Pasojat e mbidozimit me rrezatim në Onkologji - Rreziqet e padukshme të terapisë së shpresës

Radioterapia është një nga shtyllat kryesore të trajtimit të kancerit, së bashku me kirurgjinë dhe kimioterapinë. Ajo përdor rrezatim jonizues për të shkatërruar qelizat kancerogjene ose për të frenuar rritjen e tyre. Megjithatë, si çdo trajtim mjekësor, edhe radioterapia duhet të administrohet me kujdes dhe saktësi të lartë.
Msc. Fesal Selimi, PhDc.Ekspert i Fizikës Mjekësore & Ekspert për Mbrojtje nga Rrezatimi
Mbidozimi, pra ekspozimi aksidental ndaj një doze më të lartë se sa e planifikuar, përbën një rrezik serioz për pacientin dhe mund të çojë në pasoja të rënda.
Çfarë është mbidozimi në Radioterapi?
Mbidozimi ndodh kur pacienti merr një sasi më të madhe rrezatimi se sa ajo e paraparë nga plani i trajtimit. Kjo mund të ndodhë për shkak të gabimeve teknike, llogaritjeve të gabuara të dozës, defekteve të pajisjeve apo pozicionimit jo të mirë të pacientit gjatë trajtimit. Sipas studimeve të publikuara në International Journal of Radiation Oncology dhe Radiotherapy and Oncology, çdo devijim nga doza e planifikuar mund të çojë në rritje të efekteve toksike në organet përreth tumorit dhe tek vetë pacienti.
Pasojat klinike të mbidozimit
Pasojat akute dhe kronike të indeve - Mbidozimi mund të shkaktojë inflamacion të fortë në indet e ekspozuara (p.sh. mukozit, dermatit, nekrozë).
Efektet kronike përfshijnë fibroza, nekrozë dhe humbje të funksionit të organeve si mushkëritë, mëlçia apo sistemi nervor qendror.
Rritje e rrezikut për efekte sekondare - Sipas punimeve të botuara në Journal of Clinical Oncology, rrezatimi i tepërt mund të shkaktojë mutacione të tjera gjenetike, duke rritur rrezikun për zhvillimin e kancereve sekondare pas shumë vitesh.
Dëmtimi i strukturave të ndjeshme të organeve në rrezik (OARs) - Organet në rrezik (OARs), si kanali spinal, truri, zemra, syri, testiset, veshkat etj., janë shumë të ndjeshme ndaj rrezatimit.
Një mbidozim mbi dozën e toleruar të këtyre strukturave mund të shkaktojë pasoja të pakthyeshme si paralizë, çrregullime konjitive, insuficiencë renale, humbje të shikimit, anemi etj.
Ndikimi në cilësinë e jetës dhe mbijetesën - Komplikimet e shumta pas mbidozimit shpesh kërkojnë trajtime të reja, ndërhyrje kirurgjikale dhe hospitalizim të gjatë. Kjo e ul ndjeshëm cilësinë e jetës dhe, në raste të caktuara, shkakton vdekshmëri të parakohshme.
Në një analizë të publikuar në Radiotherapy and Oncology (2009), një mbidozim prej vetëm 10% mbi planin e parashikuar çoi në rritje të incidencës së nekrozës tek pacientët me tumore të trurit.
Në Francë, mbi 200 pacientë u prekën nga mbidozimi për shkak të një gabimi në softuerin e planifikimit të trajtimit. Rreth 10% prej tyre zhvilluan komplikime të rënda që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale ose terapi paliative.
