Pasagjeri paguan për ulëse afër dritares në aeroplan, në vend të saj merr një "mur"

Kur fluturojnë, shumica e njerëzve përpiqen të zgjedhin vendet më të mira për veten e tyre përpara se të hipin në aeroplan.
Dhe shumë prej tyre preferojnë ulëset afër dritareve për të shijuar pamjet piktoreske.
Kohët e fundit, një pasagjer në një fluturim IndiGo mbeti i zhgënjyer pasi zbuloi se afër ulëses së tij nuk kishte dritare, po një “mur”.
Incidenti, i cili u shpërnda në rrjete sociale, fitoi shpejt vëmendje dhe shkaktoi një përgjigje nga kompania ajrore, përcjell Telegrafi.
Pradeep Muthu e ndau historinë në X ku me humor shkroi: “Pagova një ulëse afër dritares. Ku është dritarja?”
Postimi u bë viral dhe shkaktoi reagime të shumta.
Shumë përdorues ndanë përvoja të ngjashme, duke zbuluar se disa aeroplanë kanë ulëse pa dritare për shkak të dizajnit të tyre strukturor.
Të tjerë kritikuan linjën ajrore për mungesë transparence, duke argumentuar se klientët duhet të informohen më parë. /Telegrafi/




















































