Një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka hapur një derë daljeje emergjence në një aeroplan.
Fluturimi që nisej nga Aeroporti Ndërkombëtar i Los Anxhelosit dhe shkonte për në Seattle ishte ende në pistë dhe po largohej nga porta kur incidenti ndodhi të shtunën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Një pasagjere që ishte në bordin e aeroplanit, Gillian Sheldon, i tha NBC Los Angeles se i akuzuari “me sa duket ishte i shqetësuar, nervoz ose i trembur për diçka”.
Burri nuk ishte duke bashkëpunuar me stafin dhe duke injoruar urdhrat, pohoi ajo.
“Ajo [stjuardesa] e shikoi atë dhe i tha ‘duhet të ktheheni në vendin tuaj’ dhe ai tha ‘çfarë të bëj tani’ dhe u kthye dhe kapi derën”.
Stjuardesa i tha burrit se ai nuk mund ta hapte derën “dhe e kapi atë dhe brenda dy sekondash ai hapi derën”, shtoi zonja Sheldon.
Delta Airlines konfirmoi incidentin me një “pasagjer të padisiplinuar” në një deklaratë dhe tha se burri u ndalua fillimisht nga anëtarët e stafit të Delta para se të arrinte policia.
Pasagjerët u nxorën nga aeroplani dhe u zhvendosën në një aeroplan tjetër në mënyrë që të mund të vazhdonin me udhëtimet e tyre.
Më pas, burri u “transportua në një spital lokal për një vlerësim mendor”. /Telegrafi/