Komunal në Gjilanin për të votuar dhënien në shfrytëzim të pronës publike për Universistetin publik “Kadri Zeka”, PDK në Gjilan ka mbajtur konferencë për media.

Nga PDK thonë se që nga tetori i vitit të kaluar, kryetari Hyseni e ka injoruar tërësisht kërkesën urgjente të Universitetit Kadri Zeka, për dhënien në shfrytëzim të parcelës në kompleksin e shkollave të mesme, për t’i hapur rrugë investimeve të reja në UKZ.


Kryetari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, tha para mediave se nuk e përkrahin propozimin e kryetarit Hyseni për dhënien në shfrytëzim të shkollës së mesme të bujqësisë në lagjen e Zabelit për ndërtimin të kampusit të ri të Universitetit Kadri Zeka.

Sipas PDK-së, ky propozim bie ndesh me Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), duke e bërë të kundërligjshëm.

Një tjetër arsye për kundërshtimin e këtij plani është se ndërhyrja cenon investimin prej 1.5 milionë eurosh të organizatës daneze DANIDA, e cila kishte financuar ndërtimin e shkollës së mesme të bujqësisë. PDK thotë se, pavarësisht se kjo shkollë është lënë jashtë funksionit nga qeverisja aktuale, ajo nuk duhet të shuhet, por të rikthehet në shërbim të arsimit.

Gjithashtu, partia thekson se propozimi bie në kundërshtim me buxhetin komunal të miratuar për vitin 2025, ku me iniciativën e PDK-së ishin paraparë investime dhe bursa për nxënësit e kësaj shkolle.

Përveç kësaj, PDK nënvizon se vetë Universiteti “Kadri Zeka”, stafi akademik dhe studentët e tij janë kundër këtij vendimi, duke e parë atë si të dëmshëm për zhvillimin e institucionit.

Sipas kësaj partie, propozimi i kryetarit të komunës është bërë pa ndjekur asnjë procedurë ligjore, pa dëgjim publik dhe pa konsultim me Kuvendin Komunal, duke e bërë atë të papranueshëm.

Ndryshe, PDK gjatë kësaj konference ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryetari Hyseni për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. /Telegrafi/