Shkaqet më të zakonshme të mbidozimit
▪ Gabime njerëzore në llogaritjen ose verifikimin e dozës
▪ Mungesa e protokolleve të standardizuara të QA (kontrollit të cilësisë)
▪ Kalibrimi i pasaktë i pajisjeve të radioterapisë
▪ Mungesa e stafit të trajnuar në fizikë mjekësore dhe dozimetrie
Rëndësia e Kontrollit të Cilësisë (QA)
Sipas udhëzimeve të IAEA dhe ESTRO, çdo njësi e radioterapisë duhet të zbatojë një sistem rigoroz të kontrollit të cilësisë që përfshin:
▪ Kalibrim periodik të linakëve
▪ Verifikimin dhe aprovimin e planeve nga Eksperti i Fizikës Mjekësore (MPE) dhe specialisti i Onkologjisë
▪ Auditime të brendshme dhe të jashtme të sistemit të trajtimit
▪ Trajnim të vazhdueshëm për stafin klinik dhe teknik
Përfundim
Mbidozimi i rrezatimit në onkologji nuk është vetëm një problem teknik - është një sfidë serioze klinike që prek drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e pacientëve. Përderisa radioterapia mbetet një nga armët më të fuqishme kundër kancerit, ajo kërkon një nivel të lartë preciziteti dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor. Në këtë kontekst, roli i Ekspertit të Fizikës Mjekësore është jetik dhe i pazëvendësueshëm.
Eksperti i Fizikës Mjekësore është profesionisti kyç që siguron që çdo plan trajtimi të jetë i saktë, i optimizuar dhe i sigurt. Ai verifikon që pajisjet të jenë të kalibruara siç duhet, planifikon dozën e saktë që duhet dorëzuar në tumor dhe kontrollon mbrojtjen e organeve të ndjeshme. Pa praninë dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ekspertit të Fizikës Mjekësore, sistemi i radioterapisë humb një nga shtyllat themelore të kontrollit dhe sigurisë.
Çfarë ndodh kur ka mungesë të ekspertëve të Fizikës Mjekësore?
▪ Rritet rreziku për gabime dozimetrike, pasi mungon kontrolli i detajuar mbi planifikimin dhe llogaritjen e dozës.
▪ Mungon dozimetria e pajisjeve dhe e planeve të trajtimit, duke rritur ndjeshëm mundësinë e mbidozimit ose nën-dozimit të pacientëve.
▪ Nuk kryhen testet e kontrollit të cilësisë (QA) në mënyrë të rregullt, duke rrezikuar që pajisjet të funksionojnë jashtë parametrave të lejuar.
▪ Cenohet mbrojtja nga rrezatimi si për pacientët, ashtu edhe për stafin mjekësor, për shkak të mungesës së ekspertizës në matjen dhe analizën e rrezatimit të shpërndarë ose të rrjedhur.
Studimet nga agjenci ndërkombëtare si IAEA dhe IOMP theksojnë se mungesa e Ekspertëve të Fizikës Mjekësore të kualifikuar ka kontribuar në incidente të dokumentuara të mbidozimit me pasoja të rënda, përfshirë dëmtime të pakthyeshme të organeve vitale dhe madje edhe humbje jete.
Prandaj, mbrojtja e pacientit nuk është vetëm një përgjegjësi etike, por një obligim ligjor dhe profesional për çdo institucion që ofron trajtim onkologjik me rrezatim. Kjo kërkon:
▪ Avancimin e Ekspertit të Fizikës Mjekësore të licencuar dhe të trajnuar sipas standardeve të IAEA dhe EURATOM.
▪ Zbatimin e protokolleve të kontrollit të cilësisë në çdo hallkë të trajtimit.
▪ Investim në edukimin e vazhdueshëm të stafit dhe auditime të rregullta nga autoritetet shëndetësore.
▪ Ndërgjegjësim institucional dhe publik për rëndësinë jetike të Ekspertit të Fizikës Mjekësore në sistemin onkologjik.
“Pacienti që hyn në një kabinet të radioterapisë vjen me shpresën për shërim, jo për të rrezikuar jetën për shkak të neglizhencës sistemike. T’i ofrosh atij trajtim të sigurt dhe të kontrolluar është detyrë dhe nder - dhe Eksperti i Fizikës Mjekësore është ndër garantuesit kryesorë të kësaj sigurie.” /Telegrafi/



















































